Kryebashkiaku demokrat i Kukësit, Bashkim Shehu i është kundërpërgjigjur me një gjuhë ironike Kryeministrit Edi Rama, pas vizitës që pati ai në aeroportin e Kukësit.
“Doktori okulist, Edi Rama, pasi erdhi në Kukës me helikopter, ngaqë nuk kishte lek të paguante taksen e rrugës, iu shtrua muhabetit me llogje, gënjeshtra e mashtrime. Sipas llogarisë së tij, nja 100 kuksianë janë verbuar krejt e mes tyre edhe kryetari i bashkisë së Kukësit”, shkruan Shehu.
Ai shton se kush proteston është i verbër dhe kush i lëpihet kryeministrit është i shëruar.
“Po kur është aq trimosh ky njeriu i helikopterit, pse duhet të procedojë tërë ata burra protestues që sipas okulistit Rama janë qorra? Kush do sy, i shet Edi Rama me kile. Po sy ama, që shikojnë gjithmonë majtas”, shton Shehu.
Ai ironizon duke thënë pse të mos i jepet bashkia e Kukësit, Edi Ramës, meqë është mjeshtër për të futur në burg kuksianët; për t’i gënjyer dhe për t’i ndëshkuar.
“Por ia falim të gjitha, se ai është burrë i vërtetë: të vret, pastaj kërkon falje”, thotë në mbyllje kryebashkiaku i kuksianëve.
/a.rada