Pas një beteje të gjatë, me akuza dhe nisma ligjore, Partia Demokratike arriti të rrëzonte Elvis Roshin, i cili në 8 maji 2011, shembi për herë të parë mitin e Sali Berishës dhe PD në Kavajë. Pas dorëheqjes së Roshit dhe zhvillimit të zgjedhjeve të reja në 25 qershor 2017, Bashkia e Kavajës drejtohet përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Isa Sakja, cili fitoi me një diferencë të ngushtë votash.
Po si po e qeveris përfaqësuesi i Partisë Demokratike Bashkinë e Kavajës? Të dhënat e siguruara nga Shqiptarja.com konfirmojnë se modeli i qeverisjes së Bashkisë Kavajë nga Isa Sakja është i njëjtë me atë të Partisë Demokratike para vitit 2013. Përpos lejeve abuzive të ndërtimit të pallateve, për të cilat ka një kallëzim në prokurori, vetëm gjatë vitit 2018, Bashkia e Kavajës, nën drejtimin e përfaqësuesit të PD, Isa Sakja, ka dhënë 10 tendera të dyshimtë, me vlerë 187 525 604 lekë ose rreth 1.5 milionë euro.
Në tetë raste janë përjashtuar të gjitha kompanitë, të cilat kanë marrë pjesë në garë, përveç kompanisë që ka fituar tenderin. Ndërsa dy tendera të tjerë karakterizohen nga mungesa e plotë e konkurrencës, pasi në garë ka marrë pjesë vetëm një kompani, e cila ka fituar tenderin. Këto lloj procedurash nuk janë të paligjshme, por janë të dyshimta, pasi krijojnë mundësi për klientelizëm, abuzim dhe keqmenaxhim të parave publike.
Në rastin konkret, 10 tenderat kanë sjellë efekte negative në buxhetin e Bashkisë Kavajë, pikërisht për shkak të këtyre procedurave, pasi diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese është shumë e ulët. Konkretisht, nëse fondi limit për rikonstruksionin e trotuarëve Shëtitorja nr. 2 Kavajë, ishte 70 441 537 lekë, oferta fituese është shpallur në vlerën 69 668 590 lekë, ndërsa janë skualifikuar të gjitha kompanitë e tjera përveç kompanisë fituese. Për ndërtimin e një parku rekreativ në lagjen nr. 2 në Kavajë, fondi limit ishte 57 800 015 lekë, ndërsa oferta fituese rezulton 57 294 183 lekë.
Edhe në këtë tender janë përjashtuar të gjitha kompanitë e tjera, përveç fitueses. Ditën e djeshme, kryetari i PD, Lulzim Basha, mori në mbrojtje kryebashkiakun e Kavajës, duke mbështetur në këtë mënyrë edhe modelin e tij të drejtimit të bashkisë.
Tenderat e dyshimtë të Bashkisë Kavajë
1. Tender për rikonstruksionin e trotuarëve Shëtitorja nr. 2 Kavajë, datë 7 gusht 2018, fondi limit 70 441 537 lekë, oferta fituese 69 668 590 lekë. Janë skualifikuar të gjitha kompanitë e tjera në garë, përveç kompanisë fituese.
2. Tender për ndërtimin e Parkut Rekreativ, Lagjia nr. 2, tek ish-Ushtria, Faza I-rë, datë 27 prill 2018, fondi limit 57 800 015 lekë, oferta fituese 57 294 183 lekë. Janë skualifikuar të gjitha kompanitë e tjera në garë, përveç kompanisë fituese.
3. Tender me objekt sistemim asfaltim i rrugës Luz i Vogël, datë 26 nëntor 2018, fondi limit 12 250 797 lekë, oferta fituese 11 851 240 lekë. Janë skualifikuar të gjitha kompanitë e tjera në garë, përveç kompanisë fituese.
4. Tender me objekt sistemim asfaltim i rrugës Synej-Bago, data 22 dhjetor 2018, fondi limit 12 297 735, oferta fituese 11 806 170 lekë. Janë skualifikuar të gjitha kompanitë e tjera në garë, përveç kompanisë fituese.
5. Tender me objekt ndërtim parku rekreativ, data 28 dhjetor 2018, fondi limit 24 995 616 lekë, oferta fituese 24 715 421 lekë. Janë skualifikuar të gjitha kompanitë e tjera në garë, përveç kompanisë fituese.
6. Tender për blerje matësa uji, datë 20 mars 2018, fondi limit 3 000 000 lekë, oferta fituese 2,940,000 lekë. Janë skualifikuar të gjitha kompanitë e tjera në garë, përveç kompanisë fituese.
7. Tender për blerje karburanti, datë 26 mars 2018, fondi limit 2 751 200 lekë, oferta fituese 2 462 324 lekë. Në tender ka marrë pjesë vetëm një kompani.
8. Tender me objekt blerje rakorderi, datë 22 gusht 2018, fondi limit 2 934 150 lekë, oferta fituese 2 746 000 lekë. Janë skualifikuar të gjitha kompanitë e tjera në garë, përveç kompanisë fituese.
9. Tender me objekt blerje të materialeve hidraulike, datë 2 nëntor 2018, fondi limit 1 666 667 lekë, oferta fituese 1 514 000 lekë. Në garë ka marrë pjesë vetëm një konkurrent.
10. Tender me objekt blerje asfaltobetoni me rërë e zall lavatriçe, datë 14 nëntor 2018fondi limit 4 916 667 lekë, oferta fituese 4,890,000 lekë. Janë skualifikuar të gjitha kompanitë e tjera në garë, përveç kompanisë fituese.
Të dhënat e siguruara nga Shqiptarja.com konfirmojnë se modeli i qeverisjes së Bashkisë së Kavajës nga përfaqësuesit i demokratëve Isa Sakja është i njëjtë me atë të Partisë Demokratike para vitit 2013.
Tenderat
Vetëm gjatë vitit 2018, Bashkia e Kavajës, nën drejtimin e përfaqësuesit të PD, Isa Sakja, ka dhënë 10 tendera të dyshimtë, me vlerë 187 525 604 lekë ose rreth 1.5 milionë euro.
Kallëzimi ndaj kryebashkiakut të Kavajës, Basha: Sulm politik
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas kallëzimit të penal kundër kryetarit të Bashkisë së Kavajës Isa Sakja, nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, për shpërdorim detyre, për shkak të dhënies së lejeve të ndërtimit për 7 pallate. Basha e ka cilësuar kallëzimin penal si një sulm politik i orkestruar nga Rama.
“Kallëzimi penal kundër Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, është sulm politik kundër kundërshtarit politik, i parathënë nga Edi Rama disa javë më parë. Ky sulm politik është i orkestruar nga një kryeministër hakmarrës, që nuk e pranon dot se qytetarët në Kavajë nuk drejtohen më nga një përdhunues dhe trafikant droge apo grabitës pronash në bregdet”, tha Basha. Në reagimin e tij, Basha nuk ka lënë pa përmendur edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, atë të Durrësit, Vangjush Dako dhe kryebashkiakun e Elbasanit, Qazim Sejdini, duke thënë se Rama i mbron ata, pasi ndryshe nga Sakja, po e ndihmojnë që të pasurohet. “Kallëzimi politik penal kundër Isa Sakjas vjen nga i njëjti kryeministër i korruptuar dhe i lidhur me krimin që vazhdon të mbrojë Vangjush Dakon, i cili betonizoi Durrësin dhe plazhin e tij, duke u dhënë pasuri publike kriminelëve me të cilët bleu votat. Kallëzimi është urdhëruar nga kryeministri i Qazim Sejdinit, që komandon trafikun e drogës në Elbasan dhe e ka bërë qytetin plaçkë betoni të bandave. Sulmi politik ndaj kryebashkiakut të Kavajës vjen nga i njëjti kryeministër që, bashkë me shërbëtorin e tij, Erion Veliaj, kanë betonizuar Tiranën, duke e shndërruar në lavatriçen më të madhe të pastrimit të parave në Ballkan. As kallëzimet politike, as gazi lotsjellës, as propaganda nuk e ndihmojnë dot më Edi Ramën. Kryeministri më i korruptuar sot në Europë e ka humbur Kavajën dhe, shumë shpejt, ka për të humbur gjithë Shqipërinë”, tha Basha./raport.tv
/a.meta