Nga mesdita e djeshme një lumë akuzash i janë drejtuar mjekëve, por sidomos funksionimit të sistemit të urgjencës dhe shërbimit mjekësor në spitalet e kryeqytetit. Me një dhunë të pamëshirshme verbale janë sulmuar mjekët e institucionet pa i lënë kohën e saj hetimeve mbi këtë ngjarje.
Në media janë transmetuar më shumë akuzat politike dhe emocionet njerëzore, por pa vajtur te e vërteta e “rrugëtimit” të së ndjeres para se të humbiste jetën. Përdorimi politik i një jetë të humbur, trend ky i politikës në Tiranë ka lënë mënjanë mediatizimin e kronologjisë së ngjarjes e cila në fakt, po ta verëshë nuk ka të bëjë me sistemin shëndetësor apo politikat shëndetësore, por me një rast specifik.
Si qëndron e vërteta për rastin e humbjes së jetës së pacientes A. Ç. në maternitetin “Koço Gliozheni”? A funksionoi sistemi shëndetësor? Si ishte kronologjia e ngjarjes nga mbërritja në spital e të ndjerës deri në humbjen e jetës?
Mbërritja në maternitetin “Koço Gliozheni”:
Pacientja është paraqitur në SUOGJ “Koço Gliozheni” rreth orës 22 e 30 minuta të datës. Ajo paraqiste ankesa për vështirësi në frymëmarrje, cianozë periorale dhe dhimbje në regjionin perikardiak.
Mësohet se në repartin e Pranimit të Shërbimit të Obstetrikës të këtij spitali, është ekzaminuar nga mjekët e rojes në abdomen, pasi gruaja ka refuzuar vizitën vaginale, e cila rezultoi me RZF (Rrahjet e Zemrës Fetale) prezente, uterus të qetë, pa kontraksione, paraqitje oblik-cefalik në palpacion, pa hemorragji të dukshme.
Vajtja në QSUT:
Në këto kushte, pacientja është dërguar me autoambulancë nën asistencë të personelit mjekësor rreth orës 23 e 15 minuta në Urgjencën e QSUT “Nënë Tereza,” dhe pas mbërritjes është vizituar nga mjeku kardiolog. Më tej, nisur nga dispnea, cianoza dhe dhimbja prekordiale që paraqiste pacientja, rreth orës 1 e 45 minuta dërgohet me autoambulancë nën asistencën e personelit mjekësor të shërbimit të Urgjencës në SU “Shefqet Ndroqi”.
Është fakt që urgjenca është në dispozicion dhe në punë 24 orë në 7 ditët e javës. Në të gjitha institucionet shëndetësore ky shërbim funksionon 24 orë përgjatë 7 ditëve të javës, me mjekët e specializuar për të dhënë ndihmën e parë.
Por për rastin në fjalë përse u kërkua vizita kardiologjike e specializuar në QSUT?
Duke parë situatën shëndetësore të pacientes e cila ndryshonte shumë shpejt, mjekët gjinekologë kanë kërkuar ekzaminime kardiologjike të cilat mund të kryhen vetëm në shërbime të specializuara ku ndodhen edhe aparaturat specifike të nevojshme për të përcaktuar një diagnozë mbi këtë sëmundshmëri.
Mjeku kardiolog ka kryer të gjitha ekzaminimet dhe vizitat e duhura sikurse e parashikojnë edhe protokollet shëndetësore të këtij shërbimi për rastet e grave gjatë shtatzënësisë.
Nisur nga dispnea, cianoza dhe dhimbja prekordiale që paraqiste pacientja, rreth orës 1 e 45 minuta dërgohet me autoambulancë nën asistencën e personelit mjekësor të shërbimit të Urgjencës në SU “Shefqet Ndroqi”.
Ç’ndodhi te ish-Senatoriumi?
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në shërbimin e urgjencës së sëmundjeve të mushkërive (ish-Sanatoriumin), ku mjekët kanë kryer analizat dhe ekzaminimet që parashikojnë këto lloj sëmundjesh, ndërkohë që pacientja ka qenë shoqëruar nga personeli mjekesor, e oksigjenuar dhe me perfuzionet përkatëse në të gjitha lëvizjet me autoambulancë.
Arjan Mezini, nëndrejtori i teknik i spitali Universitar të Sëmundjeve të Brendshme “Shefqet Ndroqi” e njëherazi mjek tek ky spital ka pohuar për Report Tv se, 35 vjeçarja ka shkuar në Santorium për kontroll pas dyshimeve për mpiksje gjaku.
“Pacientja ka qenë në gjendje relativisht të rëndë me tension diku te 8 me 5 dhe ajo që u vu re ishte një rënie e kuadrit të gjakut, hemoglobinës dhe të ritrocideve. Pasi u bë gjithë dignostifikimi u përjashtua që nuk kishte probleme pleumonare.
Pacientja u shoqërua me ambulancën tonë me mjeken roje dhë një infermiere drejt ‘Koço Glioxhenit’ për të vazhduar zgjidhjen e problemit.”, shprehet Mazini.
E shoqëruar me personel mjekësor me oksigjen dhe në perfuzion me dopaminë , ku shtrohet me diagnozën: “Gravidancë 41-42 javë oblik-cefalik, feto-morto in utero, abdomen akut”, pacientja kthehet te “Koço Gozheni”.
Në këto kushte, transferohet menjëherë në reanimacion, ku fillohet reanimimi dhe monitorimi.
Vazhdoi trajtimi i pacientes me gjak, dopaminë, adrenalinë dhe O2 nazal dhe kortizonik.
Por të ndodhur përballë një situate, që ndryshonte në mënyrë dinamike tek pacientja, është dashur që të bëheshin konsulta të zgjeruara me specialistët përkatës, kardiologë, pneumologë, për të përcaktuar diagnozën.
Pra, siç shihet, as këtu nuk ka mungesë shërbimi dhe trasnporti, as mbyllje dyersh siç politikisht akuzohet.
Cili ishte problemi?
Lloji i komplikimit ishte i pazakontë. Diagnozë kjo shumë e rrallë, që njihet siç është hemorragjia nga çarja e mureve të shpretkës (apo siç njihet në gjuhën mjekësore, rupturë lieni), që ndodh në më pak se rreth 2% të rasteve të të gjithë pacientëve, dhe lidhet kryesisht nga demtimet traumatike që shkaktohen nga goditje të forta.
E gjithë puna është kryer nga mjekët specialistë dhe pse është luajtur politikisht me dhimbjen e familjarëve dhe humanizmin e opinionit publik duke e trajtuar si sulm politik..
Kështu përpos 1001 hamendesimeve dhe akuzave qe janë hedhur pergjatë këtyre dy ditëve, faktet tregojnë të kundërtën, një mori ekzaminimesh dhe shërbim efiçent në të gjitha pikat e urgjencës në të tre spitalet e kryeqytetit ku pacientes iu ofrua shërbimi shëndetësor. Pavarsisht se si shkoi ngjarja dhe dhimbja që prek këdo, është e pandershme që e gjithë ngarja ishte vetëm një ushqim politk duke lënë mënjanë të vërtetën./Lexo.al
ma.me