Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja është këmbana e radhës e alarmit për një shoqëri të metastazuar kulturalisht, shoqërisht, ekonomikisht, politikisht dhe institucionalisht. Të fajësojmë politikën nuk është zgjidhje. E gjithë shoqëria duhet të vërë gishtin mbi kokë.
Nga Ruel Domi
Kur dëgjova që një gjyqtar ishte vrarë në sallën e gjyqit, më erdhën në mendje këto historitë e përballjes midis mafies dhe gjyqësorit në Siçili. Kuptohet, mbasi u bë e ditur në media se vrasësi i gjyqtarit kishte qenë një qytetar i thjeshtë, aty më pas u ndala për të bërë reflektimin që solli tek ky artikull. Fillova të shtroja disa pyetje, ku më kryesoret ishin: Çfarë e bën një njeri të vrasë me paramendim një gjykatës me argumentin se vendimi ishte i padrejtë? Çfarë kasafane institucionale ishte gatuar këtë radhë nga klasa e dështuar politike që kishte sjellë në atë ngjarje? Dhe si është e mundur që ka njerëz me mish, gjak e shpirt, që nga poltroni i dhomës së ndenjes apo nga karrigia e kafenesë, amnistojnë në formën e komenteve në rrjete sociale vrasjen barbare e terroriste të gjyqtarit Astrit Kalaja? Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve kërkon një analizë më të thellë se ky artikull, por që unë, nëpërmjet disa paragrafëve, do përpiqem ta jap të thjeshtësuar.
Së pari, vlen të thuhet se ka një problem institucional që buron nga politika. Grabitja e pronës së shqiptarëve nga banditët komunistë në vitin 1945 dhe rishpërndarja e saj tek “zënësit” e tokës nëpërmjet ligjit famëkeq 7501 pas rënies së sistemit ka sjellë konflikte të pafundme pronësie midis shtetasve, familjeve e ndonjëherë nëpërmjet anëtarëve të të njëjtave familje — konflikte që shpeshherë janë pasuar edhe nga shkrepja e armës. Vlen të thuhet që të shkrepësh armën për çështje prone apo gjetkë, pavarësisht nga fajësia apo pafajësia jote në atë çështje, është e papranueshme, por nuk ka diskutim që këto konflikte i kanë rrënjët tek rrumpalla e krijuar nga klasa politike postkomuniste me pronat e shqiptarëve. Shkalla e rrumpallës me pronat është në proporcion edhe me numrin e viktimave të shkaktuara nga konfliktet për këto prona, të cilat që nga viti 1992 numërojnë rreth 12.000 njerëz të vrarë. Gjyqtari Astrit Kalaja është thjesht “dëshmori” i ardhshëm i një sistemi të marrë fund.
Në rastin konkret, zanafilla e konfliktit ka nisur në vitin 1992, kur shteti, pa marrë parasysh se kujt i përkiste trualli, shkon e strehon 31 familje në një truall që fare mirë me letra mund të kishte qenë i dikujt tjetër. Në vitin 2012, i pandehuri për vrasjen e gjykatësit u pajis me certifikatë pronësie nga Ministria e Financave dhe bëri paraplerjen e të gjithë godinës në bazë të ligjit. Më vonë, një Gjykatë e Shkallës së Parë e njohu Shkëmbin si pronar me një vendim përmbarimi, i cili nuk u ekzekutua për shkak të refuzimit të banorëve dhe dërgimit të vendimit në Gjykatën e Apelit. Dhe tek kjo e fundit, çështja u zgjat për më shumë se një dekadë, me vendimin e fundit që solli në shkrepjen e armës në Gjykatën e Apelit. Qartësisht, kompleksi partiak “PD-PS” në Bashkinë Shkodër, por edhe në qeverinë qendrore, do duhej të kishte gjetur një zgjidhje që njihte të drejtën e pronarit duke i dhënë një alternativë jetese 31 familjeve, por kjo nuk ndodhi dhe për pasojë një gjyqtar u vra.
Së dyti, shoqëria shqiptare ka deficenca të thella kulturore. Mbetet të thuhet që pjesa më e madhe e pseudoanalistëve dhe pseudointelektualëve nuk flasin thuajse fare për natyrën e dhunshme të shqiptarit, e dëshirën e paepur të këtij mileti të pakulturuar, parapolitik e anti-institucional, për vetëgjyqësi, shkelje rregullash dhe vendosje të traditave fisnore mbi rregullat e shkruara e të votuara të kontratës sociale. Para disa muajsh u tmerruam si opinion publik nga vrasja e një 14-vjeçari jashtë dyerve të shkollës. Ajo që më tmerron vetjakisht në raport me atë episod dhune nuk ishte vetëm mungesa e përgjegjësisë nga ana e autoriteteve shkollore, por edhe mungesa e “mea culpa”-s nga ana e babait të të akuzuarit për vrasje, i cili justifikoi aktin me notat e mira të të birit. Po sot, pamë xhaxhain e të akuzuarit për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja që paralajmëroi më shumë terrorizëm e vetëgjyqësi, duke kërcënuar gjyqtarë të tjerë që nuk japin një vendim të pëlqyer për palën paditëse. E më shokueset do duhej sigurisht të ishin komentet e lunatikëve të rrjeteve sociale, të cilët me togfjalëshin “mirë ia bëri” justifikojnë, moralizojnë e përligjin të pajustifikueshmen, të pamoralshmen dhe pa pikë dyshimi të paligjshmen. Kjo vjellje vreri është pa dyshim produkt i injorancës që shqiptarëve u shitet si mendim kritik në formën e postulateve të tipit “fajin na e ka politika” apo edhe të gojëdhënave të kaluara kafene më kafene për Shqipërinë si vendin ku 100% e taksave vidhen (çmenduri), ku policia e institucionet bëjnë zero punë (idiotesi) dhe ku nuk ka drejtësi nëse e kërkon (injorancë e theksuar). Simultanja e dy forcave të mësipërme është një shoqëri ku padija e thellë nuk e lejon individin të ndjekë rrugën institucionale dhe e bën që t’i shtrohet rakisë ose vetëgjyqësisë për zgjidhjen e problemeve. Siç thoshte dhe Faik Konica: “Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë ‘u vonuam’, por ‘na iku’.” Dhe është sëmundja e të mosparit të problemeve asnjëherë te vetja që këtë popull e merr në qafë. Për shqiptarin, fajin nuk e ka ai që qëllon dikë me armë, por arsyeja që mund ta ketë shtypur ‘dellin shqiptar’ për hakmarrje e rezultat të shpejtë dhe që rrjedhimisht ka sjellë në atë përfundim. Kultura jonë promovon dhunën dhe antivlerën në emisione, art, shkollë, politikë e shoqëri përgjithësisht, për të cilën duhet t’i thërrasim mendjes sa më shpejt, nëse duam ta zgjidhim problemin e dhunës në shoqëri.
Së treti, shoqëria shqiptare ka një problem të madh me zbatimin e ligjit. Kjo shihet më shumë se kurrë te fakti që armëmbajtja pa leje është mjaft e përhapur, por mungojnë kontrollet e policisë për të zbatuar ligjin. Edhe rasti i vrasjes së gjyqtarit Kalaja të tregon se sistemi i zbatimit të ligjit mungonte, duke ditur se arma e krimit në gjykatë disponohej pa leje. Për shkak të faktit që shqiptarët e kanë marrë shtetin e tyre më vonë sesa vendet e tjera të rajonit, dhe se historikisht kanë jetuar në fise e bajraqe, ligji e zbatimi i tij është koncept që ende nuk ka zënë rrënjë në shoqërinë tonë. Ligji është thjesht një maskë prej parafine që ekziston ‘sa për të thënë’, por që në fakt nuk gjen zbatueshmëri në shoqëri. Historitë e djemve të VIP-ave që dalin pa u lagur mbasi kanë rrahur policë janë prova e kësaj të fundit. Në Shqipëri ligji është ligj për të dobëtin dhe Maliq për të fortin. Në këtë moment politik, ligji kthehet në fasadë. E kur ligji kthehet në fasadë, mos prit që shoqëria të pranojë interpretimet e gjyqtarit mbi atë ligj tek i cili askush nuk beson. Si rezultat, vetëgjyqësia ngelet ‘e vetmja’ rrugë.
Së fundmi, modeli ekonomik neoliberal vijon të ketë kosto mbi nivelin e shërbimeve të shtetit shqiptar. Që mbas liberalizimit të tregjeve pas komunizmit, të ndjekur më pas nga qeveritë Nano, Meta, Berisha e veçanërisht nga qeveria Rama, kemi parë një “outsourcing” të shërbimeve më bazike të shtetit tek privati, duke çuar miliarda lekë taksash tek privati për shërbime që shpeshherë ose janë të cunguara, ose në raste ekstreme edhe të munguara. Sot e kësaj dite nuk dihet pse skaneri i armëve dhe metaleve tek Gjykata e Apelit nuk funksiononte, por flitet që siguria e brendshme e gjykatës i ishte lënë kompanisë “Illyrian Guard”, një kompani private, por nën varësinë e Ministrisë së Brendshme. Ndërkaq, për shkak të mungesës së punëtorëve të shtetit, kancelari i gjykatës kishte punësuar një roje private për kontrollin para gjykatës, të cilit iu vunë prangat në lidhje me ngjarjen e rëndë në Gjykatën e Apelit. Fondet për punësim punonjësish shtetërorë me kohë të plotë, apo edhe për menaxhim eficient të kompanive shtetërore që do duhej të merrnin përsipër sigurinë e gjykatave, vidhen në formën e tenderave dhe parave që shkojnë për investitorët strategjikë. Ndërkohë, policitë private dhe klubet e tallavasë po ‘përlajnë’ punonjës apo ish-punonjës të policisë e ushtrisë me paga marramendëse, në një kohë kur shteti shqiptar është lënë ‘pa brekë’ nga modeli oligarkik e neoliberal që vjedh paranë e shumicës për të pasuruar në mënyrë jomeritokratike një pakicë pranë pushtetit të kohës.
Vrasja e gjyqtarit duhet të na bëjë të reflektojmë. Për mënyrën si sillemi me institucionet. Për mënyrën si ne trajtojmë njëri-tjetrin. Për si ua mësojmë fëmijëve mënyrën e duhur për të zgjidhur konfliktet. Për rrugën që zgjedhim për të ndryshuar sistemet që nuk funksionojnë. Për partitë që votojmë e politikanët që zgjedhim të na përfaqësojnë në shkallaret e pushtetit lokal e qendror. Deri atëherë, do vijojmë të jemi një shoqëri e marrë fund…











