Bashkimi Evropian varet nga Rusia për afro një të tretën e furnizimeve me gaz dhe sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rast thellimi te konfliktit mund ta ndërpresin furnizimet.
Diçka e tillë do të përkeqësonte një krizë energjetike të shkaktuar nga mungesa e karburantit në Evropë. Çmimet rekord të energjisë kanë sjellë rritjen e faturave te energjisë që duhet të paguajnë konsumatorët, si dhe kostot e biznesit dhe kanë shkaktuar protesta në disa vende.
Zyrtarët e Departamentit të Shtetit kane konstatuar se furnizimet globale të gazit janë të pakta dhe se ka pak gaz rezervë për të zëvendësuar vëllimet e mëdha që mund të vijnë nga Rusia.
Ndërkohë, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve ka konfirmuar se po behet planifikimi i gjendjes së emergjencës për burime energjetike.
Moska e ka alarmuar Perëndimin duke grumbulluar trupa pranë Ukrainës në dy muajt e fundit, pas kapjes së gadishullit të Krimesë të Ukrainës në vitin 2014 dhe mbështetjes ndaj separatistëve që luftojnë trupat e Kievit në Ukrainën lindore.
Presidenti amerikan Joe Biden i ka thënë presidentit rus Vladimir Putin se një veprim i ri rus në Ukrainë do të sillte sanksione dhe prani të shtuar të SHBA-ve në Evropë.
Rusia e ka mohuar planifikimin për të sulmuar Ukrainën dhe ka thënë se ka të drejtë të lëvizë trupat e saj në tokën e saj si të dojë.
/a.r