Hungaria ka shpallur ‘gjendjen e jashtëzakonshme’ për shkak të krizës energjetike të shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë.
Gergely Gulyas, shefi i kabinetit të zyrës së kryeministrit Viktor Orban bëri të ditur planin me shtatë pika për t’u përballuar me krizën energjetike dhe renditi masat pas një takimi të kabinetit.
“Situata është shumë e vështirë kudo në Evropë për shkak të luftës dhe sanksioneve” tha ai, ndërsa shtoi se plani i ri do të hyjë në fuqi në muajin gusht.
Qeveria do të rrisë prodhimin vendas të gazit natyror nga 1.5 në 2.0 miliardë metra kub, ndërsa do të kërkojë burime të tjera gazi. Sipas qeverisë hungareze do të vendoset ndalimi i eksportit për burimet e energjisë si dru zjarri dhe do të rritet prodhimi vendas i qymyrit të linjitit.
Përveç kësaj, qeveria do të rihapë një stacion energjie në Matra dhe do të zgjasë funksionimin e termocentralit bërthamor Paks pranë Budapestit.
“Njerëzit që konsumojnë më shumë se mesatarja e energjisë do të duhet të paguajnë për të me çmimin e tregut dhe jo me tarifat e subvencionuara nga shteti. Kjo mund të prekë deri në një të katërtën e popullsisë”, tha Gulyas.
Hungaria aktualisht importon 65% të naftës dhe 80% të gazit nga Rusia.











