Kriza energjitike e shkatuar nga thatësira po shkon drejt stabilizimit, sipas ministrit të Infrastruturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri. Kjo nisur dhe nga parashikimet për kushtet atmosferike.
“Klima po përmirësohet dhe besoj se pjesa më e madhe e rrezikut është tejkaluar. Në kushtet që jemi, edhe me mbështetjen në bazë të aktit normativ, situata do jetë e stabilizuar dhe nuk do kemi problem me importin e furnizimin”, deklaroi Gjiknuri.
Gjithësesi, për çdo skenar me krizë të zgjatur do të garantohet furnizmi me energji. “Në çdo rast vendi nuk duhet të mbetet pa energji, por treguesi i suksesit të reformës bëri të mundur që OSHEE të sigurojë furnizimin me energji, të importojë edhe pse në kushte të vështira e me çmime të larta për shkak të thatësirës e mungesës së prodhimit në gjithë Ballkanin”, tha Gjiknuri.
Sipas Gjiknurit, suksesi i reformës në energji u provua këtë vit nga kriza e thatësirës, ku u shpenzuan më shumë se 90 milionë euro për importe. Sipas tij, konsolodimi financiar i OSHEE bëri të mundur garantimin e furnizmit dhe investimet nuk u vunë në pikëpyetje.
Këto deklarata ministri i ka bërë nga zona e Laprakës, ku po ndërrohet rrjeti i vjetër për t’u zëvendësuar me linja të reja. Gjithësej janë 20 kilometra linja, 21 gabina të reja dhe 7 të rikostruktuara.
“Janë 20 kilometra kabëll i ri dhe rreth 28 kabina të reja. Ky investim pasohet edhe nga një tjetër për fidrin 356 që do të kapë gjithë pjesën e mbetur të Don Boskos dhe Bregun e Lumit. Brenda këtij viti, kjo zonë do të ketë një linjë të re shpërndarjeje brenda standardeve. Ky nuk është investimi i fundit që po kryejmë në Tiranë me fondet e OSHEE”, deklaroi drejtori i Operatorit, Ardian Çela.
a.ç