Takimi
Sipas shënimeve dhe kujtimeve që ka mbajtur Namik Dokle nga ky takim i vitit 1991, duket qartë se situata ishte e acaruar. Sabri Godo i kërkoi Fatos Nanos që qeverinë ta drejtonte një njeri që nuk kishte asnjë të kaluar komuniste, sepse, sipas tij, qeveria vetëm në këtë mënyrë do të ndihmohej nga ndërkombëtarët. Nano mbron Ylli Bufin ndërsa deklaron se ai nuk po e drejtonte qeverinë si socialist, por si “specialist”. Biseda, pavarësisht urtësisë së plakut republikan, nuk ka qenë e qetë. Godo e shprehu hapur në këtë takim se do të ishte patjetër për zgjedhje të reja dhe qeveri të re, por nga ana tjetër, është i ndërgjegjshëm se çdo qeveri që do të vinte, nuk do t’i bënte dot ballë krizës së rëndë ekonomike që kishte pllakosur vendin. Pak gjëra mund të bënte çdo lloj qeverie, kur sindikatat në të gjithë vendin kishin filluar grevat pa afat, kur eksodi i njerëzve kishte arritur kulmin po ashtu, dhe kur institucionet mezi po mbaheshin në këmbë. Shqetësimi kryesor ishin edhe mitingjet e dhunshme e banditizmi që po shoqëronin javët e para të demokracisë në vend.
Çështjet
Nano, në cilësinë e kryetarit të partisë fituese të zgjedhjeve që drejtonte vendin, në takimin me Godon u ndal te klima politike. Kërkoi që kjo forcë politike të mos përkrahte mitingjet në mënyrë që zgjidhja të ishte institucionale. Ndërsa Sabri Godo kërkonte largimin e njerëzve të Sigurimit të Shtetit dhe zëvendësimin e tyre me të rinj që nuk do të kishin asnjë lidhje me politikën. E ndër të tjera, për opozitarët e atëhershëm duheshin ndryshime rrënjësore edhe në Televizionin Publik Shqiptar. Në takim, Godo do të fliste për “forca të errëta” të cilat, sipas tij, po shtynin edhe eksodin masiv të njerëzve. Për herë të parë pas rënies së diktaturës, në këtë takim diskutohet edhe çështja e pronës, që ishte dhe pika kryesore në programin e republikanëve.
Dialogu Nano-Godo
Fatos Nano: Cila është situata, tavolina e rrumbullakët e partive; Përkrahja e qeverisë së stabilitetit; Sindikatat: Si do bëhet halli ynë?
Duhet t’u komunikojmë njerëzve një atmosferë qetësie.
Jo për xhelozi, po s’na vjen mirë që ju si opozitë takoheni për këtë dhe përjashtoni të tjerat.
Do t’i qëndrojmë paktit social?
Po shtohen masa të mëdha të pakënaqurish.
Nuk është koha për luftë politike që del jashtë problemeve ekonomike.
I qëndroni apo jo “tavolinës së rrumbullakët”?
Sabri Godo: Kjo punë kështu nuk ecën më. Ta bindim popullin se po bëjmë demokracinë dhe ndryshime politike.
Sindikatat e energjetikës do bëjnë grevë. Do bllokojnë gjithë ekonominë. Grevë do bëjnë edhe sindikatat e pavarura. Ne u kemi thënë se nuk jemi për greva.
Njerëzit s’po kthehen në punë me thirrje. Gjendja është bërë shumë e keqe. I paduruar është edhe banditizmi. Po digjen shkollat.
Me këtë gjendje politike, populli nuk beson.
Ato që kemi parashtruar në deklaratën, duhen bërë urgjentisht.
Eksodi u organizua.
Kush e organizoi? Serbia? Sigurimi? Të dhëna nuk kemi.
Fatos Nano: Kush?
Sabri Godo: Ne si parti nuk kemi mundësi, ne kemi vetëm fjalë. As bota jashtë dhe as opinioni brenda nuk i pret mirë këto. Televizioni ynë është bizantin. Pse ai nuk i thotë popullit se po digjen shkollat.
Më imediate është vendosja e qetësisë. Komisionet parlamentare i zvarrisin punët. Kështu ne bëjmë lojën e dikujt, i cili bën me ne si macja me miun.
Fatos Nano: Po këto zgjidhen nga rruga? Do sensibilizojmë njerëzit për armiq imagjinarë apo për armiq realë?
Sabri Godo: Njerëzit kanë ide fikse. Po s’u fole kundër Presidentit nuk të pranojnë.
Fatos Nano: Do t’i gjejmë zgjidhjet?
Sabri Godo: Me këtë parlament dhe me këtë qeveri nuk bëhet.
Namik Dokle: Atëherë ju doni parlament të ri?
Sabri Godo: Nuk do të ngurroja të tërhiqem nga qeveria e të kërkoja zgjedhje të reja por me këtë ekonomi që kemi, nuk bëhet.
Fatos Nano: Çfarë zgjidhje mund të kishte?
Sabri Godo: Ju keni njerëz të rinj. Por nuk jeni të vendosur, nuk keni një qëndrim të qartë.
Duhet të ketë një shkëputje të qartë nga Enver Hoxha. Dalja në gjyq e bllokmenëve që populli të shikojë se ata që i sollën fatkeqësi po dënohen. Opinioni i përgjithshëm është që të lahen hesapet me të kaluarën. Po si? Me demokraci apo me rrugë terrorizmi.
Fatos Nano: Shiku etj, do t’i depolitizojmë. Por me sa duket po i politizojmë më keq akoma.
Viron Koka: Hapin më të fuqishëm mund ta bëni ju, po u shkëputët nga e kaluara. Bashkimi Sovjetik, çfarë tregoi? Edhe këtu njerëzit e vjetër veprojnë. Mëkati nuk bie krejt mbi ju. Stalinizmi duhet të zhduket. Po si? Sigurimi duhet të pastrohet. Historia e jashtme të pastrohet.
Fatos Nano: Ta pastrojmë. Po me çfarë kriteresh? Partiake, apo sipas aftësive?
Sabri Godo: Mungesa, ky vakuum që u krijua ka sjellë mungesë besimi. Qeveria është pa fuqi.
Fatos Nano: Cilado qeveri që të vinte, a do të kishte fuqi?! Ne mendojmë se pa zgjidhje ekonomike s’ka besim. Sindikatat e pavarura më thonë: jemi të lodhur. Si do tia bëjmë?
Sabri Godo: Pse nuk i heqim drejtorët e vjetër?
Në Shqipëri nuk shkon asnjë zgjidhje e moderuar e botës. Tmerri i njerëzve është: si do bëj unë? Si do bëhem pronar?
Kishim një qeveri moniste. Në katër rrethe ne nuk kemi përfaqësues të Partisë Republikane. Pse? Pse nuk më njeh mua si partner politik. Unë jam penduar që hymë në qeveri. Hymë në një tunel nga nuk po dalim dot.
Për rregullimin e gjendjes duhen hequr disa gjëra. Sigurimi ju bën hije juve. Po pse? Pse më identifikon mua me sigurimin.
Grupi parlamentar i nënshtrohet vullnetit të partisë suaj. Bëni me këtë grup reformimin e SHIK-ut, reformimin e Televizionit, heqjen e emblemave kombëtare, ylli, kallinjtë. Amerikanët kanë mendimin se këtu ka akoma komunizëm. Prandaj vonojnë çdo gjë. “Forcat e errta” ekzistojnë akoma.
Fatos Nano: Kjo është e majtë? Jo. Eshtë e djathtë, që i ndihmon të majtës. Kush duhet ta luftojë? Të gjithë bashkë. Po si? Eshtë kohë mitingjesh. Të huajt thonë: mos u merrni me të kaluarën në mënyrë destruktive. Duhet gjetur ajo pikë takimi që të gjithë bashkë të angazhohemi për zgjidhje kombëtare.
Sabri Godo: Po të flasim me prirjen për t’u marrë vesh. Ju keni mbajtur haptaz që i kundërvihen demokracisë. Kryetarin e Hetuesisë. Po kush e vuri? Ministri i Drejtësisë është i PSD-së. Po televizioni? Eshtë krejt jashtë kohe. Ai na tregon koncertet kur Shqipëria digjet. Fatmir Kumbaro doli nga zyrat e Nexhmije Hoxhës.
Fatos Nano: Pse të flasim me emra? Pse nuk flasim me institucione që të mos lejojmë shkeljen e demokracisë?
Sabri Godo: Gjërat duhen zgjidhur në mënyrë fondamentale.
Gramoz Ruçi: Duhet të jemi më kombëtar. Në shumë raste po bëhet loja e serbëve dhe ne nuk e kuptojmë këtë.
Sabri Godo: Ju nuk jeni njëlloj si ne. Ju jeni më të fuqishëm dhe mund të ndihmoni ju më shumë e ne më pak.
Gramoz Ruçi: Po kush ndikon për shkatërrime? Ne? Apo ata që sa kalojnë në fshat, digjen shkolla?
Namik Dokle: Ligji i shkatërrimit, ligji i ndërtimit, A mund të ndalim ligjin e shkatërrimit?
Gramoz Ruçi: A ka prirje për hakmarrje?
Sabri Godo: Ka dhe është e natyrshme. Po ne të përpiqemi të mos e zgjerojmë. Ta lëmë tjetrin atje tek është, por të mos pengojë. Do ngjasin këto. Por po i përkrahëm ne si parti, këtë vend e merr lumi. Ju do ndihmonit kombin sikur më gjerë, më qartë, që të shkëputeni nga e kaluara.
Fatos Nano: A mund të ketë demokraci pa të majtë? Atëherë pse i biem në qafë kësaj të majte? Po kështu edhe për të djathtën.
Viron Koka: Ne s’ju kërkojmë të hiqni dorë nga ideali socialist. Ky ideal ka e do të ketë zigzaget e veta, rëndësinë e vet. Po Enver Hoxha nuk është i këtij ideali. Distancimi nga ai është në favorin tuaj.
Sabri Godo: Si ta bindim botën se ne jemi një vend demokratik? Duhen bërë ndryshime. Çfarë? Ato që themi në deklaratën tonë. Ju bashkohuni me to.
Gramoz Ruçi: Pse na pyesni tani?
Sabri Godo: Loja është e hapur. Eksodi më tronditi dhe këtu nuk i besohet më njeriu.
Gramoz Ruçi: Pse ne e kemi fajin?
Sabri Godo: Po ta kisha këtë bindje s’do t’u pranonim në bisedime. Ju keni njerëz brenda dhe rrotull jush. Po kërcënohen jeta e popullit, ekzistenca e kombit.
Fatos Nano: kundër kësaj të gjejmë gjuhën e përbashkët. A mund të konkretizonim problemet për tavolinën e rrumbullakët të partive por pa interesa partiake.
Sabri Godo: Ju kërkesat tona i dini.
Fatos Nano: A janë vetëm ato?
Sabri Godo: Ka edhe të tjera, bota do e shikonte më mirë sikur kryeministri të ishte jokomunist.
Fatos Nano: kryeministri po punon jo si socialist.
Sabri Godo: Drejt, por e kam thjesht për opinion të jashtëm.
Fatos Nano: Janë qeveritarët tanë që të fundit po mbrojnë intersat partiake. Të tjerët po bëjnë politizime të përditshme.