Lidhja Demokratike e Kosovës në Skenderaj nuk po arrin të marrë përgjigje nga autoritetet komunale e as nga Ministra e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, pse u larguan nga puna 14 mësimdhënësit e kësaj komune, vetëm që i përkasin kësaj partie, që në Drenicë është “pakicë”.
Edhe nëpërmjet përfaqësuesit të LDK-së në Kuvendin e Skenderajt, Cenë Behrami, shumë herë është kërkuar t’i dinë arsyet e largimit nga puna të 14 mësimdhënësve, por përgjigjet që kanë marrë, nuk i kanë kënaqur.
Dega e LDK-së në Skenderaj vlerëson se 14 mësimdhënësit e larguar, të cilët kanë punuar në arsim edhe nga 30 vjet, janë larguar nga puna vetëm pse nuk janë anëtarë të PDK-së. Sipas LDK-së, në arsimin e Skenderajt janë duke u zbatuar diferencime të thella politike, madje siç thonë në LDK, edhe më keq se në vitet e 80-ta.
Isa Fejzullahu, kryetar i degës së LDK-së në Skenderaj, thotë se diferencimet nga puna mbi baza partiake janë vazhdimësi e pushtetit aktual në Skenderaj.