Nga Ben Andoni
Kalimi i viteve e bën më të lehtë, por edhe ngatërron shumë gjëra. Në fakt, për historinë shqiptare vjetërsia ka bërë mirë për të parë ngjarjet e shkuara dhe përfshirjen e shqiptarëve në to. Lufta antifashiste shqiptare është një e tillë, që sot e kësaj dite është e privuar nga data e çlirimit, si rezultat i një mosmarrëveshje të madhe kombëtare. Në një shkrim, që përkonte me 70-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë, profesor Kristo Frashëri e shpjegonte të gjithë këtë tollovi, por realisht edhe përballjen e Shqipërisë me ngjarjet e luftës. I ndjeri, si pjesëmarrës i kësaj lufte parashtroi realitetin e vendit në vitin 1939, por edhe cili ishte qëndrimi i atëhershëm i faktorëve dhe aktorëve kryesorë, edhe si evoluan ngjarjet, që lidheshin me komunistët, Frontin antifashist, Nacionalistët, Ballin Kombëtar dhe Legalitetin.
Për historianin e vjetër nuk ka asnjë mëdyshje se historia shqiptare nuk mund të bënte ndryshim me atë që ndodhte në botë. “Skema politike e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore pati ngjashmëri me skemën politike që u krijua në arenën ndërkombëtare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore bota ishte ndarë në dy rreshtime politike opozitare në shkallë planetare. Nga njëra anë qëndronin anëtarët e bllokut të agresorëve gjermano-italo-japonezë, të cilët aspironin të vendosnin me dhunë diktaturën fashiste në mbarë njerëzimin. Anën tjetër e përfaqësonin anëtarët e kampit antifashist anglo-sovjeto-amerikan, të cilët luftonin për mbijetesën e vendeve të tyre dhe në të njëjtën kohë për lirinë dhe pavarësinë e popujve të robëruar. Në ato vite të përgjakshme, edhe Shqipëria ishte ndarë në dy rreshtime opozitare të ngjashme. Nga njëra anë, qëndronin qeveritarët kolaboracionistë, të cilët hynë në shërbim të agresorëve nazifashistë dhe për pasojë, e përfshinë Shqipërinë formalisht në bllokun e tyre. Nga ana tjetër, u radhitën forcat patriotike shqiptare, të cilave u takonte detyra të luftonin për pavarësinë e vendit”.
Në një analizë të qartë ai e shpjegon qartë hullinë e luftës, por edhe tendencat e saj. Para rrezikut, ai nuk e ul asfare edhe ndihmën e nacionalistëve shqiptarë, porse di të shprehë hapur dhe të gjithë problematikën e vendit, e sidomos rreshtimet e gabuara. Është i kujdesshëm për forcën e komunistëve, teprimet e tyre, por më shumë atë që bëri kjo luftë për shqiptarët, duke na kanalizuar drejt vendeve realisht anti-fashiste.
***
Nga Prof. Dr. Kristo Frashëri
Sot ne kemi mundësi ta vështrojmë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare (shkurtimisht: LANÇ-i) jo si dikur nën presionin e saj, por si ngjarje që tashmë ka hyrë në histori. Kjo për arsye se pas 70 vjetësh, kanë ndryshuar rrënjësisht faktorët historikë që vepronin në kohën e saj. Sot, Shqipëria është një vend i lirë dhe i pavarur, një anëtar me të drejta të barabarta në gjirin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Para shqiptarëve nuk ekziston, si atëherë detyra patriotike për të rrëmbyer armët kundër okupatorit të huaj. Partia Komuniste Shqiptare, e cila e udhëhoqi Luftën Nacionalçlirimtare dhe e shfrytëzoi atë si kapital për të siguruar pushtetin politik, nuk ndikon më në opinionin publik shqiptar. Edhe organizatat e djathta si Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit, të cilat vepruan si kundërshtare politike të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, sot janë rrudhur në organizata anemike. Në ditët tona, fondi i dokumentacionit historik është disa herë më i pasur se në vitet e luftës. Madje, tani ato vijnë nga institucione arkivore aleate dhe kundërshtare të saj. Nga ana tjetër, forcat njerëzore partizane, mbrojtësit më të flaktë të vlerave të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, janë pakësuar së tepërmi. Pra, ata nuk kanë më peshën që kishin 70 vjet më parë në opinionin publik të vendit. Veç kësaj, shumica dërrmuese e shqiptarëve të ditëve tona, meqenëse nuk e kanë përjetuar, për shkak të moshës, Luftën e Dytë Botërore, janë larg ndikimeve politike të ngjarjeve të saj. Për më tepër, opinioni publik shqiptar i ditëve tona ka gati një çerekshekulli që ndodhet në qerthullin e debateve të hapta ndërmjet rrymave të djathta dhe të majta mbi vlerat e LANÇ-it.
Ndonëse parimisht jemi çliruar nga presioni i përleshjeve që ndodhën gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ne jemi ende nën trysninë e ngjarjeve me pasoja të dhimbshme që pësuan shqiptarët gjatë regjimit komunist 40-vjeçar. Nën presionin e tyre, disa historianë e kundrojnë Luftën Nacionalçlirimtare me nota negative. Edhe ky këndvështrim është pa dyshim i gabuar. Shkenca historiografike kërkon që çdo epokë të vlerësohet në ballafaqim me epokën e mëparshme. Më saktë, ajo kërkon të vlerësohet me rezultatet që një epokë ka arritur me zgjidhjen e problemeve politike, ekonomike, shoqërore të trashëguara nga periudha e mëparshme. Pra, LANÇ-i duhet të ballafaqohet me kontributin që ajo solli në krahasim me statusin politik të mëparshëm të Shqipërisë dhe jo në ballafaqim me rendin shoqëror që u vendos pas luftës. Për këto arsye, ne duhet të heqim gjithashtu dorë nga tezat me ngjyrime politike, të cilat lulëzuan në periudhën e Luftës së Ftohtë, tepër entuziaste për një palë apo tepër të ashpra për palën tjetër, të cilat vazhdojnë të qarkullojnë aty këtu në ditët tona.
*
Tani le të hyjmë në temën tonë. Skema politike e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore pati ngjashmëri me skemën politike që u krijua në arenën ndërkombëtare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore bota ishte ndarë në dy rreshtime politike opozitare në shkallë planetare. Nga njëra anë qëndronin anëtarët e bllokut të agresorëve gjermano-italo-japonezë, të cilët aspironin të vendosnin me dhunë diktaturën fashiste në mbarë njerëzimin. Anën tjetër e përfaqësonin anëtarët e kampit antifashist anglo-sovjeto-amerikan, të cilët luftonin për mbijetesën e vendeve të tyre dhe në të njëjtën kohë për lirinë dhe pavarësinë e popujve të robëruar. Në ato vite të përgjakshme, edhe Shqipëria ishte ndarë në dy rreshtime opozitare të ngjashme. Nga njëra anë, qëndronin qeveritarët kolaboracionistë, të cilët hynë në shërbim të agresorëve nazifashistë dhe për pasojë, e përfshinë Shqipërinë formalisht në bllokun e tyre. Nga ana tjetër, u radhitën forcat patriotike shqiptare, të cilave u takonte detyra të luftonin për pavarësinë e vendit.
Në marsin e vitit 1939 Henri Valloni, deputet i majtë frëng, vinte në dukje se në mbarë botën qarqet fashiste nacionale vepronin për të zgjeruar kufijtë e shteteve të tyre të pavarura. Vetëm fashistët shqiptarë, theksonte ai, vepronin për ta përfshirë Shqipërinë nën zgjedhën e Italisë fashiste. Kjo u vërtetua një muaj më vonë në Shqipëri. Me pushtimin në prill të vitit 1939 Italia fashiste nuk i shkaktoi Shqipërisë vetëm humbjen e pavarësisë kombëtare. Ajo i krijoi asaj edhe rrezikun e zhdukjes së shqiptarëve si komb. Kjo për arsye të planit që kishte Musolini për ta italianizuar Shqipërinë nëpërmjet kolonizimit të saj me banorë italianë. Mjafton të kujtojmë se deri në fund të vitit 1939, pra brenda tetë muajve të parë të pushtimit ishin vendosur në Shqipëri rreth 52 mijë banorë italianë, pa llogaritur repartet ushtarake. Vetëkuptohet se kolonizimi po të vazhdonte me këtë ritëm, brenda disa dhjetëvjeçarësh Shqipëria do ta humbiste fytyrën e saj etnike.
Rrezikun e kolonizimit italian të Shqipërisë kolaboracionistët nuk e zinin në gojë. Ata mburreshin se Roma dhe Berlini do t’i ndihmonin shqiptarët për bashkimin e Shqipërisë së paraluftës me trojet e saj etnike, me Kosovën dhe me Çamërinë. Me këtë premtim, qeveritarët kolaboracionistë e solidarizuan Shqipërinë e pushtuar me bllokun agresiv nazifashist. Solidarizimin ata e konkretizuan me dekretin nr. 194 nënshkruar më 9 qershor 1940 nga Viktor Emanueli III, botuar në “Gazeta Zyrtare”, nr. 93, Tiranë, 10 qershor 1940. Në bazë të këtij dekreti, Shqipëria do të ishte automatikisht në luftë me çdo shtet me të cilin Italia fashiste do të ishte në konflikt të armatosur. Në mbështetje të këtij dekreti, Qeveria kuislinge e Tiranës, në solidaritet të detyruar me Italinë fashiste, i shpalli luftë pa asnjë motiv më 10 qershor 1940 Anglisë dhe Francës, më 28 tetor 1940 Greqisë, më 6 prill 1941 Jugosllavisë, më 22 qershor 1941 Bashkimit Sovjetik dhe më 7 dhjetor 1941, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shqipëria u ndodh kështu pa vullnetin e saj në vorbullën e Luftës së Dytë Botërore.
Si pasojë e këtij vendimi, shqiptarët që dëshironin pavarësinë e atdheut u rreshtuan vetvetiu në kampin e madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan, i cili u formua në vjeshtën e vitit 1941. Me formimin e kampit të madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan u ndje nevoja e organizimit të rezistencës së armatosur. Hapin e parë e kryen komunistët shqiptarë, me themelimin më 8 nëntor 1941 të partisë së tyre marksiste-leniniste (PKSh). Që ditën e themelimit, PKSh-ja hoqi dorë nga programi i saj politik me karakter ideologjik: nga organizimi i revolucionit socialist dhe nga vendosja e diktaturës së proletariatit. Me porosi të Kominternit, ajo vuri në themel të programit të saj të ri luftën patriotike për të çliruar atdheun nga okupatori fashist italian, për të rimëkëmbur pavarësinë kombëtare të mohuar dhe për të vendosur në Shqipëri demokracinë popullore. Ajo e linte të hapur derën e bashkëpunimit me të gjitha rrymat patriotike që lëvrinin në Shqipëri, të djathta apo të majta, kapitaliste apo punëtore, fetare apo laike.
Nismën për të realizuar bashkimin në shkallë kombëtare të mbarë shqiptarëve në luftë kundër okupatorit të huaj, e mori Partia Komuniste Shqiptare me organizimin prej saj të Konferencës së Pezës, më 16 shtator 1942. Në Pezë komunistët propozuan formimin e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar si organ i përbashkët i luftës çlirimtare pa ngjyrime politike. Platformën e tyre e përkrahën demokratët e majtë dhe monarkistët e ish-mbretit Zog. Përkundrazi, demokratët nacionalistë të djathtë, të bindur se gëzonin epërsi në opinionin publik, e refuzuan platformën e Pezës me motivacionin se nuk ishin të prirur të bashkëpunonin me faktorët komunistë as në çështjen nacionale.
Organizata e nacionalistëve demokratë të djathtë, Balli Kombëtar, e cila u formua dy muaj më vonë, në nëntor 1942, vendosi jo të hynte menjëherë në luftë pa kompromis kundër okupatorit fashist, siç ishte porosia e koalicionit të madh antifashist, por të qëndronte në pritmëri. Udhëheqësit ballistë llogaritnin të ndërmerrnin veprime luftarake kundër okupatorit kur të shihnin fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe kur, sipas parashikimit të tyre, forcat partizane do të ishin shpartalluar nga ballafaqimi me forcat e okupatorit fashist italian. Por, qëndrimi i pritmërisë që mbajtën dy organizatat e djathta nuk qe për ta produktiv. Përkundrazi, angazhimi total pas Konferencës së Pezës i Lëvizjes Nacionalçlirimtare në luftë kundër okupatorit të huaj, solli si rezultat rritjen e prestigjit të saj në dëm të dy organizatave të djathta. Madje, lëvizja e armatosur antifashiste solli në arenën ndërkombëtare një rezultat të rëndësishëm për Shqipërinë. Në dhjetorin e vitit 1942 ministrat e Jashtëm të tre Fuqive të Mëdha të koalicionit antifashist – C. Hull, A. Eden, V. Molotov – deklaruan se e çmonin rezistencën e armatosur të shqiptarëve dhe e njihnin pavarësinë kombëtare të Shqipërisë.
Siç dihet, njëri prej tyre, A. Eden shfaqi më 17 dhjetor 1942 rezervë në lidhje me kufijtë e Shqipërisë, të cilat theksoi ai, do të rishikoheshin pas luftës. Rezerva kishte lidhje me premtimet që Britania e Madhe i kishte dhënë Greqisë për të aneksuar viset e Shqipërisë jugore, të ashtuquajturin “Epir i Veriut”.
*
Rezerva që mbajti ministri i Jashtëm britanik A. Eden në lidhje me kufijtë e Shqipërisë qe një rrezik i paparashikuar për lëvizjen kombëtare shqiptare. Kjo për arsye se kufijtë e Shqipërisë të vendosura përfundimisht nga Fuqitë e Mëdha më 1913 dhe të sanksionuara nga Lidhja e Kombeve më 1921, tani papritur do të rishikoheshin në dobi të kërkesave territoriale greke. Qarqet nacionaliste greke kërkesat e tyre territoriale i justifikonin duke e akuzuar Shqipërinë si fuqi agresore për luftën që qeveria kuislinge e Tiranës e detyruar nga Roma fashiste, i shpalli Greqisë më 1940. Qarqet nacionaliste të djathta shqiptare mendonin se kur të vinte koha do të kundërshtonin me armë lakmitë territoriale greke. Përkundrazi, udhëheqësit e lëvizjes nacionalçlirimtare mendonin se integritetin tokësor të atdheut të tyre duhej ta mbronin jo duke organizuar rezistencën e armatosur kundër shtetit grek, por duke intensifikuar luftën nacionalçlirimtare kundër okupatorit fashist italian, autori i vërtetë i luftës së 28 tetorit 1940. Kjo për arsye se lufta kundër agresorëve fashistë do ta rreshtonte Shqipërinë në radhët e aleatëve të kampit të madh antifashist. Po të pranohej si aleate, Shqipëria nuk mund të dënohej si shtet agresor. Ngjarjet e mëvonshme vërtetuan se vija politike e LANÇ-it ishte e drejtë.
Pas deklaratave të ministrave të Jashtëm të tre aleatëve të mëdhenj të koalicionit antifashist, disa segmente të organizatës balliste, në kundërshtim me krerët e tyre, vendosën t’i jepnin fund pritmërisë dhe të ndërmerrnin veprime të armatosura kundër okupatorit të huaj. Pavarësisht se pesha e tyre në frontin e rezistencës ishte e pakët, veprimet e tyre të armatosura kundër okupatorit nuk mund të injorohen. Fakti është se më 10 korrik 1943 LANÇ-i krijoi ushtrinë nacionalçlirimtare me batalione dhe brigada me në krye një shtab të rregullt ushtarak, ndërsa njësitet e armatosura të Ballit Kombëtar ngelën në stadin e çetave të vogla fshatare. Kur më 25 korrik 1943 pas shkarkimit të Mussolinit si diktator, u duk i afërt kapitullimi i Italisë, Balli Kombëtar pranoi të hynte në koalicion me LANÇ-in në luftë kundër okupatorit fashist, i cili po jepte grahmat e fundit. Kështu, në fillim të gushtit 1943 Balli Kombëtar lidhi në Kuvendin e Mukjes aleancë me PKSh-në, për luftë të përbashkët kundër okupatorit. Por aleanca dështoi. Mollë sherri u bë çështja e Kosovës dhe mosangazhimi i Ballit Kombëtar në luftë kundër okupatorit të ri hitlerian.
Për Ballin Kombëtar bashkimi i Kosovës me Shqipërinë e pushtuar nga Italia fashiste ishte realizim i platformës së Rilindjes Kombëtare. Për këtë arsye, sipas tyre, shqiptarët duhej të luftonin për të mos e lejuar më shkëputjen e Kosovës nga trupi i Shqipërisë. Sipas kësaj platforme, shqiptarët duhej të hiqnin dorë nga lufta kundër okupatorit gjerman, i cili ia kishte “dhuruar” Kosovën Shqipërisë dhe të angazhoheshin në luftë për të kundërshtuar ribashkimin e Kosovës me Jugosllavinë. Nacionalçlirimtarët mendonin ndryshe. Kosova, ishte bashkuar formalisht me vendim të Hitlerit në pranverën e vitit 1941, jo me Shqipërinë, por me administratën kuislinge të Tiranës. Ky ishte një bashkim de facto dhe jo de iure, i cili kërkonte miratimin e një areopagu ndërkombëtar. Për këtë arsye, bashkimi nuk kishte vlerë juridike ndërkombëtare, aq më tepër që vetë Hitleri kishte deklaruar se kur e donte puna aktet e nënshkruara prej tij i konsideronte letra pa vlerë. Nuk ka dyshim se bashkimi administrativ i Kosovës me Shqipërinë ishte për kosovarët një lehtësim i zgjedhës së tyre kombëtare dhe për mbarë shqiptarët një vëllazërim i mohuar deri atëherë.
Për vëzhguesit objektivë, bashkimi i Kosovës me administratën kuislinge të Tiranës nuk ishte një çlirim, siç e trumbetonte Balli Kombëtar. Nga ky koncept i gabuar, ballistët nxorrën konkluzionin se për shqiptarët ishte detyrë patriotike të hiqnin dorë nga lufta kundër okupatorëve hitlerianë dhe të kalonin në luftë kundër çetnikëve serbë të Drazha Mihajloviçit dhe të partizanëve jugosllavë të Josif Broz Titos. Krerët ballistë arsyetonin se lufta e shqiptarëve kundër serbëve ishte e justifikuar, përderisa serbët historia i kishte damkosur si autorë të genocidit ndaj shqiptarëve. Ata nuk donin ta kuptonin se në bazë të Kartës së Atlantikut, Kosova, e shkëputur nga Jugosllavia me firmën e Hitlerit, duhej t’i kthehej përsëri Jugosllavisë, e cila qoftë mbretërore, qoftë titiste, ishte aleate e kampit të madh antifashist. E përkthyer shqip, kjo do të thoshte se lufta kundër çetnikëve apo partizanëve jugosllavë i shërbente okupatorëve hitlerianë.
Krerët e LANÇ-it mbajtën një qëndrim të ndryshëm. Kosova nuk mbrohej duke luftuar krah për krah me hordhitë hitleriane kundër forcave antifashiste jugosllave. Lufta kundër forcave antifashiste jugosllave, aleate e kampit të madh antifashist, e stigmatizonte lëvizjen nacionaliste shqiptare si kolaboracionizëm me politikën hitleriane. Për këtë arsye, ajo nuk do të sillte çlirimin e Kosovës, por vazhdimin e vargonjve të robërimit të kosovarëve nën Jugosllavinë. Përkundrazi, sipas credo-s nacionalçlirimtare, e cila mbështetej në Kartën e Atlantikut dhe në atë të Kombeve të Bashkuara, kapitali i çmuar që do të ndihmonte kosovarët të fitonin të drejtat e tyre kombëtare, ishte angazhimi i tyre në luftë kundër garnizoneve nazifashiste italo-gjermane, që e mbanin Kosovën nën kthetrat e tyre. Sipas zotimeve të koalicionit antifashist, ky kapital do t’u jepte kosovarëve mundësinë të zgjidhnin ata vetë pas luftës, me votë plebishitare, ardhmërinë e fatit të tyre. Nëse vendimi i Kuvendit të Bujanit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nuk u vu në jetë, përgjegjësia nuk ishte e komunistëve shqiptarë, por e titistëve jugosllavë, të cilët i detyruan autorët e rezolutës së Bujanit të hiqnin dorë nga vendimi që kishin marrë në fillim të vitit 1944.
Për mosangazhimin e Ballit Kombëtar në luftë kundër okupatorëve hitlerianë LANÇ-i e denoncoi marrëveshjen e Mukjes. Pas denoncimit të marrëveshjes, rrugët midis partizanëve dhe ballistëve u ndanë përfundimisht. Fronti Nacionalçlirimtar zhvilloi luftë të armatosur kundër ushtrive hitleriane, të cilat u dyndën në Shqipëri më 9 shtator 1943, fill pas shpalljes së kapitullimit të Italisë fashiste. Përkundrazi, Balli Kombëtar hyri që në shtator 1943 në kompromis me qeverinë kuislinge të Tiranës, e cila i lejoi repartet balliste të qarkullonin lirisht në qytetet e vendit me kusht që të mos prekeshin as ushtritë hitleriane, as administrata kuislinge. Për më tepër, gjatë dimrit 1943-1944 repartet balliste bashkëpunuan haptas me ushtritë hitleriane në operacionin ndëshkimor që ato ndërmorën kundër ushtrive nacionalçlirimtare. Përfundimisht, në pranverën e vitit 1944 Fronti Nacionalçlirimtar, doli nga operacioni i dimrit me autoritet të padiskutueshëm, kurse Ballin Kombëtar e pushtoi procesi i shpërbërjes. Edhe Lëvizja e Legalitetit, e cila ndonëse nuk bashkëpunoi me ushtritë hitleriane, por vetëm me administratën kuislinge, shkoi drejt shpërbërjes. Kështu, Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili i qëndroi besnik luftës patriotike që nga fillimi e deri në fund, ka meritën se më 29 Nëntor 1944 e çliroi përfundimisht Shqipërinë e robëruar dhe rimëkëmbi pavarësinë e Atdheut.
*
Lufta Nacionalçlirimtare e parë në thellësinë e veprimeve të saj, nuk qe vetëm një luftë politike, por edhe një revolucion demokratik. Vizioni që kishin gjatë luftës udhëheqësit e Lëvizjes Nacionalçlirimtare për shoqërinë shqiptare të Pasluftës, përfshirë dhe udhëheqësit e Partisë Komuniste të Shqipërisë, nuk kishte aspak ngjashmëri me diktaturën e proletariatit ashtu siç ishte zbatuar nga regjimi komunist. Ashtu siç ishte formuluar edhe në programin e Partisë Komuniste, ata synonin që pas luftës të ndërtonin një shoqëri demokratike popullore, me të cilën ata nënkuptonin jo një demokraci të ashtuquajtur borgjeze dhe ca më pak një demokraci aristokratike, por një demokraci të majtë, e cila të mbronte interesat e shtresave të gjera të popullsisë shqiptare. Ajo përmbante në vetvete prirjen për të ndërtuar një Shqipëri më të përparuar se ajo që ekzistonte para pushtimit të 7 prillit 1939. Detyrat që demokracia popullore synonte të zgjidhte në Shqipëri ishin këto: zhdukjen e mbeturinave feudale në fushën e pronësisë bujqësore, mënjanimin e ndikimit që ushtronin bejlerët dhe çifligarët në administratën qeveritare, nxjerrjen përfundimtare të bajraktarëve nga shoqëria malësore, krijimin e organizatave shoqërore që mbronin interesat e punës, barazimin e plotë të gruas me burrin në fushën e të drejtave shoqërore, pjesëmarrjen e gruas njësoj si burri në administratën shtetërore, masivizimin e arsimit deri në zhdukjen e analfabetizmit, zhvillimin e hovshëm të kulturës dhe artit shqiptar, lirinë e plotë të mendimit, të fjalës, të lëvizjes, të vendbanimit, të shtypit, më në fund rreshtimin e pakushtëzuar të Shqipërisë në koalicionin e madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan.
Mund të pohojmë pa mëdyshje se asnjë nga këto detyra nuk kishin në përmbajtjen e tyre, karakter komunist. Ato i takonin programit të demokracisë së majtë dhe jo regjimit socialist, mbasi nuk e preknin pronën private./ç.a