Gjashtë vite të gjata pritje. Të gjata, po aq sa edhe vetë mëria midis dy fiseve në Rrëshen, të cilët e kanë kthyer këtë qytet të vogël në harkun kohor të pak viteve, në një lumë të pafund gjaku dhe terrori.
Një Korleone, pa mëdyshje e kohëve moderne, në mesin e veriut të Shqipërisë, midis fiseve, Reçi dhe Gjini, të cilët nuk kursyen asgjë nga arsenali i tyre i armëve dhe parave, për të shuar çdo gjurmë të mbetur nga mbiemrat respektivë.
Një drejtësi e cila dukej se edhe ajo kishte humbur busullën në fijet e një pëlhure e cila sa herë dukej se ishte drejt shpërbërjes, po aq herë fijet e saj ngatërroheshin.
Aq sa dukej, se vrasja ish-kreut të Linjës së Tensionit të Lartë të OST-së për veriun, Saimir Jaku, atë mëngjes të 9 shtatorit 2016, në qendër të Rrëshenit; nuk do të zbardhej kurrë. Kjo të paktën deri pasditen e 25 korrikut 2022.
Kur arrestimi i një 40-vjeçari, i cilësuar si vrasës me pagesë, i identifikuar si Dorian Keqi me banim në Krujë, do të ndizte edhe njëherë shpresën për të hedhur dritë mbi sagën e eliminimeve mafioze në Shqipëri-Romë dhe Bruksel.
Perde e përgjakur, që siç e thamë, do të ngrihej fillimisht me vrasjen e Saimir Jakut atë fillim shtatori të vitit 2016 në një lokal në qendër të Rrëshenit, ku as vetë Dorian Keqi, autori tashmë në pranga për vrasjen e Saimir Jakut dhe plagosjen e rëndë të mikut të tij Gjergj Prenga, nuk do ta kishte menduar që shumë vite më pas, vesi i alkoolit ku ishte zhytur prej kohësh, një ditë do ta fundoste pa kthim.
Ves, që nëse nuk do ta kishte, mund ta linte akoma në liri një nga vrasësit e Saimir Jakut, dhe ngjarja mund të mbetej edhe sot pa autor.
Por kush është Dorian Keqi dhe si u tradhtua ai nga vesi i tij?
Si ra grupi hetues në gjurmët e tij dhe pse ky i fundit ka vendosur të heshtë të paktën për momentin mbi krimin që kreu?
Cilat janë pistat dhe dyshimet e grupit hetues, mbi ngjarjen, dhe cila është lidhja me vrasjet e rënda që pasuan në vitet në vazhdim në Rrëshen?
Por përpara se të mësojmë se si Dorian Keqi, sipas grupit hetues, qëlloi ndaj Saimir Jakut dhe se si ra në rrjetën e policisë, është me vend të ndalemi fillimisht te vetë vrasja e zyrtarit të OST-së për veriun.
Te dinamika, se ç’ngjau atë mëngjes të herët shtatori në lokal në qendër të Rrëshenit.
Dinamikë, e cila sipas grupit hetues, nis me lëvizjet e fundit të viktimës dhe të miqve të tij, të cilët iu bashkuan atë mëngjes në tavolinë.
Grupi hetues
“Më datë 9 shtator 2016, Sajmir Jaku ka dalë nga shtëpia në mëngjes dhe rreth orës 09:10 ku ka shkuar tel lokal “F…”, së bashku me kushëririn e tij Jurgen Jaku. Pasi janë ulur në një prej tavolinave të verandës së këtij lokali, Saimir Jaku ka ftuar për kafe edhe A.T., ndërsa pak më vonë me ta është bashkuar edhe Gjergj Prenga. Pasi ka qëndruar pak minuta, A. T. dalë nga lokali për të shkuar në punën e tij pranë muzeut të qytetit Rrëshen”.
Sipas grupit hetues, është ky momenti, kur në qytet, vihet re, në lëvizje, një makinë “Mercedes Benz”. Lëvizja u regjistrua e plotë edhe nga kamerat e sigurisë në qytet.
Nga automjeti zbritën dy burra, të cilët pasi ngjitën shkallët e lokalit, qëlluan pa mëshirë ndaj Saimir Jakut. Plumbat nuk kursyen as mikun e tij, Gjergj Prenga i cili, mbeti i plagosur rëndë në këtë ngjarje.
Grupi Hetues
“Gjatë kohës së qëndrimit të Saimir Jakut në lokal u konstatua në lëvizje një automjet ‘Mercedez-Benz’, 4 fenerësh, me ngjyrë të zezë, me targa AA149DK, i cili ishte me xhama të zinj. Ky automjet ka ndaluar përpara lokalit në rrugën kryesore dhe nga kjo makinë kanë zbritur 2 persona, të armatosur me armë zjarri të llojit automatik, të veshur me rroba të zeza dhe të maskuar, të cilët pasi janë ngjitur në verandën e lokalit, kanë qëlluar në drejtim të shtetasit Saimir Jaku, të cilin e kanë lënë të vdekur në vend. Ku nga të shtënat është plagosur edhe Gjergj Prenga, i cili ka qenë në tavolinë me Saimir Jakun”.
Sipas dosjes hetimore, menjëherë pasi kryen atentatin, autorët thuhet se në ikje e sipër, u përplasën me armë edhe me postbllokun e policisë që ndërkohë kishte marrë informacion mbi lëvizjen e makinës së tyre, por pa mundur t’i ndalojë vrasësit.
Grupi hetues
“Pas kryerjes së krimit autorët dolën nga lokali dhe hipën në automjetin me targa AA149DK, duke u larguar në drejtim të qytetit të Rubikut.
Gjatë kësaj kohe automjeti me targa AA149DK iu dha të gjitha shërbimeve të policisë.
Ku patrulla e policisë rrugore e vendosur në postobllok në Rubik, pranë karburant ‘Start’, konstatoi automjetin me targa AA149DK, vetëm pak minuta pas ngjarjes.
Pasi hasën punonjësit e policisë, një nga autorët hapi derën e mjetit dhe qëlloi me armë zjarri në ajër”.
Vetëm pak kohë nga kryerja e krimit, sipas grupit hetues, makina e autorëve, u gjet e djegur në fshatin Vinjoll të Kurbinit. Aty ku duket se autorët humbën gjurmët, të paktën kështu mendonte njëri prej tyre pa e ditur se kishte lënë në vendngjarje, gjurmët që një ditë do t’i vendosnin në kyçe prangat e drejtësisë.
Grupi Hetues
“Pas kryerjes së krimit, automjeti i autorëve vijoi rrugën në drejtim të Milotit, në fshatin Skuraj. Aty ku la rrugën kryesore dhe u largua për në drejtim të fshatit Vinjoll, rrethi Kurbin. Pasi autorët ndalën automjetin në vendin e quajtur Vinjoll, ata dogjën automjetin dhe më pas u larguan nga aty”.
Do të ishte ky moment, kur gjurmët e krimit do të humbnin edhe për grupin hetues që kishte në dorë një gjurmë të vetme gishtërinjsh, të gjetur në bidonin e benzinës, që ishte përdorur për djegien e makinës së autorëve të krimit, por nuk kishte një emër, se kujt i përkiste gjurma e gishtit.
Ndaj hetuesit fillimisht, u ndalën të rrëfimet e dëshmitarëve, kur njëri prej njerëzve që pa skenën e krimit, ishte kushëriri i Saimir Jakut. I vetmi në tavolinë që mundi t’u shpëtojë paq plumbave, por edhe të konfliktohet me një nga autorët.
Kushëriri i Saimir Jakut
“Saimiri ishte duke parë diçka në telefon dhe në atë moment e dëgjova kur pëshpëriti: ‘Ou po këta?’. Ktheva kokën dhe pashë se në lokal kishin hyrë dy persona të veshur kokë e këmbë me rroba të zeza dhe me maska në kokë. Njëri kishte drejtimin nga ne, kurse tjetri ishte me kurriz dhe po kontrollonte vendin. Ata filluan të qëllojnë me armë zjarri tek e tek. Njëri nga personat u afrua te Saimiri dhe e qëlloi drejtpërdrejtë me armë zjarri. Në këtë moment mbaj mend se këtë person e qëllova me shkelm në trup dhe ai për momentin u mënjanua, ku më duket se i lëvizi arma nga dora. Më pas u hodha nga shkallët e verandës së lokalit dhe ika poshtë në anën jugore. Ndërkohë krismat e armës vazhdonin përsëri”.
I afërmi i viktimës, rrëfeu më tej se kur u kthye në lokal, e gjeti të pajetë kushëririn e tij.
Ndërkohë që dha të dhëna të rëndësishme për grupin hetues, në lidhje me konfliktet e mundshme që kishte Saimir Jaku ku përmendi edhe një rrahje të të afërmit të tij me shtetasin Gaspër Reçi.
Kushëriri i Saimir Jakut
“Kam rënë poshtë në rrugë dhe aty kam parë një polic, më pas kam shkuar tek dyqani i xhaxhait tim. Aty ishte babai im dhe xhaxhait dhe u tregova se çfarë kishte ndodhur. Të tre jemi nisur në drejtim të lokalit dhe pamë që kishin vrarë Saimirin. Unë di që Saimirin e kanë qëlluar para 3 vitesh tek karburanti ‘Start’ në dalje të qytetit të Rrëshenit. Po kështu di se para 6-7 muajsh ka pasur konflikt në qytet me Gaspër Reçin ku janë rrahur me grushte. Me Gasprin nuk e di për çfarë janë konfliktuar. Mesa di unë, nuk ka pasur konflikte me njerëz të tjerë. Nuk kam dijeni kush ka qenë i interesuar dhe kush e ka vrarë Saimirin”.
Një tjetër dëshmitar që mundi të shquajë në distancë autorët e vrasjes së Saimir Jakut, atë ditë, u bë edhe V. Lleshi, i cili siç del nga dëshmia e tij, po konsumonte kafenë e mëngjesit, në lokalin përballë me atë ku ndodhi krimi.
V.Lleshi
“Më 9 Shtator 2016, rreth orës 09:00, dola nga shtëpia dhe me mjetin tim shkova për të pirë kafe tek lokal ‘Mirdita’ që ndodhet në qendër të qytetit të Rrëshenit. Aty, ku u ula në një nga tavolinat në verandën e lokalit, bashkë me dy shokë të mi. Vetëm disa minuta pasi isha ulur, pashë një automjet ‘Mercedez Benz’ me ngjyrë të zezë, targat nuk i fiksova, i cili erdhi nga sheshi i qytetit dhe u ndal para lokal ‘F***’ që ndodhet përballë lokalit ku po pija kafe. Në këtë kohë, pashë një person të maskuar, me një armë të gjatë në dorë, që ngjiti shkallët e lokalit, i cili filloi të qëllojë fillimisht një nga një, më pas me breshëri. Pasi kryen krimin, automjeti me autorët u larguan në drejtim të Komisariatit të Policisë duke lëvizur ngadalë. Ajo që fiksova ishte se autori që qëlloi ishte trup gjatë dhe i dobët dhe mbante maskë në kokë”.
Ai mohoi të kishte pasur ndonjë konflikt me viktimën dhe sqaroi se prania e tij aty, ishte krejt rastësore
V.Lleshi
“Me Saimir Jakun nuk kam pasur ndonjë konflikt. Që prej kohës kur ai u bë drejtor i OST për zonën e veriut, ai ka qëndruar më shumë në Tiranë dhe rrallë herë e kam parë në Rrëshen”.
Jo pa interes ishte edhe dëshmia që dha banakierja e lokalit ku ndodhi vrasja, e cila pavarësisht se mundi të shquajë veshjet e autorëve të krimit, nuk mundi të dallonte se kush ishin ata, për shkak të maskimit që ata kishin.
Banakierja
“Unë jam banakiere në këtë lokal prej katër vitesh, ku shërbej zakonisht nga ora 06:30 deri në orën 14:30.
Ditën e ngjarjes rreth orës 09:00, kujtoj se në lokal hyri Saimir Jaku, i cili është klient i rregullt. Ai u ul në tavolinë me A.T. dhe Gjergj Prengën. Rreth orës 09:30 dëgjova krisma armësh dhe kur ktheva kokën për të parë, vura re një person që kishte në dorë një armë të gjatë automatik i cili po qëllonte në drejtim të tavolinës së Saimir Jakut.
Ky person kishte në kokë maskë më ngjyrë të errët, xhup gri sportiv, pantallona ngjyrë ushtarake. Si edhe kishte trup mesatar, jo shumë i shëndoshë”.
Por kur dukej, se hetimi do të ndalej te dëshmitë dhe një gjurmë gishtërinjsh të gjetura në një bidon benzine të përdorur nga njëri prej autorëve, dilema se kush e vrau, duket se do të merrte fund, 6 vite nga vrasja e Saimir Jakut dhe plagosja e mikut të tij, pikërisht aty ku grupi hetues nuk do ta mendonte.
Falë gabimit të zakonshëm që bëjnë autorët e vrasjeve në raste të tilla.
Mendimi se çdo gjë është harruar dhe tashmë asgjë nuk do të mund t’i zbulojë më.
Ky duket se ishte edhe gabimi fatal që kreu Dorian Keqi.
Po kush është Dorian Keqi, 40 vjeçari, lindur në fshatin Vinjoll të Kurbin dhe banues në qytetin e Krujës, që u arrestua pasditen e 25 korrikut 2022, në dyshimin se vrau me pagesë më 9 shtator 2016, ish-drejtuesin e OST-së për veriun, Saimir Jaku, dhe la të plagosur mikun e tij, Gjergj Prenga.
Pse grupi hetues pavarësisht se dispononte gjurmët e tij të gishtërinjve, të mbetura në një bidon benzine që u përdor për djegien e makinën së vrasësve të Saimir Jakut, nuk mundi prej 6 vitesh të shkonte drejt emrit të Dorian Keqit?
Si u arrestua 40-vjeçari i cilësuar si vrasës me pagesë fare rastësisht për një vepër të rëndomtë penale dhe zbulimi i madh që erdhi për grupin hetues, pas marrjes së gjurmëve të tij të gishtërinjve.
Sipas dosjes hetimore, Dorian Keqi, u arrestua fillimisht në qytetin e Lezhës, në akuzën për drejtim automjeti, në gjendje të dehur, më 21 korrik 2022.
Një ngjarje e cila në pamje të parë nuk duket se do t’i shkaktonte ndonjë telash të madh me drejtësinë, shkelësit të ligjit dhe që në mendimin e tij mund të kalonte edhe me një gjobë administrative, apo në rastin më të keq, heqje të patentës.
Por duket se grupi hetues, nuk ishte i këtij mendimi, pasi u njoh me gjurmët e tij të gishtërinjve.
Të cilat korrespondonin me ato të mbetura në sendet e një mjeti të përdorur në krim 6 vite më parë.
Pikërisht, atë të vrasjes së Saimir Jakut, më 9 shtator 2016 në Rrëshen.
Grupi Hetues
“Nga krahasimet e datës 25 Korrik 2022, kryer në sistemin AFIS, ka rezultuar se është identifikuar gjurma papilare e fiksuar në vendin e ngjarjes, vrasje me armë zjarri të shtetasit Saimir Jaku, të fiksuara në bidonin plastik me lëndë djegëse benzinë, gjetur pranë automjetit të djegur nga autorët e krimit në vendin e quajtur Vinjoll-Kurbin. Gjurmë të cilat i përkasin shtetasit Dorjan Keqi, i datëlindjes 30 Shtator 1982, sipas kartelës daktiloskopike të marrë në Lezhë me datë 21 korrik 2022, ardhur në IPSH me datë 22 Korrik 2022”.
Sipas grupit hetues, ajo çka e kishte vështirësuar, shkuarjen drejt emrit të Dorian Keqit, si vrasës i mundshëm i Saimir Jakut, ishte fakti se Keqi nuk ishte i dënuar më parë.
Referuar kartelës së tij të përditësuar, Dorian Keqi ishte i pamartuar dhe kishte kryer vetëm 8 vite shkollë.
Ndërkohë që njihej si një person shpeshherë i papunë, i dhënë pas alkoolit, dhe jetës sedentare. Por ajo që e bën edhe më interesante, faktin se si Dorian Keqi mundi të jetonte në liri për një kohë kaq të gjatë, janë kërkimet e dështuara të grupit hetues për të gjetur se kujt i përkisnin gjurmët e gishtërinjve në bidonin me benzinë të gjetura në vendin ku u dogj makina e autorëve.
Kërkime të cilat sipas dosjes hetimore kishin çuar në emra të përveçëm, por që më pas kishin rezultuar se nuk ishin ata, autorët e krimit që tronditi fillimisht Rrëshenin.
Referuar gjithmonë dosjes hetimore dhe verifikimeve të kryera në sistemin E-Gjoba, automjeti i përdorur në vrasjen e Saimir Jakut, ishte raportuar i vjedhur më 12 gusht 2015, afër një vit përpara se të përdorej në krim.
Autorët, për të humbur gjurmët, i kishin vendosur targa që i përkisnin një automjeti tjetër që mendohet të jetë vjedhur jo më larg se një muaj nga ekzekutimi që iu bë Saimir Jakut./ NË SHËNJESTËR/ Pjesa e Parë
/e.d