Kryeministri i vendit Edi Rama është shprehur i vendosur për finalizimin e projektligjit që kriminalizon shpifjen. Në konferencën e fundvitit, i pyetur nga gazetarët për këtë çështje, Rama tha se tërheqja u bë për të shmangur paqartësitë dhe keqkuptimet, pasi sipas tij projektligji nuk është për ti bërë presion gazetarëve. Rama tha se me rregullimet që do të bëhen projektligji do rikthehet për miratim, për ti dhënë fund sipas tij kulturës kriminalizuese të shpifjes.
“Betejën barbare kriminalizuese unë jam i vendosur ta bëjmë. Nuk është betejë ndaj individit por është betejë ndaj një kulture. Nuk ka mbetur gjë pa u thënë, janë thënë të gjitha, por kultura e kriminalizimit të vazhdueshëm është një kulturë që degradon marrëdhëniet shoqërore”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama e ka nisur konferencën për shtyp të fundivitit me një “lajm të gëzuar” për kamionistët shqiptarë që hyjnë në Itali.
KAMIONISTËT
Rama tha se më në fund do të hiqet taksa 500 euro për çdo kampion që hynte në vendin përtej Adriatikut. Ai shpjegoi se bëhet fjalë për një zotim të mbajtur nga ana e kryeministrit italian, Matteo Renzi.
“Dua ta nis me një kartolinë urimi për të gjithë kamionistët shqiptarë që bëjnë veprimtari transporti me Italinë, të cilët prej 25 vjetësh vuajnë mbi kurriz barrën e një taksimi krejtësisht të padrejtë që ka mbetur në raport me mallrat që shkojnë në Itali nga Shqipëria, qysh në mesin e shekullit të shkuar, një absurditet i plotë, ku Shqipëria ka mbetur nën këtë regjim taksimi së bashku me dy vendet e tjera të Lindjes së Mesme. Është bërë një përpjekje e vazhdueshme në këto vite, por asnjëherë nuk është arritur që kamionistët tanë të çlirohen nga kjo barrë.
Unë kam patur sot një komunikim me kryeministrin italian, i cili ishte këtu fiks një vit më parë dhe kam marrë lajmin e gëzuar për kamionistët dhe të shumëpritur për të gjithë atë komunitet, se më në fund, qeveria italiane ka kaluar një vendim, i cili tanimë është depozituar në parlamentin italian, për heqjen e kësaj takse, një barrë 500 euro për çdo kamion që hyn dhe del në Itali nga Shqipëria. Pasi të kalojë dhe procedura parlamentare, ky hap kthehet në ligj. Ndërkohë, qeveria italiane, bashkë me vendimin, ka depozituar edhe mbulimin financiar të shumës që do t’i hiqet nga shpina kamionistëve, pra është një zotim i mbajtur nga ana e kryeministrit italian, të cilit në mënyrë të vazhdueshme ia kam kujtuar se nuk mund të kalojë edhe një vit tjetër pa finalizuar këtë zgjidhje.”, tha Rama.
DREJTESIA
Rama: “Reforma në drejtësi është kryefjalë e mandatit tonë dhe si kryefjalë është me një peshë shumë të madhe që prek shumë interesa dhe që nga ana tjetër domosdoshmërish duhet të prodhojë tërmet, një tërmet në të gjithë themelet e sistemit aktual të drejtësisë. Nëse nuk e prodhon këtë tërmet nuk është kryefjala e duhur. Kemi qenë të vetëdijshëm për vështirësinë e saj dhe për faktin që nuk ka pasur asnjëherë reformë ka ardhur sis rezultat i pengesës që ka krijuar politika, mungesë vullneti, eksperience, dije, dhe që besoj pas 25 vjetësh është një pengesë e kapërcyeshme me vullnet dhe me dijet e plota në këtë proces. Qysh në fillim kemi menduar se mund t’i sjellë vetëm ekspertiza, jo politika, është kthyer një proces që është shtrirë në kohë më shumë se një vit ka përfshirë që të gjithë, edhe ata që e mbrojnë, edhe ata që nuk flasin,e dhe ata që e godasin. Të gjitha institucionet, nga presidenti, te prokurorit, gjykata, avokat, noter, magjistratura, të gjithë kanë qenë të përfshirë në proces, kanë qenë të ftuar, kanë pasur ekspertët e tyre, pra përfshirja ka qenë e plotë. Ekspertiza e huaj ka qenë e plotë”, tha Rama.
Kryeministri tha se nuk e ka lexuar draftin e hartuar nga ekspertët e pavarur të nivelit të lartë, dhe këtë tha se e ka bërë me qëllimin për të shmangur ndërhyrjen e politikës në këtë proces të konsideruar kyc për integrimin e vendit tonë në BE. Rama tha se ndihej i suprizuar pozitivisht me dakordësinë që Partia Demokratike ndau me rekomandimet e Komisionit të Venezias, ndaj u shrpeh i bindur se në momentin e votimit të reformës pas tryezave publike që do të reflektojnë propozimet e Venezias, do të arrihet një konsensus që kryeministri e cilësoi “spektakolar”.
“Politika nuk është përfshirë në këtë proces qëllimisht. Unë nuk e kam lexuar draftin e reformës, juve besojeni ose mos e besoni, nuk jam në dijeni, qëllimisht, sepse unë kam qenë i bindur, nëse në këtë proces do të hyjë unë, do të hyjë bashkëkryetari dhe kjo ka qenë dhe bindja e tij, do të hyjmë me grupe parlamente, me deputetë, vetëm do të pengojmë, jo nga mungesa e vullnetit por nga pamundësia për të dhënë gjykime në nivelin e nevojshëm të ekspertizës. E kam thënë nuk ka konsensus politik të mundshëm për këtë reformë përveçse duke vendosur në distancë shumica dhe opozita që çelësin e konsensusit na e jep Komisioni i Venezias. PD u ndje më e lumtur se asnjëherë qëkur unë e mbaj mend në raport me diçka që i takon edhe palës tjetër dhe ju referua Venezias me superlativa që mund t’i referohesh vetëm një shpëtimtari të ardhur nga zoti. Bukuri perfekt, jemi në një fazë të re dhe kemi bërë një avancim fantastik. Kemi komisionin n e Venezias, kemi draftin, përputhim të dyja, votojmë reformën dhe bëjmë një konsensus spektakolar të pa imagjinuar në parafytyrimet e mia më optimiste. Politika nuk do shkojë në mënyrë robotike në parlament, vullneti ynë politik do të vendoset si investim i kërkuar nga publiku që na ka votuar mbi bazën e një drafti dhe dakordësie. Raporti i Komisionit të Venezias është baza“, u shpreh shefi i mazhorancës.
Rama tha se ka përpjekje për të përçarë shumicën në këtë proces, por shtoi se asnjë qëllim i tillë nuk do të ketë sukses.
“Unë besoj shumë që ne do t’ia dalim dhe asnjë përpjekje e çfarëdolloj për të carë shumicën në këtë proces nuk do të ketë sukses. E them sepse ka shumë përpjekje në këtë drejtim, nuk do të kenë sukses, reformën në drejtësi do ta bëjmë së bashku por ne si shumicë nuk do të shkelim asnjë parimësi dhe nuk do të bëjmë asnjë kompromis për të reduktuar pushtetin e drejtësisë dhe efektin tronditës që kjo reformë do të ketë. Pa një tronditje nuk ka modernizim. Ky është një pushtet i korruptuar dhe kriminal në kuptimin e plotë të fjalës. Reforma shikohet si një formë tronditëse që do të sjellë burgosjen dhe pak kush e shikon si bazën mbi të cilën do të ngrihet një sistem modern dhe i pavarur që do t’u shërbejë atyre që nuk gjejnë drejtësi për pronën e tyre“
REFORMAT
Kryeministri është ndalur te reformat e zhvilluara përgjatë vitit 2015 dhe rezultatet konkrete. Kreu i Qeverisë u shpreh se tashmë vendi ka hyrë në një fazë të ndërmjetme të projekteve të nisura në kuadër të reformave shtetndërtuese. Rama tha se rezultatet e deritanishme janë pozitive në të gjithë ata sektorë ku është ndërhyrë.
“Sot ne jemi në kushtet kur mund të themi me bindje se kemi hyrë në një fazë të ndërmjetme të projektit tonë të madhe të reformave shtetndërtuese dhe të transformimit të sektorëve të jetës së vendit në sektorë të çliruar nga kanceri që i mishte kapur dhe po i asfiksonte. Në të gjitha organet jetike të organizmit të vendit ka filluar në ndërhyrja. Edhe pse në disa pjesë, në mënyrë jo fort të dukshme, mund të themi se ka nisur një rimëkëmbje e gjithanshme. Kemi realizuar objektivin për t vazhduar rritjen e qëndrueshme dhe jemi besimplotë, se viti i ardhshëm, do të jetë viti i kapërcimit përtej 3 % të rritjes ekonomike”, u shpreh Rama.
Kreu i Qeverisë u ndal sërish tek zerimi i taksave për bizneset me xhiro deri në 50 mln lekë, si dhe tek ulja e taksave për bizneset me xhiro nga 5080 mln lekë.
“Ja kemi dalë të zerojmë taksën për bizneset e vogla me xhiro deri në 50 mln lekë, si dhe të përgjysmojmë taksën për bizneset me xhiro nga 5080 mln lekë. Kemi shlyer 600 mln dollarë borxhe të prapambetura dhe të fshehura nga qeveria e kaluar në të gjithë sektorët për punë apo shërbime të kontraktuara. Taksimi i ndershëm u ka kursyet të gjithë qytetarëve 230 dollarë në vit. Dhe nga ulja e taksave është rritur edhe paga mesatare”, tha Rama.
Duke iu referuar shifrave nga realizimi i të ardhurave, Rama tha se këtë vit janë mbledhur me shumë të ardhura se në vitin 2012 , të cilin e cilësoi si “viti i mbledhjes së të ardhurave në 8 vitet e qeverisë së shkuar”.
“Këtë vit kemi pasur një mospërputhje mes parashikimeve, planit tonë dhe të ardhurave reale, dua ta theksoj se kemi mbledhur 242 mln euro më shumë se në vitin më të mirë, viti 2012 i mbledhjes së të ardhurave në 8 vitet e qeverisë së shkuar. Mospërputhja është qartësisht e analizuar bazuar tek një sërë faktorësh.
Sot regjistrojmë biznese të reja në dy vitet e fundit, dhe ne kemi vendosur të shlyejmë çdo qindarkë përgjatë 8 viteve të shkuara. Sot kemi rimbursuar detyrimet e mbajtura me forcë si TVSh nga qeveria e shkuar. S’ka mundësi për interferenca apo kapërcime radhe në rimbursimin e TVSH”, tha Rama.
Kryeministri tha se qeveria ka në fokus transformimin e modelit ekonomik të vendit, gjë që sipas tij ka sjellë rritje të eksportit të prodhimeve bujqësore.
“Eksporti i prodhimeve bujqësore ku ne kemi vendosur një fokus të përbashkët për të transformuar modelin ekonomik, ka dhënë rezultate shumë inkurajuese.
Investimet e huaja të cilat në vitin e shkuar arritën 1.1 mld dollarë, këtë vit kanë qenë edhe më të larta, dhe kemi arsye të plota të besojmë se kemi 100 mln euro
plus investime të huaja krahasuar me vitin e shkuar”, u shpreh kryeministri.
RENDI
Kryeministri deklaroi se, “Policia e Shtetit është transformuar në një institucion që gëzon besimin në rritje të qytetarëve. Këtë vit e mbyllim me përgjysmimin e numrit të vrasjeve, ka rënie drastike të krimeve ordinere” Ka rënie në një mesatare prej 50% të numrit të vrasjeve”.
Rama: Rendi dhe siguria është tanimë në sytë e të gjithëve e vërteta se një prej institucioneve më të korruptuara dhe më të pabesueshme sipas Transparency Intertnational, policia e shtetit, është transformuar në një institucion që gëzon një besim në rritje të qytetarëve.
Faktikisht, këtë vit e mbyllim me përgjysmimin e numrit të vrasjeve dhe me një rënie drastike të numrit të krimeve ordinere. Ky është një fakt. Ky vit është viti në mënyrë absolute më i mirë në aspektin e arritjeve kundër krimit dhe kriminalitetit krahasuar me të gjitha vitet e tjera një nga një, dhe ka rënie me një mesatare prej 50 % të numrit të vrasjeve.
Komisariati dixhital është një histori e bukur suksesi dhe një bazë shumë solide për të vazhduar intensifikimin e punës së policisë në shërbim të qytetarëve, ashtu sikundër dhe një nga hapat në rrugën e një procesi inovacioni teknologjik të vazhdueshëm të policisë së shtetit.
Këto ditë, përfundon kolaudimi i projektit të kamerave në trup, të patrullave në kryeqytet, i cili do të garantojë një ndjekje në kohë reale të të gjithë aktivitetit të punonjësve të policisë që janë në terren dhe në kontakt me qytetarin, i cili do të garantojë regjistrimin dhe komunikimin në kohë reale të policisë me qytetarin, i cili do të garantojë një koordinim shumë më të shpejt dhe shumë më efikas të strukturave të policisë.
Vitin e ardhshëm, do të vendosen edhe kamerat e cilësisë së lartë, në hyrje dhe dalje të qyteteve, dhe në rrugët kombëtare të Shqipërisë, e cila do të jetë një tjetër instrument i jashtëzakonshëm për të ndjekur nga salla qendrore operative gjithçka dhe për të organizuar në kohë reale çdo lloj ndërhyrje apo mbështetje të nevojshme në raste kur kjo kërkohet.
Pa u zgjatur me tutje me shifra dhe fakte shumë kokëforta për transformimin e vazhdueshëm, nenvizoj nevojën që të vazhdojmë edhe më tutje transformimin e trupës, duke rritur kapacitetet në të gjitha aspektet të punonjësve të policisë.
Akademia e sigurisë, që është vënë në funksion të plotë, përbën një bazë shumë të rëndësishme dhe shumë mbështetëse për të shkuar përpara me këtë transformim.
STADIUMI
Kryeministri Edi Rama premtoi se kombëtarja shqiptare do të ketë një nga stadiumet më të bukur në botë. Në konferencën për shtyp me gazetarët, Rama tha se “ju që mbuloni sportin, mbani shënim: Do të ndërtojmë staidumin më të bukur në botë për kombëtaren, skuadrën që është kualifikuar në finalet e kampionatit europian Euro 2016”.
REFORMIMI I TELEVIZIONIT PUBLIK SHQIPTAR
Rama: Nuk jam shikues i Televizionit Publik Shqiptar, nuk e kam në pasqyrën e shtypit sepse ndihem shumë në vështirësi me të gjtihë ata që paguajnë taksa për TVSH, sepse është struktura më e prapambetur por njëkohësisht dhe më e paguar e botës së medias. Televizione me shumë më pak para dhe investime bëjnë audiencë shumë të lartë dhe ky është fakt. Nuk ka asnjë përgjegjësi që të kritikoj askënd në atë strukturë për sa kohë përgjegjësia dhe kritika duhet t’i shkojë vetëm kësaj shumice qeverisëse dhe po të doni edhe mua vet me bashkëkryetarin, si të doni. Kemi votuar një ligj absurd, për një konsensus absurd për të drejtuar një ndërmarrje, është ndërmarrje publike që ka mision shumë të madh, informimin e publikut bazuar në interesin e publikut. Këtu ose duhet të gjejmë Ban Ki Moon-in, ose nuk gjejmë dot drejtorin njësoj si të kërkonim një sekretar të përgjithshëm të OKB, kjo është absurditet. Nuk kemi dashur të ndërhyjmë të ligji, kemi votat për ta bërë, por kemi dëshiruar ta kërkojmë këtë konsensus deri përtej arsyes, nuk e kemi gjetur dy vjet. Atëherë ka dy rrugë, ose biem dakord e t’i japim zgjidhje ose ndryshojmë ligjin. Ne nuk do presim përtej janarit, ska më kohë. TVSH kërkon një reformë rrënjësore, njësoj si të gjithë institucionet e tjera.