Zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, tha në një lidhje me “Skype” në emisionin “Real Story”, në News24, se nuk duhen stigmatizuar viktimat e dhunës në familje, pasi ndoshta e gjithë shoqëria është fajtore për këtë fenomen.
“Nuk duhen stigmatizuar viktimat e dhunës në familje. Ndoshta jemi dhe ne pak fajtorë për këtë fenomen, që vazhdon akoma edhe në 2020. Ne kemi pilotuar një formë risku, pra ka një vlerësim risku të policisë, por unë mendoj se nuk i përket vetëm policisë kjo çështje. Ne e dimë se agresori është futur në burg dhe pasi ka dalë ka kryer një krim, që ka tronditur vendin. Ne duhet të kuptojmë se si i rezistojmë dhunës në familje si shoqëri”, tha zv.ministrja.
Më tej, zv.ministrja Kuko u shpreh se policia po e bën punën siç duhet, duke parandaluar shumë ngjarje kriminale në ditë, por që nuk i bën të gjitha publike.
“Harta e kriminalitetit në përgjithësi ekziston, dhe jo vetëm për dhunën në familje. Për të parë trendin social në hartë, është shumë e rëndësishme të shohësh se si variojnë, në një qytet ke një krim, në një qytet tjetër ke prevalencë të një krimi tjetër. Në çdo zonë policore ne kemi specialistë të zonës, në mënyrë që ata të njohin kriminalitetin e zonës, por edhe njerëzit. Dua të përmend një fakt, se ne shohim vetëm pjesën e krimeve që ndodhin, por e keni pyetur veten sa raste policia parandalon gjatë një dite në territor.
Nëse lexojmë komunikatat e policisë, shihet se policia e kryen punën në heshtje, nuk ka nevojë të dalë e thotë që sot ka parandaluar 100 krime në Shqipëri. Pjesa e parandalimit të krimit është konstrukt social, që fillon me fashën e ndërgjegjësimit nëpër shkolla, në komunitet. Policia nuk mund të parandalojë, por ajo që parandalon është shkolla, shërbimi social”, u shpreh ajo.