Kreu i SPAK, Altin Dumani po zhvillon një bashkëbisedim ‘off records’ me gazetarët, ku po bën edhe një ‘bilanc’ të punës. Dumani është shprehur se prokurorët e posaçëm kanë pasur një periudhë të ngarkuar me hetimet e reja dhe dosjet e vjetra.
Ndalur tek krimet zgjedhore, Dumani është shprehur se kanë qenë të fiksuar nga muaji mars deri në fund të procesit zgjedhor të 11 majit.
Në total Dumani thotë se në SPAK kanë mbërritur 193 kallëzime për krime zgjedhore, 53 nga të cilat nga subjektet politike.
“Strategjia ka pasur efekt parandalues, por edhe bashkëpunim. Lidhur me statistikat dhe të dhënat mund t’i sjell para jush 193 materiale të administruara, 35 nga policia e shtetit, 80 nga qytetarët. Kallëzime nga persona juridikë 16 materiale Nga 43 procedime të regjistruara një është dërguar për gjykim. Mbeten nën hetim 39 procedime penale Janë lëshuar nga gjykata 17 kontrolle banesash personale ku është bërë e mundur të gjenden prova materiale.
Edhe pse periudha zgjedhore ka përfunduar, prokurorët kanë në prioritet këto hetime. Janë 43 materiale mosfillimi që u janë komunikuar denoncuesve. Vetëm tre prej tyre janë ankimuar në gjykatë, ku gjykata ka gjetur të drejta vendimet e mosfillimit nga prokurori. Gjej rastin të falënderoj prokurorët që kanë kryer çdo veprim të mundshëm. Tipologjia e kallëzimeve nga subjektet politike, një nga këto ka qenë shpërdorimi i asfaltit elektoral.
Të gjitha kallëzimet janë verifikuar dhe nuk janë kundërshtuar në gjykatë kur janë mosfilluar. Publikimet në kundërshtim me ligjin, përdorimi i administratës, kallëzimet kanë qenë thjesht vetëm formale dhe nuk kanë plotësuar elementët”-është shprehur Dumani.

