Një tjetër ngjarje e rëndë trondit vendin e kryeqytetin. Një amerikan mbyti me litar bashkëshorten e tij këtë të hënë në shtëpinë e tyre në Tiranë. Pas saj mbyti edhe dy qentë e familjes e më pas u vetëvra, po me litar.
Viktimat janë Indah Lilis Sartika Saragih dhe Matthew James Wertz, 55-vjeç. Ky i fundit punonte si pedagog në një shkollë private në kryeqytetin shqiptar.
Ishte drejtori i shkollës në fjalë i cili gjeti trupin e pajetë të pedagogut, pasi ky i fundit nuk kishte shkuar në punë.
Më pas në vendngjarje shkoi policia, e cila zbuloi trupin e pajetë të bashkëshortes së tij me origjinë nga Indonezia, por me pasaportë amerikane.
Pasi mbyti gruan, Matthew James Wertz e mbuloi trupin e saj me rroba dhe sipër tyre vendosi 2 qentë e vrarë. Paraprakisht dyshohet që ngjarja të ketë ndodhur në kushte depresioni, por kjo është pistë paraprake dhe po hetohet nga policia.
Çifti amerikan jetonte në një shtëpi në kryqëzimin e rrugës “Valbona” me rrugën “Ramazan Ceku”.
/a.r