2020-a ishte një vit reformash të mëdha për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). Prej fillimvitit 2020, OSHEE Group Sh.A., u shndërrua në Korporatën e parë Publike Shqiptare, duke pasur në pronësi 3 shoqëri, Furnizuesin e Shërbimit Universal, Furnizuesin e Tregut të Lirë dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).
Të tria kompaninë kanë filluar të operojnë si të veçanta nga 1 janari 2020, pas ndarjes së funksioneve.
Adrian Çela, administrator i “OSHEE Group”, pohon se modeli i përzgjedhur si “OSHEE Group”, rezultoi gjatë zbatimit si strukturë e suksesshme, jo vetëm për të siguruar vijimësinë e aktiviteteve të grupit, por gjithashtu për të përballuar edhe situata të jashtëzakonshme, si “pandemia” apo “thatësira”, efektet e të cilave janë ndier edhe në shoqëri të tjera, jo vetëm në sektorin energjetik.
Çela shton se parashikimet për rritjen e jashtëzakonshme të çmimeve në tregun e energjisë gjatë pjesës së mbetur të vitit pritet të rrisin kostot e blerjes së energjisë dhe ndikimin në performancën financiare të shoqërisë.
Për herë të parë në vitin 2020, filloi operimi i tre kompanive të ndara në pronësi të “OSHEE Group”. Si ka qenë ecuria e tyre dhe çfarë sinergjie do të sjellë ndarja e kompanive?
Ndarja e shoqërive, duke ushtruar funksione të pavarura nga njëra-tjetra, është një ndër reformat kryesore më të mëdha të realizuara në sektorin e energjisë. Dua të theksoj se modeli i përzgjedhur si “OSHEE Group”, rezultoi gjatë zbatimit si strukturë e suksesshme, jo vetëm për të siguruar vijimësinë e aktiviteteve të grupit, por për të përballuar edhe situata të jashtëzakonshme, si “pandemia” apo “thatësira”, efektet e të cilave janë ndier edhe në shoqëri të tjera, jo vetëm në sektorin energjetik.
Gjatë 2020-s, i cili ishte viti i parë i aktivitetit, pavarësisht pandemisë, të tria shoqëritë në veçanti, ashtu dhe në grup, arritën të performojnë pozitivisht, duke realizuar objektivat e përcaktuara, për tejkalimin e situatës së vështirë në vend.
Sa i takon procesit të ndarjes në vetvete, më lejoni të shpjegoj si u realizua zbatimi i strukturës së re. Në kuadër të procesit të ndarjes së Shoqërisë OSHEE sh.a., si një detyrim ligjor në kuadër të reformës në sektorin e energjisë, OSHEE ka vijuar me procesin e ndarjes së shoqërisë më 1 janar 2020. Aktualisht, shoqëritë bija operojnë në mënyrë të pavarur, me këshillat e tyre të administrimit dhe Asamblenë e Përgjithshme, referuar legjislacionit për shoqëritë tregtare.
Ndërkohë që secila prej shoqërive bija operon në mënyrë të pavarur, për të përmbushur objektin kryesor të aktiviteteve të tyre, OSHEE Group sh.a., në kuadër të marrëveshjeve të shërbimit (SLA) ofron shërbime administrative si: të Burimeve Njerëzore, Ligjore, Mbështetëse, Shërbimet IT, Shërbimet Ekonomike, etj., duke ndihmuar në optimizimin e kostove.
Të qenët brenda një grupi nxori në pah faktin e ndërveprimit eficient mes shoqërive, duke sjellë, në tërësi, një mirëmenaxhim të disa sfidave njëherësh, gjithnjë duke pasur parasysh, operimin në kushtet e pandemisë dhe thatësirës.
Sa janë ndikuar kompanitë e “OSHEE Group” nga pandemia e vitit 2020? Sa i ndikoi planet tuaja për investime? Cili ishte reagimi juaj ndaj kësaj situate?
Edhe në kushtet e vështira të pandemisë së COVID-19, shoqëria OSHEE arriti të sigurojë furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike dhe me parametra cilësorë për konsumatorët gjatë gjithë vitit 2020 dhe veçanërisht në periudhën e mbylljes thuajse totale të të gjithë aktiviteteve në Shqipëri.
Pavarësisht përpjekjeve të jashtëzakonshme të menaxhimit të shoqërisë, vështirësitë e krijuara sollën pasoja në:
- Uljen e të ardhurave për njësi të shitur, për shkak se ndryshoi struktura e shitjes (klientët familjarë, të cilët kanë çmim të ulët rritën konsumin dhe bizneset, të cilat kanë çmim më të lartë, ulën konsumin).
- Uljen e çmimit mesatar të shitjes së energjisë, nga 11.02 Lekë/KWh në 10.8 Lekë/KWh.
- Uljen e normës së arkëtimit të të ardhurave nga 97.5% në vitin 2019 në 93.4% në vitin 2020.
Investimet e realizuara, kryesisht si pasojë e pranisë së ulët të punonjësve në punë, ishin rreth 51% e atyre të planifikuara.
Si ka qenë ecuria e kompanive të grupit në pjesën e deritanishme të 2021?
Periudha 7-mujore e vitit 2021, kur furnizimi me energji elektrike nga KESH dhe çmimet në tregun e energjisë ishin normalë, përmirësoi ndjeshëm performancën e shoqërisë, me një fitim prej rreth 2.7 miliardë lekësh.
Humbjet në rrjetin e energjisë janë ulur sipas parashikimit dhe pritet të jenë mesatarisht 20.5% për vitin 2021, kurse norma e arkëtimit është përmirësuar në nivelin e planifikuar prej 95%. Megjithatë, parashikimet për rritjen e jashtëzakonshme të çmimeve në tregun e energjisë gjatë pjesës së mbetur të vitit pritet të rrisin kostot e blerjes së energjisë dhe ndikimin në performancën financiare të shoqërisë.
Si po ecën liberalizimi i tregut të energjisë? Si e vlerësoni daljen e subjekteve të lidhura në tensionin 35kv? Kur pritet të fillojë dalja e subjekteve të lidhur në tensionin 20kv?
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike për subjektet e lidhura në 35 KV ka përfunduar. Ai është menaxhuar, duke iu ofruar mbështetje çdo furnizuesi dhe konsumatori të lidhur në 35 KV. Hapi i radhës do të jetë përfshirja në këtë proces të klientëve/konsumatorëve në nivel tensioni të mesëm, të cilët me mbarimin e fazës së parë, janë pajisur me sistem matje inteligjente.
Rreth 700 konsumatorë në rrjetin e tensionit të mesëm (20/10/6 kV) janë pajisur me sistem matjeje inteligjente. OSSH SH.A. / OSHEE GROUP po punon të krijojë të gjithë infrastrukturën teknike, “softuerike” për të mundësuar dhe për të menaxhuar me standarde të larta këtë proces. Sistemi i matjes inteligjente do të shtrihet shumë shpejt dhe në konsumatorë të nivelit 0.4 kV, numri më i madh i të cilëve u përket konsumatorëve familjarë dhe biznese të mesme e të vogla.
Si ndikon tek OSHEE krijimi i bursës së energjisë? Çfarë avantazhesh sjell për tregun e energjisë?
“OSHEE Group” dhe më konkretisht FTL Sh.A. (Furnizuesi i Tregut të Lirë) është aktori kryesor në shitblerjen e energjisë në tregun e lirë, duke blerë energji elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, për plotësimin e kërkesës së pambuluar për klientët fundorë të FSHU-së, si dhe blerjen e energjisë nga prodhuesit me Përparësi të energjisë elektrike dhe rishitjen e tepricës së kësaj energjie në treg të lirë.
Të gjitha këto procese, që sot zhvillohen bazuar në procedura dhe kontrata bilaterale, me hapjen dhe zhvillimin e bursës së energjisë, do të operohen në këtë platformë.
Bursa e energjisë është një aktivitet, i cili do të menaxhohet nga Operatori i Tregut, pjesë e OST Sh.A. Strukturat tregtare të Grupit OSHEE, që do të marrin pjesë në Bursën e energjisë, do të ndikojnë në rritjen e transaksioneve dhe në finalizimin e një çmimi sa më konkurrues të shitblerjes së energjisë. Bursa, në vetvete, do të ndikojë në rritjen e pjesëmarrjes në tregun e shitblerjes së energjisë, si dhe në një transparencë më të madhe të çmimeve për njësi.
Gjithsesi, procedurat që ndjekin sot FTL/OSHEE janë tërësisht transparente, bazuar në platformën online dhe në të cilat ka më shumë se 10-15 shoqëri ofertuese.
Në vitin 2019 u prokurua një procedurë e njohur si “Asistencë Teknike për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë, Elektrike, Operatorin e Sistemit të Transmetimit mbi vendosjen e Strategjisë së Matjes dhe Politikave Standarde në Sektorin Energjetik Shqiptar”. A ka përfunduar ky projekt dhe cilat janë përfundimet që u nxorën sa i takon OSHEE lidhur me uljen e humbjeve, arkëtimet, si dhe raportin kosto-përfitim të zëvendësimit të matësve induktivë me matës të rinj elektronikë dhe përfshirjen e mundshme të një PPP-je?
Projekti si shërbim konsulence është përfunduar. Projekti rekomandon skenarin më të mirë, i cili konsiston në uljen e humbjeve, menaxhimin e tregut të lirë, rritjen e të ardhurave dhe uljen e kostove.
Vizioni i “OSHEE Group” është në linjë me strategjinë e matjes, duke filluar shumë shpejt me hapin e parë – matje inteligjente në 25000 kabinat dhe duke vijuar më pas në konsumator fundor. Aktualisht, me sistem matje inteligjente, janë instaluar të gjithë konsumatorët e lidhur në tension të mesëm.
FTL, gjatë këtij viti, u angazhua edhe me procedura të shitjes së energjisë për tepricat që rezultonin nga prodhuesit me përparësi të energjisë. Si e vlerësoni etapën e re të kësaj kompanie, pjesë e OSHEE, që e kthen kompaninë, jo vetëm në shitës tek konsumatori fundor me çmime të rregulluara, por edhe në treg të lirë?
Duke qenë se për shkak të kushteve klimatike, në periudha të lagështa të vitit, janë krijuar teprica të energjisë elektrike të prodhuara nga hidrocentralet (prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike), shoqëria “Furnizuesi i Tregut të Lirë” SH.A. / OSHEE GROUP, bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave, Nr. 244, datë 30.03.2016, “Kushtet për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik, që do të zbatohen ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike, të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike” i ndryshuar, ka shitur në treg të lirë / të parregulluar këto teprica, pas mbulimit të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes.
Shitja e tepricave do të realizohet nga shoqëria “Furnizuesi i Tregut të Lirë” SH.A. / OSHEE GROUP deri në krijimin e Operatorit të Energjisë së Rinovueshme.
Cilat janë planet e grupit në drejtim të investimeve dhe uljes së humbjeve?
Vizioni i “OSHEE Group” është në linjë me strategjinë e matjes, duke filluar shumë shpejt me hapin e parë – matje inteligjente në 25000 kabinat të cilat kanë ndikim të matshëm, me reduktim të humbjeve me 1.5% të energjisë në rrjet, dhe duke vijuar më pas në konsumator fundor. Për rrjedhojë, në planin e investimeve 2021 kemi rialokuar buxhet në Sistemin e Matjes.
Aktualisht, me sistem matje inteligjente, janë instaluar të gjithë konsumatorët e lidhur në tension të mesëm. Gjithashtu janë marrë dhe hapa konkretë në ndërhyrjen e nyjeve turistike, për të ulur humbjet e shkaktuara gjatë periudhave të konsumit maksimal në muajt e verës./ Monitor