Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të enjten se presidenti rus Vladimir Putin “besonte se do të pushtonte Ukrainën”, por “ai dështoi”.
“Ai besonte se do të na ndante; ai dështoi. Ai besonte se do të dobësonte marrëdhëniet transatlantike dhe dështoi. Tani ai duhet të ndalet,” shtoi ai ndërsa fliste me gazetarët teksa po hynte në një samit të liderëve të BE-së në Versajë të Francës.
Borrell tha pasi vendet evropiane ulin varësinë nga eksportet ruse të energjisë, “ne do të jemi shumë më të sigurt. Duhet të shpenzoni më pak gaz, të përdorni më pak gaz, klima e kërkon këtë. Për një herë, gjeopolitika dhe klima shkojnë së bashku.”
Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u tha gazetarëve se ky ishte “një moment përcaktues për Evropën dhe është një moment kur ne shohim se lufta e Putinit është një çështje e qëndrueshmërisë së demokracive”.
Në samitin në Versajë, “ne do të rimendojmë mbrojtjen evropiane me aftësi të forta. Ne do të rimendojmë energjinë. Ne duhet të heqim qafe varësinë e karburanteve fosile ruse dhe për këtë ne kemi nevojë për investime masive në burimet e rinovueshme”, shtoi ajo./m.j











