Në krizën e Ukrainës Kremlini mbështetet tek furnizimet me gaz duke e përdorur këtë edhe si armë politike. Cila është dominanca e koncernit energjetik rus Gazprom në Europë?
Gazpromi po ecën mirë, madje shumë mirë. Kreu prej shumë vitesh i koncernit energjetik rus, Alexej Miller, në fillim të janarit deklaroi se 2021 ka qenë një vit rekord për Gazpromin, si sa i përket përftimit të energjisë ashtu edhe fitimeve.
Kërkesa në rritje dhe rritja eksplozive e çmimeve për gazin dhe naftën për këtë sipërmarrje nënkuptojnë, që paraja rrjedh. Aksionerët e Gazpromit kanë arsye të gëzohen. Shteti rus kontrollon shumicën e aksioneve dhe përcakton kursin e sipërmarrjes. Por aksione të Gazpromit kanë edhe sipërmarrjet gjermane, si furnizuesi i energjisë E.ON dhe shumë aksionerë të tjerë të vegjël.
Lidhjet e koncernit me Kremlinin janë mjaft të ngushta. Kryetari i kryesisë së Gazpromit, Alexej Miller është një mik i vjetër i presidentit të Rusisë Vladimir Putin, pra pothuajse gjithmonë në tryezën e këshillit mbikqyrës të koncernit dhe të kryesisë së Gazpromit është njësoj sikur Putin të jetë i pranishëm aty. Sipërmarrja është më e madhja në botë për nxjerrjen e gazit, ka gati 500.000 punonjës dhe sipas të dhënave të veta posedon edhe rezervat më të mëdha të gazit të Rusisë në mbarë botën.
Gazprom dominon eksportin
Dominanca e Gazpromit në tregun në Europë buron nga një monopol. Vetëm Gazpromi lejohet sipas legjislacionit rus që të menaxhojë linjat e gazsjellësit. Si rrjedhojë prej dekadash firma është furnizuesja më e madhe në BE.
Rreth 43 përqind e gazit natyror, që konsumohet në BE, vjen nga Rusia. Pjesa tjetër vjen nga Norvegjia, furnizimet me gaz të lëngshëm nga Lindja e Mesme dhe SHBA-ja si dhe nga Algjeria e Libia, njofton Enti i Statistikave të BE Eurostat.
Kuota në treg e gazit rus në vendet anëtare të BE-së është shumë e ndryshme. Si rregull bazë vlen: sa më në lindje as më në varësi janë shtetet. Gjermania është konsumatorja më e madhe në BE, duke përftuar rreth 55 përqind të gazit të vet nga gjiganti rus i energjetikës.
BE do të krijojë treg të përbashkët
“Gazprom e shfrytëzon dominancën në treg, duke influencuar çmimet me sasinë e gazit që furnizon në Europë”, thotë eksperti i energjetikës Georg Zachmann nga Institut think tank për Politikën Ekonomike “Bruegel” në Bruksel.
Dekadat e kaluara BE-ja është përpjekur përmes rregullimeve që të konsolidojë një treg gazi relativisht të unifikuar në Europë. Mbi bazën e kësaj rregulloreje Gazprom furnizon deri në pikat e tranzitit në kufijtë e jashtëm të BE-së, e pastaj gazi tregtohet midis vendeve anëtare. Në këtë mënyrë p.sh. Gjermania mund të blejë gaz nga Rusia dhe ta përçojë atë më tej në Poloni apo edhe në Ukrainë. Interesi i Gazpromit është në të kundërt, që të kontraktojë direkt me marrësit, për të ruajtur varësinë në një nivel të lartë.
“Kjo është një lloj gare mes rregullatorit europian, që përpiqet të krijojë një treg të përbashkët me çmime të njësuara dhe Gazpromit, që përpiqet të aplikojë çmime të ndryshme në vende të ndryshme”, thotë për DW eksperti i energjetikës Georg Zachmann.
Dyshime ndaj kredibilitetit
Ndërsa Gazpromi insiston, që edhe këtë dimër u është përmbajtur të gjitha marrëveshjeve afatgjata për furnizimin, Georg Zachmann vëren, se Gazpromi ka furnizuar më pak gaz në treg me kontratat afatshkurtëra. “Gazprom u përmbahet kontratave të veta, kjo është e drejtë, por gjithmonë vetëm në nivelin më të ulët të premtimeve”, deklaroi së fundi presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen. Të tjerë ofrues të gazit në treg në sfondin e rritjes së vrullshme të kërkesës dhe çmimeve rekord i kanë rritur dukshëm furnizimet e tyre.
Vitet e kaluara tregu afatshkurtër është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm, shpjegon Zachmann, sepse është synuar pikërisht shkëputja nga varësitë afatgjata prej Gazpromit. Presidentja e Komisionit të BE-së von der Leyen e quan të „habitshëm” komportimin në biznes të firmës Gazprom, sepse pavarësisht rritjes së kërkesës nuk po ofrohet më gaz. Firma, që i përket shtetit rus, në këtë mënyrë i nxit vet dyshimet për besueshmërinë ndaj saj”, i tha von der Leyen gazetës “Handelsblatt”.
Në rrjet me shumë firma
Gazprom është jo vetëm furnizuesi më i rëndësishëm në tregun europian të gazit, por luan rol edhe në rezervimin dhe shpërndarjen, që janë të rëndësishme për sigurinë e furnizimit. Pothuajse në të gjitha vendet e BE-së Gazprom është pjesëmarrës tek furnizuesit lokalë dhe rajonalë.
Në Gjermani p.sh. filiali i Gazpromit, Astora, në Rehden të Saksonisë së Ulët posedon rezervuarin më të madh nëntokësor të gazit në Europën Perëndimore, që konsiderohet si rezerva për kompensim në rast të luhatjeve mes kërkesës dhe ofertës.
Niveli i rezervave të depozitave të gazit është historikisht i ulët. Nëse Gazprom në valën e një krize politike merr udhëzim nga Kremlini, që të mos furnizojë më me gaz, kjo mund ta vështirësojë situatën me furnizimet në Europë.
Presidentja e Komisionit të BE-së von der Leyen nuk mendon, se kjo do të ndodhë. Tek e fundit ekonomia e Rusisë e fokusuar tek eksportet e energjisë është e varur prej Europës si klientja dhe investitorja më e madhe e saj.
Por sidoqoftë BE-ja bashkë me SHBA-në po përpiqet për më shumë furnizime me gaz të lëngshëm (LNG) nga Katari ose SHBA-ja, i tha von der Leyen gazetës “Handelsblatt”. Të hënën (07.02) në Uashington do të negociohet sërish mes BE-së dhe qeverisë së SHBA-së.
Gabim strategjik?
Ekonomistja në fushën e energjetikës Claudia Kemfert nga Insitutit gjerman për Studimet Ekonomike (DIW) mendon, se Gjermania me linjën e re gazsjellëse Nordstream 2, që furnizohet gjithashtu prej Gazpromit, do të bëhej edhe më e varur prej furnizimeve direkte nga Rusia. “Europa ka ndjekur strategjinë e diversifikimit të furnizimeve me gaz. Vetëm Gjermania ka ndjekur rrugën e kundërt dhe e ka rritur varësinë. Tani po ndihet pasoja”, i tha DW-së Kemfert. Sipas mendimit të saj nuk duhej të miratohej shitja e depozitës së gazit, ose të paktën kjo do të duhej të ishte rregulluar. Pikërisht si me naftën nevojiten rezerva strategjike edhe të gazit.
BE-ja po mendon tani, që të krijojë rezeva të tilla dhe të prezantohet më shumë se deri më sot si një kliente e vetme e blerjes së gazit. Gazpromi përpiqet ta devijojë këtë strategji dhe disa shtete të BE-së i shkojnë pas kësaj taktike. Hungaria sapo nënshkroi një kontratë ekskluzive me Gazpromin dhe mori për këtë çmime të favorshme.
Eksperti i energjetikës Georg Zachmann nga Instituti “Bruegel” nuk është shumë optimist, që BE-ja do të mund të bëjë diçka kundër dominancës së Gazpromit: “Me atë që i ka të gjitha levat në dorë mund të negociosh sa të duash e si të duash. Por nëse rubineti i gazit mund të mbyllet nga Moska, atëherë ne jemi në një pozicion të keq negocijimi.”
Klientë jo vetëm në Europë
Për Alexej Miller, kreu i Gazpromit, biznesi me Europën është vetëm një pjesë e suksesit. Gazpromi, sipas të dhënave të veta, do të ngjitet në nivelin e koncernit kryesues të energjisë në botë. Kjo sipërmarrje operon jo vetëm me gazin, por edhe me naftën e prodhon edhe energji.
Pikërisht presidenti Putin në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin skicoi me udhëheqjen kineze një biznes të madh të furnizimit me gaz. Edhe SHBA është ndër klientët e Gazpromit. Amerikanët më 2020 kanë marrë tetë përqind të importeve të naftës nga Rusia. Kjo është më shumë se sa ka furnizuar aleatja Arabia Saudite në SHBA./ DW
g.kosovari