Fondi Kombëtar i Garancisë në Bujqësinë, një projekt i Qeverisë shqiptare me Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH) që nisi në fillim të vitit 2016, ka përmirësuar aksesin e sektorit të bujqësisë për kredi nga bankat tregtare. Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë, rezulton se në fund të muajit shkurt 2018, portofoli total i kredisë vetëm nga bankat për bujqësinë shënoi vlerën 5.2 miliardë lekë ose rreth 40 milionë euro.
Ndërkohë që përmes një fondi garancie prej 75 milionë euro, fermerëve u është krijuar akses në kredi nga bankat tregtare për një shumë prej rreth 300 milionë euro.
Fondi Kombëtar i Garancisë në Bujqësinë, është një mekanizëm tjetër që i adreson qeveria mbështetjes financiare të bujqësisë, krahas skemave të mbështetjes financiare ose subvencioneve që këtë vit llogarit fondin 20 milionë usd dhe programit IPARD II me vlerë 94 milionë euro, grante për bujqësinë dhe agrobiznesit shqiptar.
Ekspertët e bujqësisë shprehen se, për herë të parë këtë vit, i ofrohet një financim kaq i madh sektorit të bujqësisë, ndaj puna jonë thonë ata, është fokusuar në përmirësimin e kapaciteteve, rritjen e konkurueshmërisë, kooperimit dhe formalizimin e biznesit rural, për t’u përthithur këto financime nga fermerët dhe agrobiznesi.











