Numri i familjeve të pastreha që kanë aplikuar që në Bashkinë e Tiranës për të përfituar kredi të butë është rreth 1300. Ndërkohë që sipas të dhënave nga bashkia, aplikimi vijon në të gjitha njësitë administrative të kryeqytetit. Aplikimi këto dy muajit e fundit është rritur ndjeshëm, për shkak edhe të lajmit të mirë që ka dhënë kryebashkiaku i Tiranës, se në buxhetin e vitit që vjen do të llogaritet që fond prej 1 milion dollarë për të mundësuar dhënien e një kredite të butë për rreth 2 mijë familje të pastreha. Qytetarët aplikimin fillestar e bëjnë pranë njësisë së tyre administrative, duke plotësuar formularin si të pastrehë dhe më pas duhet të plotësojnë një sërë dokumentesh. Parësore është që këto familje nuk duhet të kenë në pronë apartament.
Ndërkohë që duhet të plotësojnë edhe një kufi minimal dhe maksimal të ardhurash, të cilat vërtetohen me dokumentet përkatëse, shoqëruar edhe me vërtetimin nga Drejtoria Rajonale Tatimore për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ndërkaq, përparësi në dhënien e kredive të buta me interes 3% për familjet e pastreha janë edhe kategoritë në nevojë, si familjet që kanë anëtarë persona me aftësi të kufizuar, gratë e dhunuara, apo të divorcura që kanë në ngarkim fëmijë etj. Për çdo kategori, në tabelën bashkëngjitur shkrimit ju mund të gjeni dokumentacionin që duhet të dorëzoni për të përfituar nga ky program strehimi.
KREDIA E BUTË & PROCEDURAT
Strehimi social mbetet një ndër problemet më të mëdha të kryeqytetit. Edhe pse në Tiranë janë ndërtuar me mijëra apartamente, numri i të pastrehëve llogarite në mbi 15 mijë, për shkak të pamundësisë që kanë për të përballur kostot për të blerë një apartament. Bashkia e Tiranës në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm për strehimin social dhe posaçërisht për kreditë e buta do të ketë një fond prej 1 milion dollarësh në dispozicion. Kjo procedurë ka mbi dy vite që është bllokuar për shkak se qeveria nuk ka fonde për ta përballur. Por, Veliaj ka garantuar qytetarët se bashkia e ka “shëndoshur” buxhetin dhe do ta hapë këtë program më vete.
“Duke filluar nga viti tjetër, Bashkia e Tiranës do të vendosë një milion dollarë për dhënien e 2 mijë kredive të buta, çka do të bëjë të mundur që bankat të gjenerojnë mbi 60 milionë dollarë në tregun imobiliar, kurse 2 mijë familje të reja do të marrin apartamentin e tyre në Tiranë, ndonëse qeveria qendrore e ka pezulluar programin e kredive të buta për shkak të abuzimeve që kanë ndodhur në të kaluarën, ku deputetë dhe drejtorë të rëndësishëm merrnin kredi të buta. Bashkia e Tiranës, duke qenë se i ka sistemuar financat e veta, do ta fillojë e pavarur nga qeveria qendrore projektin e kredive të buta. Nga viti tjetër, nëse një çift i ri dëshiron të blejë një shtëpi në Tiranë, do të mund të aplikojë për kredi të butë në Bashkinë e Tiranës”, ka theksuar kryebashkiaku Erion Veliaj më 1 shtator të këtij viti.
Ndërkohë që në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë së Tiranës vijojnë aplikimet e familjeve të pastreha, të cilat aplikojnë për kredi të butë. Sipas të dhënave të bashkisë, deri më tani janë 1300 aplikime, por nga dita në ditë po vijnë duke u shtuar. Më tej, dokumentet e familjeve verifikohen nga specialistët e Drejtorisë së Strehimit. Dhe ata që plotësojnë kriteret dërgohen për miratim në këshill bashkiak.
NIVELI I TË ARDHURAVE
Familjet që të përfitojnë nga ky program nuk duhet të kenë banesë në pronësi si dhe të plotësojnë nivelin e të ardhurave. Niveli i të ardhurave që duhet të plotësojnë personat që aplikojnë duhet të jetë në kufijtë: 31.618 lekë-52.684 lekë për familjet nga 1-2 persona; 42.593 lekë- 67.72 lekë për familjet e përbëra nga 3 persona; 55.055 lekë-86.153 lekë për familjet e përbëra nga 4 persona; 69.748 lekë-109.875 lekë për familjet e përbëra nga mbi 5 persona.
DOKUMENTACIONI QË DUHET PËR TË APLIKUAR PËR KREDI TË BUTË
Certifikata e lindjes së aplikantit dhe certifikata e gjendjes familjare.
Vërtetimi vendbanimin në bashki.
Vërtetimi i të ardhurave neto dhe bruto, (vërtetim punësimi), shoqëruar me vërtetimin nga Drejtoria
Rajonale Tatimore për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Vërtetimi nga ZRPP se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis, që mund të përdoret si e tillë.
Vërtetimi nga ZRPP të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret
edhe për strehim, për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi, për të gjithë
anëtarët e familjes.
Dokumenti zyrtar i celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për
çiftet e reja.
Dokument nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve për të gjithë anëtarët e vetëpunësuar të familjes.
DOKUMENTET SHTESË QË KËRKOHEN PËR FAMILJET QË KANË PERSONA ME AFTËSI TË KUFIZUAR, GRATË KRYEFAMILJARE, GRATË E DHUNUARA, ETJ.
Dokumentet shtesë që kërkohen për familjet që kanë persona me aftësi të kufizuar në familje, gratë kryefamiljare, gratë e dhunuara etj.
Vërtetimi nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të qeverisjes vendore për anëtarë të përshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar.
Vërtetimi nga zyra e punës e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.
Vërtetimi nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.
Vërtetimi nga ZRPP se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis, që mund të përdoret si e tillë. Vërtetimi nga ZRPP për sipërfaqen e pronës që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat nën fuqi të strehimit.
Vërtetimi nga ZRPP të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi, për të gjithë anëtarët e familjes.
Vendimi i gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra e përmbarimit për masën e pensionit që përfitojnë për fëmijët.
Vërtetimi përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit.
Vërtetim nga komisioni mjekësor për përcaktimin e aftësisë së kufizuar, për individë me aftësi të kufizuar.
Nëse jetoni në një banesë me kushte jo të mira ose që rrezikon shembjen, kopja origjinale e vërtetimit e lëshuar nga shërbimet teknike të bashkisë.
Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe azilkërkues.
Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës etj.
Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës në familje.
Urdhri i mbrojtjes i lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, seksioni familjar (fotokopje e njehsuar
me origjinalin).
Vërtetim i marrë nga Qendra Kombëtare e Shërbimit të Përkujdesit Shoqëror për viktimat e dhunës në familje, e ngritur nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Vërtetim nga strukturat e shërbimit social, qendrave sociale dhe rehabilitimit për viktimat e dhunës pranë njësive të qeverisjes vendore.
BW/d.i.