Kredia e butë e bashkisë së Tiranës është parë nga qindra familje të reja si një mundësi e mirë për të filluar jetën me një strehë të sigurt mbi kokë. Diskutimet për hapjen e këtij programi nga Bashkia e Tiranës kanë nisur publikisht rreth 6 muaj më parë por zyrtarisht bashkia e Tiranës bëri thirrje publike ndaj qytetarëve që më 8 maj të aplikojnë në zyrat e saj për të qenë përfitues.
“Zyrtarisht thirrja për subvencionimin e interesave të kredive të buta kanë nisur në 8 Maj, dhe përgjatë gjithë muajit deri më 8 Qershor, të interesuarit duhet ti drejtohen njësive administrative për plotësimin e formularit të strehimit dhe më pas për plotësim të dokumenteve për ti dorëzuar pranë pritjes së qytetarëve në bashkinë Tiranë.”
Por çfarë do të ndodhë me ato familje që kanë aplikuar para datës 7 Mars? A kanë aplikuar ato në programin e duhur dhe çfarë duhet të bëjnë që të jenë pjesë e programit të bashkisë? Drejtoresha e Strehimit në Bashki, Anisa Ruseti informon qytetarët.
“Për të gjithë ata që kanë aplikuar pas datës 7 Mars duhet të plotësojnë tek njësitë administrative, një kërkesë e cila tregon që dosja e tyre duhet të kalojë tek ky program i bashkisë. Personat që kanë aplikuar para datës 7 Mars do duhet ta quajnë këtë si një aplikim të ri, do duhet të plotësojnë dokumentacionin për këtë program”,- tha ajo.
Kreditë e buta të mbështetura nga Ministria e Zhvillimit Urban në 4 vitet e fundit ka qenë i pezulluar dhe pa një buxhet megjithatë aplikimet e qytetarëve kanë qenë të shumta.
“Në momentin që kemi bërë projekt-propozimin në këshillin bashkiak, kemi pasur 1800 dosje të plotëstuara që kërkonin kredi.”
Dosjet aktuale të dorëzuara në zyrat e strehimit po shqyrtohen por nga raportimet e para duket se ka mangësi të konstatuara thelbësore. Por çfarë do të bëhet nëse nuk plotësohen 1 mijë dosje përfituese të kësaj kredie?
“Nga data 8 Maj deri në 8 Qershor është thirrja e parë, nëse nuk arrihet të plotësohen dosjet për 1 mijë përfitues, bashkia do duhet të dalë me një tjetër thirrje deri në momentin që të kemi 1 mijë familje përfituese. Qytetarët kanë në përgjithësi shqetësime që kanë të bëjnë me dokumentacionin. Janë skeptik në lidhje me përfitimin nga ky program. Bashkia e Tiranës ka një sistem pikëzimi i cili vlerëson kushtet ekonomike sociale dhe strukturën e familjes, të gjithë ata që nuk do të përfitojnë mund ti drejtohen bashkisë së Tiranës për t’u informuar me nivelin e pikëve që kanë përfituar në bazë të këtij sistemi”, sqaroi Ruseti.
Krahas programit të strehimit të mbështetur me buxhet nga bashkia e Tiranës, në bashki ende vijon të jetë programi për kreditë e buta me mbështetjen e qeverise e cili prej së paku 4 vite nuk ka mbështetje financiare.
Pas datës 8 Qershor dalin përfituesit e parë të kredisë së butë në Bashkinë e Tiranës. Gjatë këtij muaj familjet e reja kanë mundësi të aplikojnë në njësitë administrative për të qenë përfitues. Ndërsa ata që kanë aplikuar para 7 Marsit do duhet të riaplikojnë pasi aplikimi i tyre në këtë afat është bërë jo në programin e ri të Bashkisë të miratuar në muajin shkurt. Ndërkohë që nëse nuk plotësohet numri i përfituesve prej 1 mijë kredi, bashkia do të ribëjë thirrjen për aplikim./balkanweb/a.m.