Bankat dhe institucionet financiare nuk mund t’i kufizojnë klientët në përzgjedhjen e kompanisë siguruese, për sigurimet që lidhen me kreditë apo kontratat e qirasë financiare.
Autoriteti i Konkurrencës ka marrë një vendim që detyron të gjitha shoqëritë e liçensuara në sektorin financiar t’u sigurojnë klientëve lirinë e zgjedhjes së shoqërisë së sigurimit për çdo kontratë, duke hequr klauzolat e ekskluzivitetit apo ato përjashtuese.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, detyrimi nëpërmjet miratimit paraprak të një numri të caktuar shoqërish sigurimi nga ana e kredidhënësit, përveçse kufizon pa të drejtë lirinë e zgjedhjes së kredimarrësit, sjell ndikime edhe për konkurrencën në tregjet e lidhura, konkretisht në atë të sigurimeve.
Rrjedhimisht, huamarrësit apo qiramarrësit në shërbimet e leasing duhet të kenë të drejtën të zgjedhin lirshëm kompaninë ku të bëjnë sigurimin, për të përfituar tarifën më të favorshme për ta./a.m.