Për analistin dhe politologun, Afrim Krasniqi, qëndrimi i Gjermanisë në raport me hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, ishte i pritshëm.
Krasniqi: Ka qenë e pritshme, nëse marrim deklarimet e shtetit gjerman gjatë muajve të fundit, ka qenë një presion pozitiv që Shqipëria të realizojë ato çfarë quheshin kërkesa kryesore që nuk kanë të bëjnë me Gjermaninë por standartet demokratike në Shqipëri. I njëjti delegacion ka qenë në korrik në Shqipëri, ka takuar të gjithë liderët politike dhe secili prej tyre ka pritur që pas reformës do të kishte hapa konkretë dhe rezultate konkrete. Sot jemi muaj me kohë nga pas dhe nuk kemi arritur të prekim me gjëra konkrete të gjitha ato reforma që ishin premtuar dhe Gjermania duke qenë donatori kryesor, aktualisht shteti më i investuar në Ballkan dhe shteti më pro shqiptar brenda BE ka dhe një përgjegjësi normale, një vendimarrje politike që e shpreh përmes këshillës miqësore. Nuk ishte një refuzim i Shqipërisë sesa ishte një detyrim, një axhendë për elitën politike në Shqipëri që të mos fokusohet në gjëra banale të ditës, por të merret me prioritetet për Shqipërinë dhe interesat e vendit tonë.
Pse tani, kur pritet dhe një vizitëë e Ramës në Gjermani?
Është protokollare, çdo vend duhet të shprehet pas raport-progresit. Së dyti, nëse marrim axhendën e shtetit gjerman, nuk është vetëm Shqipëria stacion, do të vazhdojë nesër në Turqi, pastaj në vendet e rajonit, është një vendimarrje gjermane në një kuadër shumë më të gjerë. Pothuajse të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Turqinë, kanë përgjigje negative në nivele të ndryshme dhe për problematika të ndryshme. Së treti, është e vërtetë që Kryeministri po shkon në Berlin dhe ky është lajm i mirë. Bëhet në kuadër të Samitit të Berlinit, një lloj bilanci të qeverive rajonale dhe ku është Shqipëria në raport me këtë.Këto ditë kemi dhe kryetarin e Kuvendit po në vizitë në Berlin, Ministri i Jashtëm ishte para pak ditësh. Mesazhi për dy të parët ka qenë i njëjtë dhe me siguri edhe për Kryeministrin do të jetë i njëjtë. Gjermania ndodhet pranë Shqipërisë por Shqipëria duhet të ndihmojë vetëveten. Duhet të arrijë rezultate konkrete të prekshme, të paktën në ato fusha të cilat konsiderohen me interes të madh dhe vëmendje të madhe ndërkombëtare siç është reforma në drejtësi dhe dekriminalizimi.
U parashtuan të njëjtat kushte me progres raportin, ku morëm rekomandim pozitiv.
Është normale. Progres-raporti i nxit qeveritë e vendeve të BE të japin përgjigje pozitive dhe Gjermania e konfirmoi këtë gjë.Gjermania do të jetë një shtet pro Shqipërisë në momentin që plotëson disa nga kriteret. Është absurde nëse ne themi që një dokument na bën ne brenda ditës europian për shkak se ka një vullnet politik për tu bërë. Ne duhet të ndihemi europianë dhe duhet ta kemi shtetin europian. Ditën kur ne plotësojmë kriteret edhe Gjermania do të jetë e detyruar të na votojë dhe jo vetëm Gjermania por dhe 7 shtetet brenda BE që kanë të njëjtën pikëpamje, por që në këtë rast u përfaqësua në Tiranë përmes Gjermanisë.Elita jonë politike dhet të bënte krejt tjetër gjë sot në vend që të harxhonte ditën me retorika politike. Shumica e tyre e kanë pasur këtë informacion me kanalet diplomatike, duhet të bënin atë çfarë kanë bërë vendet e rajonit, Kroacia, Sllovenia, madje dhe Serbia vitin e kaluar. Të krijojnë një frymë konsensuale për reformat të cilat nuk prekin interesat politike të ditës. Është absurde që u miratua ligji i dekriminalizimit dhe sot asnjë politikan i nivelit drejtues nuk është i prekur nga ky ligj dhe ata që u larguan nga politika kanë ngelur në nivele partiake dhe kemi kryetarë bashkie të cilët ishin simbolet e shkeljes së këtij ligji dhe vazhdojnë të jenë në funksione dhe vazhdojnë të kenë mburojë politike. Partitë brenda tyre nuk kanë përjashtuar asnjë individ dhe nuk e kanë aplikuar asnjë lloj standarti të ri.
Kjo është dhe thembra e Akilit e kësaj politike.
Absoltisht. Ndërkombëtarët nuk arrijnë dot të kuptojnë pse ne bëjmë ligje për ndërkombëtarët dhe nuk i zbatojmë asnjë në Shqipëri. Ky është paradoksi i madh. Fryma e madhe e 140 votave për reformën në drejtësi, si është e mundur që pas 6 muajsh nuk kemi asnjë rezultat konkret por kemi përpjekje për të kapur detaje dhe procedura për ta bllokuar reformën dhe ka një vullnet dukshëm për bllokimin e reformës. Kjo lloj kritike gjermane sot më shumë iu adresua të gjithë palëve, sesa një pale të caktuar politike.
Ka ndikuar vettingu?
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte një nga vendimet më negative në këtë lloj proçesi. Komiteti ndërkombëtar është kritik me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shkak të vonesë së krijuar, jo të drejtës së Kushtetuese për të marrë vendim ose në një fazë tjetër për të dhënë një vendim tjetër. Me datën 10 dhjetor do të dalë Komisioni i Venecias me një lloj rekomandimi, brenda një jave rekomandimi do të paraqitet në Shqipëri. Dihet pak a shumë se cili është. Është interpretues në lidhje me dy aspekte të veçanta të ankesës, kështu që vendimarrja kryesore do të jetë e palës shqiptare nuk do të jetë e Venecias, ata vetëm këshillojnë. Maksimumi mund të shikojnë dy elementë brenda saj, por do të jetë përsëri Kushtetuesja që do të shprehet. Ndërkohë që ne presim Kushtetuesen do të duhet të avanconim me ligjet e tjera. Gjë që nuk po ndodh.
Vendimi i dhjetorit për negociatat, si e parashikon?
Nuk ka vendim për hapjen e negociatave.BE duhet të marrë një vendim dhe praktikisht ka një ftesë të hapur të cilën e ka shprehur në kanalet diplomatike, por në bazë të praktikave europiane do të duhet shtetet përkatëse të marrin vendime. Shtetet përkatëse e kanë bërë të qartë se kur është praktika, pala gjermane e bëri të qartë se janari-shkurti i 2018 do të jetë dita kur do të vendoset për Shqipërinë nëse ne do të arrijmë deri në atë kohë të fitojmë kohën e humbur.
Ku gaboi kjo klasë politike?
Jetojmë në një rreth virtual për shkak se marrim vetëm çfarë na japin politikanët tanë dhe sipas tyre ne jemi njerëzit më të lumtur në botë. Llogaritë janë fare të thjeshta, nëse krahasohemi me Kroacinë, Slloveninë, ose Hungarinë dhe Rumaninë që patën sukses më shumë se ne. Atje janë arrestuar 1/3 e politikanëve, sot në Shqipëri nuk ke asnjë politikan përpara drejtësisë. Dhe kjo nuk bëhet thjeshtë të arrestojmë politikanë po themi viktima në politikë, janë elitat më të korruptuara të Shqipërisë. Njerëz që kontrollojnë asete financiare, kanë shkelur ligjin, Kushtetutën, çdo lloj parimi qeverisës në këtë vend, lidhen me grupe të armatosura, blejnë votën, masakrojnë pronën publike dhe ansjë prej tyre nuk është para drejtësisë. Është e pamundur që ne ti themi Europës që ne po luftojmë korrupsionin sepse kemi bërë këto shkresa dhe udhëzime dhe nuk kemi asnjeri para drejtësisë.Edhe alibia se drejtësia nuk i dënon individët nuk vlen në këtë rast sepse nuk kemi dosje të dërguara para drejtësisë, ndërkohë që një nga pritshmëritë kryesore të rrotacionit politik ka qenë të qeveriset ndryshe, individët që kanë probleme me ndjekjen penale ose akuza publike le të përballen para drejtësisë. Sot kemi Ministra që janë çdo ditë pjesë e skandaleve publike dhe asnjë nuk përballet para drejtësisë, por kanë imunitet politik. Kjo lloj përpjekje e politikës për të mbyllur të gjitha gjërat brenda përbrenda një elite të vogël, kjo nuk ka të bëjë me demokracinë, standardet e BE, është e kundërta e asaj çfarë ka nevojë Shqipëria. Mazhoranca aktuale arriti disa, sidomos vitet e para, arriti të bëjë disa gjëra pozitive si kultura e ligjit, sistemi i taksave, kontrolli i territorit, por në mënyrë të papritur ky lloj vullneti për reforma kaloi në një lloj arrogance të dukshme dhe është rasti konkret.Tipike dekriminalizimi. Është e paimagjinueshme sot në Europën e 2016 që një vend të mbajë kryetarë bashkie që figurojnë në çdo dosje kancelarie europiane si individë që nuk duhet të punojnë në shtetin shqiptar, është e pashembull që diplomatët ja tregojnë Kryeministrit në zyrë dhe ai i mbron ata individë me fanatizëm dhe është e pashembullt që e njëjta gjë ndodh dhe me tre partitë kryesore politike.Individë që kanë akorde të dukshme kriminale vazhdojnë të kenë mburojë politike.
Deputeti gjerman apeloi forcat politike të bashkojnë forcat në të mirë të reformave. Ndërkohë kemi klimë politikë shumë përçarëse.
Dy seancat e fundit parlamentare janë dy raste, ku një rastin e parë ishte një grup parlamentar francez i pranishëm në seancë dhe sot një grup parlamentar gjerman duke ndjekur zhvillimet parlamentare. Mjafton të përkthehet çfarë u tha në seancën parlamentare dhe ata e kuptojnë hendekun ekstrem që ndan elitën tonë politike me atë çfarë pret Europa nga ne. Çfarë mund të bëhet në këtë rast? Unë e kam përsëritur dhe e kam bindje personale që pa një vullnet të qartë politik, pa një tolerim nga palët politike ndaj palëve të tjera, pa uljen në dialog dhe pa një konsensus për reformat thelbësore ne do ta kemi të pamundur për të kapur jo vetëm 2018, por edhe 2019. Nuk mund të krijohet gjithmonë miti i Rozafës, çdo palë e prish kështjellën e tjetrit dhe do ta ndërtojë nga fillimi.Shqipëria ka nevojë të ndërtohet nga të dy palët dhe ka nevojë për konsensus. Fakti që pala gjermane kishte pikë të parë sot, për herë të parë në një raport ndërkombëtar administratën, është e dukshme. BE ka financuar trajnimin e administratës dhe kur bëjnë llogaritë rezulton se ka financuar katër administrata shqiptare dhe zyrtarët ankohen se nuk kemi ekspertë nëpër Ministri.Ndërkohë që zyrtarët e trajnuar dhe financuar nga BE janë pa punë, ose emigrantë rrugëve të botës.Ky është luks i madh për Shqipërinë. Duhet të biem dakord që administrta të mos preket, që admninistrata nuk ka lidhje me zgjedhjet, duhet të bëjmë shtet dhe të largohemi nga pushteti. Ky ishte mesazhi gjerman. Nëse do të duhej të kishte një vijë institucionale do të mirëprisja një mbledhje të Këshillit të Sigurimit Kombëtar për kushtet dhe të raporteve aktuale ku palët nuk flasin dhe ku Presidenti nuk ka besimin e mazhorancës është e pamundur të ketë një kompromis të tillë. Do të duhet të kishte një negociator ndërkombëtar për të bindur palët që të arrijnë këto pika që nuk kanë lidhje me zgjedhjet.Edhe kjo nuk po ndodh. Edhe në raport me çështjen e pronësisë dhe reformës zgjedhore, përsëri nuk kemi asnjë rezultat.
Intervista për Ora News