Pas shumë problemeve që u vunë re në të dhënat paraprake të publikuara nga KQZ-ja, ku shumë kryebashkiakë dolën fitues me numër votash në kuti shume herë më të lartë se numri total i votuesve vjen reagimi i parë zyrtar i KQZ-së.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e KQZ sqaroi se ato janë informacione të marra me telefon nga komisionet e qendrave të votimit. Këto nuk janë rezultatet përfundimtare dhe mund të ketë mospërputhje, që do të adresohen nga KQZ në momentin e nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të votimit.
Sipas saj, në dilemën për të mos dhënë informacion, apo për të dhënë informacion paraprak KQZ ka zgjedhur që të mbajë qytetarët e informuar por pa pretenduar saktësi absolute.
“Është theksuar disa herë se këto nuk janë rezultate përfundimtare, ndaj mund të kenë edhe mospërputhje të cilat do të adresohen nga KQZ. Ky është një fenomen i evidentuar në çdo proces, por duke qenë se qendra e vëmendjes dje ka qenë te rezultat dhe pjesëmarrja nuk i është kushtuar rëndësia e duhur. Kjo problematikë mund të zgjidhet nëse procesi i votimit bëhet përmes teknologjisë”, tha Hoxhaj./l.m