Ka përfunduar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) procesi i rinumërimit të 1407 vendvotimeve për të cilat Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kishte vendosur pas shpalljes së rezultateve përfundimtare.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha sot se ka përfunduar procesi i rinumërimit, por nuk ka treguar rezultatin e tyre, njofton KosovaPress.
Elezi theksoi se rezultati pas këtij procesi të rinumërimit do të publikohet në faqen e internetit të KQZ-së ditët në vazhdim. Ai nuk u shpreh nëse koalicioni Nisma-AKR-PD e ka kaluar pragun e përfaqësimit për në Kuvendin e ri. Pas përfundimit të rinumërimit, subjektet politike kanë të drejtë ankese brenda 24 orëve lidhur me administrimin në QNR.
Për certifikimin e rezultateve, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se para se të bëhet certifikimi duhet të merret konfirmimi nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme.
Procesi i certifikimit të rezultatit final të zgjedhjeve të 6 tetorit me sa duket nuk do të marrë fund shpejt.
Në KQZ kanë arritur edhe 392 pako me fletëvotime nga diaspora, për të cilat Lëvizja Vetëvendosje kërkon numërimin e tyre. Kjo parti ka paraqitur ankesë në PZAP në lidhje me pranimin e këtyre votave.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e ka hedhur sot poshtë këtë ankesë të re të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), duke e konsideruar si të palejueshme.
VV kishte kërkuar nga PZAP që ta urdhërojë KQZ-në të bëjë verifikimin dhe numërimin e 392 pakove me fletëvotime të dorëzuara me postë nga votuesit jashtë Kosovës.
Votat kishin ardhur pesë ditë pas publikimit të rezultateve përfundimtare, ndërsa, PZAP thotë se nuk kishte asnjë ankesë për këto vota.
VV ka afat 24 orë për ankesë ndaj këtij vendimi të PZAP-së në Gjykatën Supreme.
KQZ shpalli më 7 nëntor rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, ndërsa më 11 nëntor PZAP mori vendim për rinumërimin e këtyre vendvotimeve, i cili nisi më 13 të këtij muaji procesi i rinumërimit të mbi 1400 vendvotimeve për të përfunduar ditën e sotme, 24 nëntor.
/a.r











