Partitë politike nuk ndërhyjnë më për të ndryshuar rezultatin në kutitë e votimit.
Kjo është konfirmuar edhe nga rinumërimi i kutive në 519 qendra votimi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nga verifikimi paszgjedhor rezulton se në procesverbalin për kutitë e hapura në 519 qendrat e votimit, Partisë Demokratike i janë gjetur 118 vota më pak sesa ishte shënuar. Ndërsa PS-së i janë gjetur 70 vota më pak sesa ishte shënuar. Por teksa partitë politike kanë humbur interesin për të ndërhyrë në kutitë e votimit, “oreksi” për të manipuluar është rritur për kandidatët. Në zgjedhjet e 25 prillit për herë të parë u votua edhe për kandidatët e parapëlqyer. Disa kanë dashur që të thyejnë listën e bërë nga kryetari, ndërsa të tjerët të krijojnë imazh të mirë para kryetarit të partisë, duke treguar se kanë mbështetje nga votuesit. Për të arritur këtë qëllim, duket se nuk kanë munguar as manipulimet me votat preferenciale.
DIFERENCA NË PS
Në qarkun e Beratit rezulton se kandidatja e para në listë, Hatixhe Konomi, është “vjedhur” nga kolegët e saj brenda partisë. Pas verifikimit ajo rezultoi se kishte 8 vota më shumë sesa ishte shënuar në procesverbal. Ndërkohë, drejtuesi politik i PS-së në Berat, Blendi Klosi, që ishte në vijën e kuqe, nuk pati diferenca. Ndonëse vinte nga Anglia, i pari i listës së PS-së në Dibër, Lavdrim Krashi, nuk e solli frymën e Britanisë. Pas verifikimit rezulton se ai kishte 6 vota më pak sesa ishte shënuar në procesverbal.
Në Durrës, Kryeministrit Edi Rama duket se i kanë vjedhur votat në emrin e tij personal. Pas rinumërimit të 10% të kutive të qarkut të Durrësit, kreut të PS-së iu gjetën 11 vota më shumë në kuti sesa ishin shënuar në rezultatin përfundimtar. Rrahman Rraja po në listën e qarkut të Durrësit rezultoi me 19 vota më pak pas rinumërimit. Në Elbasan, në emër të Saimir Hasallës dhe Taulant Ballës ishin shënuar 25 vota më shumë sesa u gjetën pas verifikimit.
Në Fier, në emër të Erion Braçes ishin shënuar 20 vota më tepër sesa u gjetën. Ndërkohë, në Gjirokastër kandidati i vetëm që ka qenë komod ishte Mirela Kumbaro. Ministri Bledi Çuçi, i cili ishte në vijën e kuqe, duket se ka futur duart në zgjedhje për të hedhur në kutinë e tij votat edhe të të tjerëve, në mënyrë që të thyente listën nëse PS nuk do merrte 3 mandate. N
dërkohë, edhe kandidati i renditur i dyti në Gjirokastër, Laer Duraj, ka qenë në garë me Çuçin për të marrë më tepër vota preferenciale, në mënyrë që të mos e skualifikonte Çuçi, gjithmonë nëse PS nuk do të merrte 3 mandate në Gjirokastër. Kështu, pas verifikimit, Çuçi kishte në kuti 42 vota më pak sesa ishin shënuar, ndërsa Durajt iu gjetën 34 vota më pak sesa ishte shënuar. Në Kukës, votat në emër të Gerta Durakut ishin shënuar për Petrit Malajn dhe Halim Dautin.
Kjo në fakt nxjerr edhe injorancën e dy kandidatëve poshtë Durakut, pasi edhe sikur ata të kishin thyer herësin me mbi 10 mijë vota preferenciale, nuk e zëvendësonin dot deputeten aktuale, pasi është e gjinisë më pak të përfaqësuar. Bie në sy qarku i Lezhës dhe Shkodra ku deputetët që janë tani në Parlament janë të gjithë të vjedhur sa u përket votave preferenciale. Në qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri duket se paska bërë tërmet me votat preferenciale. Vetëm në kutitë e hapura u zbulua se në emër të Gjiknurit kishte 39 vota më pak sesa ishte shënuar.
DIFERENCA NË PD
Edhe në kampin opozitar deputetët kishin tentuar të manipulonin rezultatin sa u përket votave preferenciale. Por kjo nuk ka ndodhur në të gjitha qarqet. Kështu, në Berat dy kandidatët që tashmë janë deputetë nuk kanë diferenca të mëdha. Pas verifikimit rezulton se Tomor Alizotit i kanë marrë një votë në emër të tij, ndërsa Kasëm Mahmutaj ka shtuar një votë në emër të tij. Në Dibër dy deputetët e parë të listës kanë shtuar nga një votë në emrin e tyre, ndërsa e treta, Dhurata Çupi, nuk ka diferenca.
Në qarkun e Durrësit bie në sy pas verifikimit të zgjedhjeve se drejtuesi politik i PD-së është vjedhur. Në kutitë që u hapën u gjetën 10 vota më tepër sesa ishin shënuar në emër të Edi Palokës. Ndërkohë, në emër të aleatit të PD-së Agron Duka u gjetën 7 vota më pak. Në qarkun e Fierit deputeti që ka spikatur në Parlament duke bërë humor, Saimir Korreshi, pas verifikimit në emër të tij, ka 14 vota më pak sesa ishin shënuar në rezultatin final.
Në Gjirokastër Tritan Shehut iu gjetën 26 vota më pak, ndërsa të dytit në listë, Roant Bejko, pas rinumërimit iu gjetën 18 vota më shumë sesa ishte shënuar. Në qarkun e Korçës, ish-kryetari i PD-së i cili kritikoi Bashën pas zgjedhjeve, rezulton se ka “vjedhur” vota preferenciale. Pas verifikimit, atij iu gjetën 30 vota më pak sesa ishte shënuar në rezultatin final. Andrea Mano ishte kandidati me diferencën më të madhe. Në Kukës Flamur Hoxhës i kishin marrë 19 vota, ndërsa Isuf Çelës i kishin shtuar 21 vota më tepër në emër të tij.
Në Lezhë Mark Marku, i cili ishte drejtuesi politik dhe la mandatin pas zgjedhjeve, rezulton të jetë kandidati më i vjedhur. Mark Markut pas rinumërimit iu gjetën 38 vota më tepër në emër të tij sesa ishin shënuar. Ndërkohë, për dy deputetët poshtë Markut ndodh e kundërta. Pas rinumërimit, në emër të Agron Gjekmarkajt u gjetën 18 vota më pak, ndërsa në emër të Lindita Metaliajt u gjetën 14 vota më pak.
Edhe në Shkodër, njësoj si në Durrës dhe Lezhë, drejtuesit politik të PD-së i kanë vjedhur votat preferenciale. Helidon Bushatit iu gjetën 36 vota më tepër sesa ishte shënuar në rezultatin final. Ndërkohë, deputetit Zef Hila iu gjetën 104 vota më pak. Në Tiranë kandidatja e 34-t në listë duket se ka dashur me çdo kusht të bëhej deputete. Në emër të saj janë gjetur 47 vota më pak sesa ishte shënuar në procesverbal. Ndërkohë, Petrit Doda, i cili i renditur poshtë në listën e PD-së, rezultoi se i kishin vjedhur vota. Megjithatë më 25 prill në emër të tij kishte mbi 6 mijë vota. Në Vlorë Bujar Leskajt i kishin vjedhur 10 vota preferenciale.
VERIFIKIMI I VOTAVE PREFERENCIALE, KUSH PERFITOI DHE KUSH U ‘VODH’ NE PS
Të gjithëve iu kujtohet deklarata e vitit 2013 e Eduart Shalsit para zgjedhjeve politike kur tha se PS nuk do të vjedhë si PD. Por duket se këtë parim deputeti i Partisë Socialiste nuk e ka vendosur në praktikë. Hapja e kutive të votimit në 519 qendra votimi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nxjerrë në pah diferencat në vota që kanë deputetët sa u përket votave preferenciale. Në kampin maxhoritar, pas verifikimit të kutive të votimit në 519 qendra, rezulton se Eduart Shalsi ka diferencën më të madhe negative sa u përket votave preferenciale. Nga kutitë që u hapën për qarkun e Tiranës, në procesverbalin përfundimtar ishte shënuar se Shalsi kishte marrë në emrin e tij 444 vota. Por pas rinumërimit të fletëve të votimit, në ato kuti u gjetën 8 vota më pak në emër të Shalsit, pra 364 vota. Ndërsa më “i vjedhuri” në Partinë Socialiste, sipas rezultatit pas rinumërimit të 10% të kutive të votimit, rezulton Fatmir Xhafaj. Në procesverbalin e kutive që u hapën në Tiranë shkruhej se Xhafaj kishte marrë 1350 vota preferenciale, ndërsa pas rinumërimit ai kishte 60 vota më shumë, pra 1410 vota.
VERIFIKIMI I VOTAVE PREFERENCIALE, KUSH PERFITOI DHE KUSH U ‘VODH’ NE PD
Në kampin opozitar diferenca më e madhe e votave preferenciale u gjet në qarkun e Elbasanit. Konkretisht, pas hapjes së 10% të kutive të votimit në qarkun e Elbasanit rezultoi se deputeti që kishte diferencë më të madhe mes votave të shënuara dhe votave të gjetura në kutinë e votimit ishte Lefter Gështenja. Për kutitë që u hapën në qarkun e Elbasanit, në procesverbal ishte shënuar se deputeti i PD-së, i cili u fokusua në zonën e Librazhdit, kishte marrë 662 vota në emrin e tij personal. Por këto vota nuk u gjetën në kutitë që u rinumëruan. Pas verifikimit në emër të Lefter Gështenjës u gjetën 116 vota më pak, pra 546 vota. Duket se në emër të Lefter Gështenjës mund të kenë shkuar edhe votat preferenciale të kandidatit tjetër të PD-së Ardian Zeneli, i renditur në vendin e 14-të të listës së PD-së. Kjo lidhet me faktin se edhe Zeneli ishte kandidat i PD-së në zonën e Librazhdit, ndërsa pas verifikimit të fletëve të votimit në kutitë e hapura u gjetën 100 vota më tepër sesa ishte shënuar në procesverbal. 140 vota ishin shënuar në emër të Ardian Zenelit, ndërkohë pas rinumërimit u gjetën 240 vota.
RAMËS I “VJEDHIN” VOTAT NË DURRËS
Kryeministri Edi Rama deklaroi në fushatën zgjedhore se ai do të pranonte mandatin e deputetit aty ku do ta votonin më tepër me vota preferenciale. Më shumë vota ai mori në qarkun e Durrësit, aty ku edhe mori mandatin më pas. Por rinumërimi nga KQZ ka zbuluar se Kryeministrit i kanë vjedhur votat në emër të tij në Durrës. Pas verifikimit, atij iu gjetën 11 vota më tepër sesa ishte shënuar. Duket se votat në emër të Kryeministrit komisionerët i kanë shënuar për Rrahman Rrajën.
BASHËN E “MBËSHTESIN” KOMISIONERËT NË TIRANË
Ndryshe nga Kryeministri Edi Rama, kryedemokrati Lulzim Basha kandidoi vetëm në një qark. Ai ishte kryesuesi i listës në kryeqytet. Ndërkohë, duket se komisionerët në qendrat e numërimit kanë dashur që kreu i PD-së të dalë mirë me votat preferenciale. Pas përfundimit të verifikimit të 10% të kutive të votimit në kryeqytet, në emrin e kryedemokratit Basha u gjetën 26 vota më pak sesa ishte shënuar në rezultatin përfundimtar./ Panorama/
/b.h