Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vijuar edhe ditën e sotme procesin e akreditimit të vëzhguesve, vendas dhe të huaj, që do të monitorojnë zgjedhjet vendore të 21 qershorit.
Në mbledhjen e sotme, KQZ miratoi kërkesën e paraqitur nga organizata “Vlora Neë Generation” për akreditimin e 16 vëzhguesve afatshkurtër, si dhe kërkesën e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë (KVV) për akreditimin e 102 vëzhguesve afatgjatë për vëzhgimin e procesit zgjedhor.
KQZ akreditoi gjithashtu dhe një numër vëzhguesish të huaj, përfaqësues të selive diplomatike të akredituara në Tiranë. Mes tyre, KQZ miratoi kërkesën e Ambasadës Amerikane në Tiranë për akreditimin e 26 vëzhguesve afatshkurtër dhe të 36 përkthyesve; kërkesën e Ambasadës Norvegjeze në Kosovë për akreditimin e dy vëzhguesve afatshkurtër dhe të një përkthyesi, si dhe kërkesën e Ambasadës Çeke në Shqipëri për akreditimin e tre vëzhguesve afatshkurtër dhe të dy përkthyesve.









