Nga Jakin Marena
Ka një përplasje gjithnjë e në rritje në radhët e asaj që quhet PD zyrtare, aktualisht pa kryetar, në lidhje me postin e liderit, i cili është vendosur që të zgjidhet më 29 korrik.
Themi për PD-në zyrtare sepse tek “Rithemelimi” problemi është më se i zgjidhur, pasi sa të jetë Sali Berisha në radhët e të gjallëve dhe pa shkuar tek i Plotfuqishmi, ai do të jetë ai kryetar. Për këtë nuk ka asnjë diskutim, madje nuk shtrohet as për ta biseduar në kohën e lirë.
Kemi këtë mendim, pasi në një parti normale politike, kur shënon një humbje të tillë rrënuese, si ajo e zgjedhjeve për pushtetin vendor të 14 majit, kur nuk të do as SHBA e Britania që të kanë shpallur ‘non grata’, madje bashkë dhe me grupimin që drejton, apo kur vendet e BE, përfshirë vendet e rajonit të trajtojnë si të padëshirueshëm duke të mos ftuar e duke mos të dhënë as dorën, lideri politik me tërë këto ‘atribute’ më e pakta duhej të kishte dhënë dorëheqjen që më 15 maj.
Të ikte ‘nga sytë këmbët’ dhe jo të kapej pas alibive të vjedhjes dhe tjetërsimit të votës nga kundërshtari politik në qeverisje, të deklaronte teoritë më të pabesueshme konspirative të një ‘komploti të madh ndërkombëtar bashkë me Ramën kundër opozitës’ dhe të arrijë deri atje sa të thotë se i janë vjedhur 500 mijë vota, kur kanë votuar shumë më pak se 2 milionë votues gjithsej në tërë vendin. Pjesëmarrje totale themi të të gjithë votuesve shqiptarë.
Këto i bën vetëm Berisha dhe nuk i bën për herë të parë, me objektivin e vetëm mbajtjen me ‘thoj’ të drejtimit të grupimit më të madh deri më tani të PD, “Rithemelimit’ pa asnjë letër që vertetojnë ligjshmërinë juridike të tij, thjeshtë dhe vetëm për interesa personale. Për t’i bërë sfidë Perëndimit në perëndim të jetës biologjike të tij kur s’ka asgjë për të humbur, dhe drejtësisë, ku ka disa kallzime penale që janë nën hetim për zullumet që akuzohet se ka kryer në qeverisje ose në opozitë, në këto 32 vite të qëndrimit në kupolën politike. Pasi drejton një grupim politik me vokacion anti-SHBA dhe anti-Perëndimor e këtë e dinë të gjithë, e shohin dhe dëgjojnë të gjithë Berishën që sulmon me ‘stil të gjërë’ nga ambasadorët deri tek funksionarët e SHBA e Britanisë.
Duke qënë në të njejtën linjë me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët shohin si interlokutorin e vetëm tek partia më e madhe e opozitës, drejtuesit e PD zyrtare, shqetësimi i demokratëve dhe i qytetarëve shqiptarë, të cilët në fund të fundit duan një opozitë pro-perendimore si alternativë pushteti, është vetëm për situatën në PD-në që me letra figuron si parti, dhe si po funksionon ajo.
Por me shqetësim vëmë re se dhe në PD-në zyrtare, e cila u drejtua më 14 maj nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj, pas dorëheqjes së Lulzim Bashës nga posti, që mori përgjegjësinë për humbjen në zgjedhjet e pjesëshme të 6 marsit 2022 në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar, ka shpërthyer sherri pasi ka mbetur pa drejtues. As të komanduar nuk ka madje, sepse Alibeaj u dorëhoq nga ky post, pas humbjes shokuese më 14 maj, ku PD zyrtare doli forcë e tretë politike.
Situata ka arritur deri në atë shkallë sa palët në këtë grupim zyrtar të demokratëve akuzojnë njëra tjetrën për dhunë dhe shkelje statuti. Rikthimi i Bashës në politikën aktive dhe ambicia e tij që shihet qartë për të rimarrë sërish drejtimin e PD dhe drejtuar këtë parti pa dublimin e ‘babait’ të tij politik Sali Berisha, si shans të fundit për të treguar veten si lider politik, ka trazuar ujërat dhe në kupolën e PD zyrtare. Pa përmendur trazimin dhe te “Rithemelimi” i Berishës, pasi pritej kjo.
Duke qënë pa drejtues, ku njëri i ‘bie thumbit e tjetri patkoit’, kur kanë treguar se janë të gatshëm të lëvizin dhe në drejtim të Berishës, teksa ndryshojnë qëndrim duke e quajtur atë, nga “pjesë e krizës” në “pjesë e zgjidhjes” për bashkimin e demokratëve, si njerëz të letrave e jurisprudencës kanë nisur dhe teknikcialitetet ‘e lagu se lagu’, larg frymës kolegjiale dhe të vendimmarrjes që karakterizon një forcë politike.
Tashmë ka një ngërç në lidhje me datën e zgjedhjes së kryetarit dhe radhës së zgjedhjes së tij, është afër apo larg data 29 korrik, duhen bërë zgjedhjet e krerëve të degëve të PD në rrethe dhe më pas kreut të përgjithshëm të partisë apo anasjelltas.
Një parti politike funksionon në ekip, thuajse si ekip futbolli. Dhe puna e parë zgjidhet trajneri, i cili kontribuon për zgjedhjen e stafit dhe të njerëzve me të cilët do të punojë, dhe në fund të herës ndan fitoren apo përgjegjësinë me ta. Ndryshe, justifikimi për humbjen e radhës, dhe për një parti politike është gati: Unë thjeshtë u zgjodha, por bashkëpunëtorët i gjeta të zgjedhur. Dhe kështu vazhdon ‘cirkuiti’ i justifikimeve dhe mosmarrjes së përgjegjësive pa fund. Siç ka ndodhur.
E kemi thënë dhe herë të tjera, se si Alibeaj ashtu dhe Bardhi ‘të thekin’ për letra, ligje e rregulla statuti, strikt fare, por nuk bëjnë asnjë lek për liderë apo për të thithur vota në terren. Kjo u pa dhe gjatë fushatës së zgjedhjeve të 14 majit, teksa më shumë se sa në terren qëndruan në zyrë apo studiove televizive, duke folur për gjithçka, vetëm se si duhet të fitohet vota për PD asnjë fjalë. Për më tepër që, nga Bardhi si sekretar i përgjithshëm e deri tek deputeti më i thjeshtë, me disa përjashtime ose nuk dolën fare në fushatë ose mbështetën hapur kandidatët e Berishës dhe Metës, duke i lënë ata pak kandidatë të PD zyrtare që guxuan dhe kandiduan, në 49 bashki nuk u çua asnjë kandidat, si jetimë pa asnjë mbështetje politike. Si qyqarë!
Është bërë zyrtarisht kjo, teksa në kryesi dhe grup parlamentar u hodh alternativa e mbështetjes së kandidatëve të “Bashkë Fitojmë” ndërsa PD zyrtare të mos nxirrte asnjë kandidat për kryetar bashkie në 61 njësitë vendore të vendit, por vetëm të dërgonte lista këshilltarësh.
Një pafuqi totale për të mbuluar gjithë territorin e vendit me kandidatë për kryetarë bashkie e këshilltarë ose më e keqja, një qëndrim zyrtar i dyfishtë, me njërën këmbë tek PD dhe tjetrën tek “Rithemelimi” në varësi të zyrtarizimit të balancave të radhës, se nga janë demokratët në shumicë në fund të herës. Llogari të ngushta politike personale në kurriz të PD që po shuhet.
Për të mos i përsëritur sërish ato që kemi thënë, po evidentojmë faktin se rezultati krahasues mes PD zyrtare dhe “Rithemelimit” më 14 maj, tregon se diferenca mes tyre nuk i kalon të 30 mijë votat në rang kombëtar, me plus minuset e veta. Në favor të Berishës kuptohet, favorizuar dhe nga fakti se PD e Alibeajt nuk paraqiti kandidatë në shumicën e bashkive. Pra votuesit e djathtë qëndruan në shtëpi, duke mos pasur kujt t’i japin votat, pasi nuk donin t’ia jepnin kandidatëve të Berishës e Metës, bojkotuan. Dhe s’janë pak, janë afër 300 mijë votues solidë të PD që refuzuan të japin votën në këtë situatë për opozitën. Ata që shkuan në kutinë e votimit, një pjesë hodhën votën për kandidatin e Berishës dhe këshilltarët e PD zyrtare. Kjo është llogaria!
Por tani problemi është akoma më i komplikuar për shkak se PD zyrtare s’ka kryetar, por dhe për arsye se forumet e strukturat drejtuese që kanë mbetur nga ky grupim politik janë bërë ‘rob’ të procedurave. Fundja juristë janë, por nëse ecet me logjikën juridike, nuk dihet fundi. Ndaj themi se është emergjencë zgjedhja e liderit politik. I cili në fund të herës, kur e kërkon e mira e partisë që drejton, nëse i referohemi filozofisë popullore, kur s’ka kohë të mbyllë çdo ‘derë’ të dhomave e anekseve të shtëpisë që ka nën administrim, mbyll derën kryesore dhe merr përsipër suksesin apo përgjegjësinë për gjithçka ndodh. Pra i ‘mbyll dyert me një shul’ të gjitha e vazhdon punën. Ndryshe, do vijnë zgjedhjet parlamentare të 2025, dhe me logjikën e tanishme, do të jenë te neni 14 i statutit të PD me 120 nene gjithsej, të themi. Duke interpretuar se ku duhet ‘presja’.
Askush nuk e kupton se përse po lodhen kaq shumë në PD-në zyrtare për zgjedhjen e liderit, teksa në lojën politike për postin e kryetarit ka hyrë ish kryetari Lulzim Basha, i cili është në pikun e takimeve rreth më rreth dhe këtu në Tiranë njësi më njësi. Duke e treguar hapur ambicien dhe qëllimin e tij për të marrë drejtimin e PD zyrtare dhe dëshirën për të bashkuar PD-në. Jo bashkim mekanik, por thithjen në formë difuzioni nga ‘Rithemelimi’ e kaluar te PD të anëtarësisë hap pas hapi. Të paktën kështu është qëllimi i tij, pasi si Berisha ashtu dhe Basha e kanë përjashtuar bashkëjetesën nën një ‘çati’ politike me njëri tjetrin. Janë deklaruar armiq.
Në PD zyrtare bëjnë sikur lodhen shumë për të menduar se cilin lider të zgjedhin, mes Bashës dhe ‘turmës tjetër të kandidatëve’ që po ‘shkulin flokët’ për të garuar për postin e kryetarit, dhe që kërkojnë respektim të statutit e të rregullave strikte në mënyrë që të garojnë, fitojnë e ringrenë PD-në. Për hir të së vërtetës, “Rithemelimi” jo e jo që nuk ka asnjë alternativë kundër Berishës, por as PD zyrtare s’ka asnjë kandidat, madje as kanë shfaqur ambicien edhe formalisht për të kandiduar për postin e kreut të PD, përpos Bashës. Ndaj ta provojnë Bashën për herë të fundit si lider, pa pasur si ‘tutor’ politik Berishën, të cilin e akuzoi se nuk e ka lënë të drejtojë partinë.
Mbi të gjitha, kot lodhen në PD, duke u kapur tek statuti. Vetëm nëse duan që në mënyrë ‘paqësore’ të dërgojnë vulën dhe logon e PD tek Berisha. Kjo është punë tjetër, kjo është një ‘vetëvrasje’ e kontrolluar e PD. Pasi izolohen tërë demokratët nga faktori ndërkombëtar, thjeshtë e vetëm se do të jenë ndjekës të Berishës ‘non grata’ dhe pa të ardhme për ta sjellë në pushtet.
Duke qënë se ofertat e vetme për PD zyrtare dhe “Rithemelimin” janë ‘laj thaj’ Lulzim Basha dhe Sali Berisha, e mira e të mirave është të mos humbet kohë me ‘presjet’ nëpër pikat e statutit, por të bëjnë zgjedhjet, dhe ai që ka ambicien, deri më tani Basha, të marrë drejtimin e partisë, për të nisur riorganizimin dhe përgatitjen për zgjedhjet e vitit 2025. Me sa të mundën e si të mundën në këto kushte krize, duke treguar se sa të aftë janë për të ‘tharë’ mbështetjen e njëri tjetrit me Berishën, për të konsoliduar dhe shpëtuar PD. Kuptohet, pjesën me orientim perëndimor dhe pro SHBA. Ndryshe të shkojnë te Berisha, i cili është i ‘djegur’ përfundimisht nga partnerët!
Pastaj për anën strategjike, mund të bëjnë koalicion me njëra tjetrën në prag të zgjedhjeve, si dy parti të djathta, nëse Berisha regjistron grupimin që drejton si parti të re politike, dhe ia lë drejtimin në dorë një të besuari. U bë me Polin e Lirisë, jo më me ata me të cilët kanë qënë në një llogore, për keq apo për mirë, për 32 vite me radhë. Ndryshe, do vijë koha që s’do dëgjojmë më për PD-në, do ta ketë përfunduar misionin e saj, pasi votuesit dhe demokratët s’do presin pafund në opozitë që të marrin fund hallet e liderëve. Do kërkojnë alternativa të reja. Sinjalin e dhanë me refuzimin më 14 maj, nuk janë pak mbi 250 mijë votues solidë të të ikin ‘me një dorë’.