Liberalizimi i vizave për Kosovën edhe mund të ndodh. Por me disa kushte. Në numrin e saj të sotëm e përditshmja “Welt am Sonntag”shkruan se liberalizimi i vizave për shtetet e treta që ofrohet nga Bashkimit Evropian do të pësojë një ndryshim nga praktika e deritashme.
Kjo sidomos për shtetet që është planifikuar dhe paralajmëruar se do të ngjajë këtë vit, transmeton RTK shkrimin e kësaj gazete. Kështu duke filluar me Turqinë por edhe për Gjeorgjinë, Kosovën dhe Ukraninën pritet të zbatohet ky ndryshim.
Një diplomat i cili s’ka dashur që t’i përmendet emri ka bërë të ditur që BE-ja do të bëjë një marrëveshje të “jashtëzakonshme” me Turqinë e më pas edhe Gjeorgjinë, Ukrainën e Kosovën e cila nuk ishte bërë deri më tashti.
Sipas këtij plani “marrëveshja në fjalë do të përmbajë një klauzolë suspendimi, e cila do të aktivizohet automatikisht nëse shteti që ka arritur marrëveshjen me Brukselin nuk i përmbahet asaj për të gjitha aspektet e veçanta të kësaj”.