Skandali “Pronto” përfundimisht nuk do të gjykohet nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Para dy ditësh është marrë vendim që lënda të transferohet në Departamentin e Përgjithshëm.
Bazuar në vendimin që e ka siguruar “Koha Ditore”, gjyqtari i këtij rasti, Shasivar Hoti, ka ardhur në përfundim se kërkesa e mbrojtjes së protagonistit të kësaj afere, Adem Grabovci për mosgjykimin e këtij rasti nga Krimet e Rënda, është e bazuar.
Ka konstatuar se ky departament nuk është kompetent për gjykimin e rastit, shkruan “Koha Ditore”. Mirëpo, me vendimin nuk është pajtuar Prokuroria, e cila ka paralajmëruar ankesë në Gjykatë të Apelit.
Një ministër, një ish-zëvendësministër, deputetë e ish-deputetë të PDK-së, këshilltarë të Kuvendit të Kosovës, si dhe zyrtarë të tjerë, janë të akuzuar në aferën “Pronto”.(b.an)