Ish-Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj ka thënë se ai do të shkonte në burg nëse nuk do të vepronte ndaj kërkesës së AKI-së (Agjencia Kosovare për Inteligjencë) për largimin e gjashtë turqve nga Kosova, pas kerkeses se Turqise e cila i akuzon si mbështetës të klerikut Fetullah Gylen.
“Ishte një kërkesë nga AKI. Ata e kanë për detyrë të veprojnë në aspektin e hetimit dhe ta marrin një konstatim se një qytetar i huaji është i rrezikshëm. Këtu ka pasur shumë qytetarë të huaj që kanë qenë të rrezikshëm dhe që iu është hequr leja e qëndrimit – ajo e përhershme dhe e përkohshme deri te shtetësia dhe atë pa ndonjë arsyetim të veçantë. Pastaj janë procedurat dhe largimi i menjëhershëm i qytetarëve të cilët e cenojnë sigurinë në vendin tonë”, ka thënë Sefaj në Zonën B të Klan Kosovës.
Ish-ministri është shprehur se lidhur me çështjen e depërtimit të gylenistëve nuk ka mundur ta neglizhoj AKI-në.
“Unë nuk do ta kisha neglizhuar AKI-në, sepse e kam pasur një analizë nga një institucion i rëndësishëm, ku në mënyrë shumë të qartë shkruan se këta persona janë të rrezikshëm për vendin. Nuk mundesh ta ndalësh AKI-në. Kushdo që e ndal, sigurisht shkakton kundërvajtje shumë të rëndë”- tha ai.
Largimin e tij nga pozita e Ministrit të Brendshëm, Sefaj e sheh më shumë si lojë politike.
“Nuk e kuptoj pse loja politike mund të arsyetohet me këtë çështje. Kanë mundur të më thonë: ‘Dëgjo, është mirë të largohesh ti, nuk kemi shumë deputetë dhe e kemi menduar kështu’, ose se ‘duhet të bie një kokë’. Në rregull është, unë do ta kuptoja”- tha ai.