Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka regjistruar të shtunën në Kosovë tetë viktima me koronavirus.
“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Rahovec 2 raste (65, 50 vjeç), Ferizaj 1 rast (61 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (76 vjeç), Kamenicë 1 rast (57 vjeç), Podujevë 1 rast (73vjeç), Prishtinë 1 rast (67 vjeç), Mitrovicë 1 rast (84 vjeç)“, është thënë në njoftim.
Sipas këtij institucioni, në 24 orët e fundit janë regjistruar 498 raste të infektimit me këtë virus, pas testimit të 2,835 mostrave.
Kjo nënkupton që 17.5 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë.
IKSHPK-ja ka njoftuar se më 17 prill janë shëruar 641 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 12,609.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 101,153 pacientë me këtë virus.
Prej tyre 2,061 kanë vdekur. Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.
Ky vend është thënë se do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.