Nga Sylë Ukshini
Në kohën kur po dukej se gjendja në Kosovë po shkonte drejt përkeqësimit të mëtutjeshëm dhe sulmet ajrore nuk po jepnin rezultatet e pritura, si kudo në Evropën Perëndimore, ashtu edhe në Gjermani filloi të shtohet presioni i opinionit publik. Në këtë fazë të zhvillimeve dramatike diplomacia gjermane orvatej të krijonte në NATO një balancë midis tejkalimit preventiv të krizave dhe menaxhimit të besueshëm të luftës së Kosovës përmes Politikës së Përbashkët Evropiane të Jashtme dhe të Sigurisë. Në këtë linjë vendimtare do të jetë iniciativa politiko-diplomatike e palës gjermane, e cila në emër të BE-së u angazhua për prezantimin e kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare te Beogradi
Gjatë ditëve të para të luftës, shumica e politikanëve në Perëndim dhe shumë ushtarakë të NATO-s besonin në kapitullimin e shpejtë të Millosheviqit. Por shumë shpejt gjendja e shqiptarëve vetëm sa përkeqësohej dhe diktatori serb intensifikonte fushatën e tij dëbuese. Vetëm në vigjilje të Samitit të NATO-s në Washington u shtrua nevoja për një strategji më frytdhënëse për parandalimin dhe menaxhimin e krizave dhe deri në përmbyllje të punimeve u diskutua nëse strategjia e NATO-s duhet të lidhet strikt me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Në kohën kur po dukej se gjendja në Kosovë po shkonte drejt përkeqësimit të mëtutjeshëm dhe sulmet ajrore nuk po jepnin rezultatet e pritura, si kudo në Evropën Perëndimore, ashtu edhe në Gjermani filloi të shtohet presioni i opinionit publik. Në këtë fazë të zhvillimeve dramatike diplomacia gjermane orvatej të krijonte në NATO një balancë midis tejkalimit preventiv të krizave dhe menaxhimit të besueshëm të luftës së Kosovës përmes Politikës së Përbashkët Evropiane të Jashtme dhe të Sigurisë. Në këtë linjë vendimtare do të jetë iniciativa politiko-diplomatike e palës gjermane, e cila në emër të BE-së u angazhua për prezantimin e kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare te Beogradi në formë të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të KB-së sipas Kapitullit VII të Kartës të KB, me qëllim që të evitohej tentimi i Millosheviqit për të përçarë komunitetin ndërkombëtar.
Joschka Fischer llogariste në diplomaci “edhe duke pasur parasysh dobinë tonë dhe situatën e brendshme politike” në Gjermani, siç pranon ai: Kuvendi i jashtëzakonshëm i të Gjelbërve tashmë ishte caktuar. Ministri gjerman i Punëve të Jashtme ngarkon nëpunësit e tij për përgatitjen e një plani paqësor, që do t’i hapte rrugë Millosheviqit për të lëshuar pe. Në këtë fazë Qeveria Federale Gjermane, e cila duke shfrytëzuar si presidencën e saj në Bashkimin Evropian ashtu edhe G-8-shën (Grupi i 8 vendeve më të industrializuara), startoi me një iniciativë politiko-diplomatike për zgjedhjen e “nyjës gordiane” dhe arriti që këtë nismë t’ia impononte komunitetit ndërkombëtar si platformë bazë për gjetjen e kompromisit midis NATO-s dhe regjimit të Millosheviqit. Në të vërtetë qysh në fund të marsit 1999 diplomacia gjermane do të provonte të imponohej me iniciativa politiko-diplomatike, veçanërisht edhe për faktin se shteti gjerman ishte anashkaluar nga francezët dhe anglezët në Konferencën Ndërkombëtare të Rambouillet.
Reagimi i ftohtë në Washington e në Moskë
Këto ishin motivet e vërteta të planit paqësor gjashtë-hapësh të prezantuar nga ministri i Jashtëm gjerman, Joshka Fischer, para partnerëve ndërkombëtarë më 14 prill 1999 në takimin e Brukselit. Pa marrë parasysh hezitimet fillestare, plani Fischer, i cili mori karakterin e një nisme evropiane, përbënte bazat e procesit drejt një zgjidhje politike.
Në këtë kontekst, Wolfgang Ischinger, sekretar shteti në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, u dërgua në Moskë me qëllim të përfitimit të rusëve në këtë plan, pasi ata deri në atë moment Rusia kishte shfaqur kritika të ashpra ndaj operacioneve të NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur.
Në anën tjetër, siç kujton Fisher, ky plan u prit jo mirë nga diplomacia amerikane, madje shtypi amerikan e kishte cilësuar si një luhatje të qëndrimit të Gjermanisë në çështjen e intervenimit të NATO-s në luftën e Kosovës. Si në Washington ashtu dhe në Moskë reagimi ndaj iniciativës së Fischerit fillimisht ishte shumë i ftohtë. Kjo filloi të ndryshojë tek atëherë kur Fischer në një bisedë të gjatë arrin ta “zbusë” sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, që ajo krahas binarit ushtarak së paku të shikonte edhe për binarin diplomatik: “Ishte 12 prilli, në datëlindjen time, kjo përgjithmonë do të më mbesë në kujtesë”, shkruan Fischer në memoaret e tij politike.
Ky “Plan paqeje” i hapte rrugë përfundimit të bombardimeve të NATO-s dhe në konceptin e tij gjashtë-fazash parashihte një mandat të OKB-së për trupat paqeruajtëse në Kosovë sipas Kapitullit të VII të Kartës së OKB-së. Me Planin Fisheri OKB duhej të merrte një rol qendror në procesin e bërjes së paqes dhe në organizimin e administrimit të përkohshme të Kosovës.
Në Samitin e NATO-s në Washington, më në fund ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes u pajtuan për shtjellimin, si dhe në çfarë kushtesh do të mund të ndërpriteshin sulmet ajrore të NATO-s.
“Plani Fischer”, i përqeshur nga disa, i kritikuar nga shumë dhe i gjykuar si shpresë e vagëlluar, në ditët vijuese nga kryetarët dhe kryeministrat e qeverive të NATO-s u miratua si strategji zyrtare e Aleancës transatlantike.
Kushtet për fundin e sulmeve ajrore
Një risi në planin e Fischerit ishte intenca për aktivizimn e Grupit të 8 vendeve më të industrializuara (SHBA, Kanada, Gjermania, Rusia, Franca, Italia dhe Britania e Madhe), ku bënte pjesë edhe Rusia, të cilën pala gjermane dëshironte ta riaktivizonte në procesin negociues. Qëllimi i “Planit Fischer” ishte që në bashkëveprim me Rusinë të hartohej një rezolutë në Këshillin e Sigurimit, e cila do të mundësonte dhënien fund të sulmeve ajrore nën këto kushte:
Tërheqja e të gjitha forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe nga Kosova;
Zotimi i UÇK-së për t´u dhënë fund sulmeve dhe për të dorëzuar armët;
Dislokimi në Kosovë i trupave paqeruajtëse ndërkombëtare nën udhëheqjen e NATO-s;
Kthimi i të dëbuarve dhe i refugjatëve;
Vendosja e Kosovës nën një administratë të përkohshme, deri sa të jetë arritur një zgjidhje politike përfundimtare;
Fillimi i programeve të ndihmës humanitare për zbutjen e gjendjes së rëndë dhe për rindërtimin e Kosovës;
Sipas këtij plani, pas aprovimit të Rezolutës NATO-ja do të duhej që brenda 24 orëve të ndërpriteshin sulmet ajrore për t´i dhënë mundësinë Jugosllavisë së mbetur që të bënte një tërheqje të dukshme të trupave të saja ushtarake. Po qe se do të dëshmohej një tërheqje, atëherë parashikohej një suspendim i mëtutjeshëm i sulmeve ajrore. “Plani Fischer” bazohej në katalogun e kërkesave të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel me 8 prill 1999 dhe për herë të parë shënonte shmangien nga Marrëveshja e Rambouillet, e cila nga ky moment mund të konsiderohej e vdekur.
Plani Fischer më nuk kishte referenca të Marrëveshjes së Rambouillet, por shumë më tepër bazohej në opsionin e një zgjidhjeje kalimtare, administrim kalimtar deri në rregullimin përfundimtar të statusit politik të Kosovë, pra, ofronte një zgjidhje të pjesshme të problemit të Kosovës dhe jo një zgjidhje definitive që do të garantonte stabilitet afatgjatë. “Plani paqësor i ministrit të Jashtëm, Fischer, megjithatë, përfaqësoi vetëm një pjesë të konceptit tonë ballkanik, të kufizuar në zgjidhjen e krizave imediate, e jo në shërimin e simptomave. Nga këndvështrimi ynë, konflikti i Kosovës në të vërtetë ka treguar se e tërë Evropa Juglindore kishte nevojë për një qasje gjithëpërfshirëse për stabilizim. Komuniteti ndërkombëtar për një kohë shumë të gjatë e kishte kufizuar vetveten nga menaxhimi i krizave, duke neglizhuar parandalimin e krizave afatgjate”, konstaton Wolfgang Ischinger, i cili në kohën e hartimit të këtij plani mbante detyrën e sekretarit shtetëror të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.
Në kërkim të kompromisit midis NATO-s dhe Rusisë
Avantazhi i tij ishte se për herë të parë që nga fillimi i fushatës ajrore kundër infrastrukturës ushtarake serbe po afrohej në tavolinën diplomatike një plan i ri, që synonte të gjente mënyrën për arritjen e një kompromisi midis NATO-s dhe Rusisë dhe më pas me Jugosllavinë e mbetur. Kaluan disa ditë derisa “Plani Fischer” u kalua dhe u shqyrtua në BE, në SHBA dhe më pas u përkrah nga këto qendra të vendosjes. Shpejt u bë e qartë, se përkitazi me situatën në terren, ky plan ishte alternativë e vetme për këtë periudhë kur pakkush besonte se NATO-ja do të mund të ndërhynte me trupa tokësore. Por moment vendimtar ishte pajtimi i presidentit rus, Boris Jelcin, me këtë ofertë, meqë ai dëshironte të shmangte izolimin që po i kërcënohej Rusisë dhe siç duket ai po ashtu nuk dëshironte të mendonte për një ndihmë ushtarake për presidentin serb, Sllobodan Millosheviq. Për këtë arsye, ai emëroi kryeministrin e dikurshëm rus, Viktor Çernomërdin, një politikan pragmatik dhe me lidhje të mira me Perëndimin dhe veçanërisht me SHBA-në, sidomos me Al Gorin, zëvendëspresidentin amerikan, si përfaqësues special për Kosovën dhe me këtë partner kryesor në kuadrin e G-8. Po kështu, me këtë veprim Jelcin i mori nga dora rastin e ministrit të Jashtëm me orientim nacionalist e dogmatik, Igor Ivanov, por edhe aparatçikut Primakov. Më 22 prill 1999 presidenti rus dërgon në Beograd të ngarkuarin e tij të posaçëm për Ballkanin, Çernomërdin, i cili e njihte Milosheviqin dhe kishte qenë i pranishëm edhe në Paris gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes paqësore për Bosnjën me 1995.
Një element tjetër i “Planit Fischer” qe edhe emërimi i presidentit finlandez Marti Atisaari, si ndërmjetësues i Bashkimit Evropian, që në këtë fazë shtoi impenjimin për t´i dhënë fund luftës së Kosovës. Në anën tjetër, në emër të SHBA-së do të negocionte zëvendëssekretari i shtetit Strobe Talbott, një ekspert i jashtëzakonshëm për Rusi. Ahtisaari gëzonte reputacion të mirë jo vetëm në Washington dhe OKB, por kishte marrëdhënie të mira edhe me Moskën dhe e njihte në detaje punën e negociatave diplomatike. Përparësi tjetër për Marti Ahtisaarin ishte se ai vinte nga Finlanda, vend ky neutral dhe në marrëdhënie të mira me Lindjen, Jugun e Perëndimin.
Bërja e paqes
Me emërimin e presidentit finlandez, Ahtisaari, si i dërguar i posaçëm i BE-së, procesi diplomatik në kërkim të zgjidhjes paqësore të krizës së Kosovës kishte filluar të rrjedhë në tre binarë: BE, Grupi 8 dhe kontaktet bilaterale. BE përmes angazhimit të diplomacisë gjermane luajti një rol të rëndësishëm gjatë lojës përfundimtare diplomatike, respektivisht futjen në bord edhe të Rusisë. Si rezultat i kësaj, tani vepronte treshja e sapoformuar, e përbërë nga Ahtisaari, Talbotti dhe Çernomërdini, që përfaqësonin BE-në, SHBA-në dhe Rusinë.
Ndërkohë, në G-8 vazhdonte puna paralele e drejtorëve politikë dhe ministrave të jashtëm, e cila u përqendrua para së gjithash në hartimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit, e cila do t’i hapte rrugë bërjes së paqes, administrimit ndërkombëtar dhe dislokimit të trupave paqeruajtëse, bërthama e së cilës do të përbëhej nga trupat ushtarake të NATO-s.
Më 6 maj 1999 ministrat e Jashtëm të vendeve të G8 në Petersberg afër Bonit, do të merrnin seriozisht në shqyrtim “Planin Fischer” dhe do të pajtohen për parimet bazë të zgjidhjes politike, megjithëse Rusia bëri të qartë se një zgjidhje politike do të mund të arrihej vetëm pasi të jenë ndaluar bombardimet. Negociatat paraprakisht u zhvilluan përgjatë vijës ndarëse 7 plus 1. Rusia negocionte me të gjitha shtetet e tjera të Grupit G-8, të kryesuara nga SHBA-ja.
Me gjithë presionin rus, që favorizonte vetëm pesë pika të deklaratës, shtetet e G-8 miratuan katalogun e kërkesave (Deklarata e Petersbergut) për një zgjidhje politike, i cili, krahasuar me katalogun e kërkesave fillestare të NATO-s, BE-së dhe OKB-së, pësoi një tkurrje të ndjeshme.
Një gjë e tillë shihet më së miri edhe nga 7 parimet e përgjithshme themelore të arritura midis ministrave të jashtëm të G-8-shes për një zgjidhje politike të problemit të Kosovës, të cilat vlen të prezantohen këtu, sepse në bazë të tyre është arritur edhe marrëveshja me Jugosllavinë e mbetur si dhe u mor vendimi i Këshillit të Sigurimit për organizimin e aktiviteteve pas bombardimeve:
Përfundimi momental dhe i verifikuar i dhunës dhe represionit në Kosovë,
Tërheqja e ushtarëve, policëve dhe e formacioneve paraushtarake nga Kosova,
Vendosja e një pranie ndërkombëtare civile efektive dhe të sigurisë në Kosovë, e cila do të miratohej dhe vendosej nga Kombet e Bashkuara dhe që do të jenë në gjendje për garantuar arritjen e synimeve të përbashkëta,
Krijimi i një administrate kalimtare civile në Kosovë në harmoni me vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara,
Kthimi i sigurt dhe i lirë i të gjithë refugjatëve dhe i të dëbuarve dhe hyrja e papenguar në Kosovë e organizatave humanitare ndërkombëtare,
Fillimi i proceseve politike me qëllim që në bazë të marrëveshjes nga Rambouillet, të krijohen themelet për Kosovën autonome, duke marrë parasysh kërkesat e Jugosllavisë për respektimin e integritetit të saj territorial, si dhe demilitarizimin e UÇK-së,
Marrja e vendimeve gjithëpërfshirëse mbi ekonominë dhe statusin e mbarë rajonit.
Përveç këtyre parimeve, G-8 ngarkoi drejtorët politikë që të fillojnë hartimin e projektit të Rezolutës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe programit me të cilin do të caktohej një orar, i cili do të përmbante hapat e tjerë konkretë në drejtim të arritjes së paqes. Gjithashtu, në pikën katër të deklaratës, G-8 ngarkoi Gjermaninë me detyrën që të informonte Qeverinë e Kinës për rezultatet e takimit.
Në përgjithësi, ky katalog i parimeve të ministrave të shtatë vendeve më të industrializuara dhe Rusisë paraqet një koncesion për Moskën zyrtare si dhe për vetë regjimin e Millosheviqit, cili po kërkonte mënyrën për të dalë nga kursi konfrontues me Perëndimin.
Në këtë drejtim një zmbrapsje paraqiste pika 6, e cila, në njërën anë i referohej Marrëveshjes së Rambouillet dhe integritetit territorial të Jugosllavisë së mbetur, ndërsa, në anën tjetër nuk përcaktonte kohëzgjatjen e administrimit ndërkombëtar, duke e lënë të hapur statusin e Kosovës, respektivisht qendrat ndërkombëtare të vendosjes e shihnin atë si pjesë e Jugosllavisë së mbetur.
Derisa evropianët edhe pas intervenimit ushtarak dhe vrasjeve e dëbimeve masive të shqiptarëve ende angazhoheshin për parimin tradicional vestfalian, duke e trajtuar Kosovën në kuadrin e Jugosllavisë së mbetur, amerikanët kishin filluar të jepnin shenjat se mund të braktisnin këtë variant. Kjo duket qartë edhe në letrën e nënpresidentit Al Gore drejtuar Çernomërdinit, ku nënpresidenti amerikan theksonte se “vazhdimi i armiqësive do t’ia vështirësonte bashkësisë ndërkombëtare ruajtjen e tërësisë së Jugosllavisë, duke pasur parasysh radikalizmin në rritje të shqiptarëve të Kosovës” si dhe gjatë takimi të treshes, Ahtisaari, Talbott dhe Çernomërdin në Helsinki, takim ky që përfundoi pa rezultat, pasi amerikanët kërkonin që, pos largimit të plotë të serbëve nga Kosova, të mos përmendej çështja e integritetit territorial të Jugosllavisë së mbetur. Por, evropianët dhe Rusia dolën kundër këtij opsioni dhe me këtë Beogradi iu shmang humbjes ushtarake, të cilën e preferonin amerikanët dhe me këtë Kosova vazhdoi të trajtohej de jure si pjesë e Jugosllavisë së mbetur, gjë e cila do të konfirmohet më pas edhe përmes rezolutës së OKB-së pa ndryshimin e së cilës u bë e pamundur zgjidhja e statusit të Kosovës.
Veç kësaj, Deklarata e Petersbergut erdhi në kohën kur në qendrat ndërkombëtare të vendosjes, sidomos në Gjermani dhe Itali, ishte krijuar bindje se dalja nga situata konfrontuese me regjimin e Millosheviqit duhej kërkuar në rrafshin politik dhe kompromisit midis Washingtonit dhe Moskës. Ndërkohë, kancelari gjerman, Gerhard Schröder, në rolin e kryesuesit të radhës të BE-së, udhëtoi në Helsinki, për t’u takuar me presidentin finlandez Marti Ahtisaari (atë më 10 maj 1999 e kishte takuar edhe presidenti francez Jacques Chirac), i cili tashmë kishte filluar bisedimet me Moskën, respektivisht me Çernomërdinin. Gjatë këtij takimi, kancelari gjerman i premtoi Ahtisaarit mbështetjen e Bashkimit Evropian për realizimin e misionit të tij ndërmjetësues. Në të njëjtën kohë ministrat e BE-së vendosën në Bruksel për përgatitjen e një “Pakti Stabiliteti” për vendet e Ballkanit.
Përgatitjet për misionin e përbashkët të emisarit të BE-së dhe të dërguarit rus Çernomërdin zgjatën afërsisht dy javë, ku herë pas here në bisedime mori pjesë edhe zëvendëssekretari amerikan i shtetit Talbott. E rëndësishme ishte që të harmonizoheshin qëndrimet midis ndërmjetësuesve në mënyrë që ata të paraqiteshin unik në Beograd, në mënyrë që Millosheviqit të mos i lihej hapësirë për manovrim.
Ndërkohë ishte shtuar edhe numri i ndërmjetësve dhe emisarëve ndërkombëtarë dhe krijohej përshtypja sikur po bëhej një konkurrencë se cila palë do të propozojë e emërojë më shumë ndërmjetës.