Ministria e Punëve të Jashtme konfirmon se në 24 orët institucionet shtetërore kanë përjetuar sulm të fuqishëm kibernetik, që vjen nga Serbia, Bosnja, një pjesë edhe nga Maqedonia. Janë hakuar email-at e institucioneve shtetërore. Eksperti i sigurisë Kibernetike, Hekuran Doli, thotë se sulmet po vazhdojnë me intensitetin e njëjtë.
Institucionet e Kosovës janë goditur nga një sulm i fuqishëm kibernetik që vjen nga Serbia. Madje, ekspertët e kësaj fushe thonë që ky është sulmi më u fuqishëm në historinë e internetit në Kosovë.
Pas raportimeve të Gazetës Express, sulmin e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme. Fatmir Haxholli, këshilltar i Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit, i ka thënë Gazetës Express se cak i këtij sulmi janë institucionet e Kosovës, e me theks të vecantë përfaqësitë diplomatike të Kosovës, kudo në botë.
“Është e vërtetë që në 24 orët e fundit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucionet e tjera të RKS kanë qenë të njoftuara për një sulm kibernetik dhe është thënë përmes komunikimit zyrtarë nga Agjencia e Shoqërisë Informative është bërë e ditur se target ka qenë ministria e Punëve të Jashmte, repsketivisht përfaqësuesit diplomatikë të RKS, komunikimi me ta ose përmes tyre”, ka treguar Haxholli.
Gazeta Express gjatë ditës ka siguruar njoftimin që Qeveria e Kosovës i ka dërguar ambasadave kosovare për t’i njoftuar rreth këtij sulmi. Janë hakuar email-at zyrtare të shtetit, e kanë frikë se ky sulm mund të zgjerohet.
Qeveria i ka njoftuar të gjithë institucionet se kanë pasur një sulm masiv që vjen prej Serbisë, Bosnjës e Maqedonisë.
“Ju njoftojmë qe sot prej orës 10:00 kemi pasur sulm kibernetikë masiv dhe i cili është duke vazhduar ende. Sulmi është shume i organizuar dhe vjen nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe tani kur po e bëjë ketë njoftim ka filluar edhe nga Maqedonia”, thuhet në njoftimin që e ka siguruar Express prej burimeve në Qeverisë
Zyrtari i MPJ’së thotë se nuk mund të japin konstatime nëse sulmet vijnë nga Beogradi zyrtar, apo vetëm nga hakerët serbë, por sipas tij, është shqetësuese që Serbia po i bën vend sulmeve kibernetike.
“Nuk mund të dalim me konstatime se cila është adresa vijnë këto sulme, por ajo cfarë ne mund të flasim, si MPJ, është se në këtë rast Serbia përmes metodave hibride, me këtë rast edhe përmes sulmeve kibernetike që vinë nga ky vend dëshmon se ka potencial për krim të organizuar ndërkombëtar”, ka shtuar Haxhilli.
Në anën tjetër, eksperti i Sigurisë Kibernetike, Hekuran Doli, e ka konfirmuar këtë sulm. Ai ka thënë për Gazetën Express se aktualisht, përvec institucioneve publike, si pasojë e këtij sulmi janë të rrezikuar institucionet private, mediat, mjetët e komunikimit, ato private dhe publike. Ai tregon se targeti ka qenë te posta elektronike si dhe faqet e institucioneve.
“Tash për tash dihet se cak kryesore kane qene sistemi i komunikimit te emailit i qeverise se Kosovës, faqet e institucioneve te Kosovës, si dhe mediat online”, ka thënë Doli, udhëheqës i kompanisë Cingërr, e cila kujdeset për sigurinë e shumicës së mediave online në Kosovës dhe Shqipëri.
Ndërsa, ai ka treguar se hakerët po vazhdojnë me sulmet e tyre, dhe po pretendojnë që ta zgjerojnë invazionin.
“Sulmet vazhdojnë me të njëjtin intensitet, dhe ka shumë gjasë që sulmet të përhapen edhe në shërbime tjera”, ka thënë eksperti i sigurisë kibernetike, duke shtuar se “Ka mundësi që ky është sulmi më i madh në historinë e internetit në Kosovë.”
MPJ, si më e prekura nga këto sulme, po pret nga Agjencia e Shoqërisë Informative që të dalë me një raport, e më pas ky sulm të adresohet edhe në organizata ndërkombëtare të sigurisë.
“Ne po presim nga ASHI dhe nga institutcionet e tjera, të cilat kanë zotësinë dhe kompetencat për t’i evidentuar këto sulme që të përgatisin një evidencë për këto sulme sepse ne duhet ta paraqesimn në institucionet ndërkombëtare si diçka e cila është e patolerueshme”, ka thënë Haxholli nga MPJ./Express/a.meta