Kosova nis organizimet për festimin e 17 Shkurtit, ditës historike kur në vitin 2008 në Kuvendin e saj shpalli Pavarësinë.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit të saj themeloi Këshillin Organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Tradicionalisht, në Ditën e Pavarësisë, 17 Shkurt, Kuvendi i Kosovës mblidhet në një seancë solemne në orën 15:00 – orën kur është mbledhur për shpalljen e shtetit të ri evropian, ndërsa festimet që nisin ditë më parë përmbyllen me ndezjen e fishekzjarreve në mesnatë.
Organizohen edhe veprimtari të tjera në kryeqytet, Prishtinë, dhe në qytete tjera kosovare edhe me axhenda festimesh të komunave, përfshirë seancat solemne të tyre, si dhe koncertet. Në çdo 17 Shkurt njerëzit-qytetarët në festë mbushin sheshet dhe rrugët me defilime për Lirinë dhe Pavarësinë, për të shprehur edhe falënderimin e mirënjohjen e përjetëshme për të gjithë kontribuesit në botë.
Aktivitete me rastin e Ditës së Pavarësisë organizohen edhe në të gjitha ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Kosova 8-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë e pret me 111 njohje nga shtetet anëtare të OKB-së, deri sot. Njohjet e para Kosovës iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kosta Rika.
Nga shtetet fqinje vetëm Serbia ende nuk e ka njohur Kosovën, ndërkohë që në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, në Bruksel janë zhvilluar 30 raunde të dialogut në nivel të lartë kryeministror, duke nisur nga 19 tetori 2012. Raundi i fundit ishte në 27 janar 2016
Së shpejti Këshilli Organizativ do vendosë dhe njoftojë axhendën e festimeve.