U hap panairi i 67-të i librit, “Frankfurti 2015”. Përkundër disa paradokseve, festa më e madhe e librit në botë, që grumbullon mbi 7.000 botues të mbi 100 vende të botës, pritet të vizitohet nga 300.000 vizitorë, një rekord shkuar rekordesh ky. Edhe Kosova është pjesë e këtij panairi, madje këtë vit e përgatitur shumë më seriozisht sesa herëve të tjera, nën kujdesin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës dhe ndihmesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (duke mbuluar vetëm shpenzimet e stendës).
Janë 30 botues, aq sa figurojnë në panelet e estetike të stendës së Kosovës në Sallën 5.0 D131, me sipërfaqe 24 m2, tejet impresive me imazhin artistik të Arben Islamit nga Albumi “Majestic Kosova madhështore”. Në ueb faqen zyrtare të panairit (www.book-fair.com) janë 25 botues, por me siguri të dhënat janë të para tre muajve dhe ndërkohë është shtuar interesimi i botuesve kosovarë për të qenë pjesë e këtij eventi të jashtëzakonshëm të librit.
Renditja alfabetike e pjesëmarrësve: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, AIKD ’99, Alb-Med, Albas, Anton Pashku, Artini, BSS, Buzuku, Cuneus, Dija, Drita, Dukagjini, Faik Konica, Fondacioni Ibrahim Rugova, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, Koha, KREK, Libri Shkollor, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, Mendimi pozitiv, Neokultura, Njeri L.L.C., Pa, Pema, Rugova Art, Tenda, Titanik, Universiteti i Prishtinës dhe Universum press.
Janë mbi 350 tituj, gjysma e të cilëve të botuar brenda dy panaireve. Spikat sivjet edhe numri i titujve të përkthyer, veçanti e dy botuesve tashmë me emër të Kosovës: Buzukut dhe Kohës, të cilët kanë edhe titujt më të shumtë të botuar dhe të prezantuar.