Shoqata e Botuesve të Kosovës edhe këtë vit do të prezantohet në Panairin e Librit në Frankfurt, këso here me 350 tituj nga 25 botues që do të jenë në stendën e Kosovës.
Që nga viti 2000 kjo shoqatë është e pranishme në këtë panair. Sipas Besian Zenelit kjo pjesëmarrje është shumë e rëndësishme për Kosovën. “Ne marrim pjesë si Shoqatë e Botuesve të Kosovës dhe jemi të pranishëm në Frankfurt që nga viti 2000 e deri tani. Panairi i librit të Frankfurtit, sa u përket përmasave, është numri një në botë, që do të thotë në këtë panair marrin pjesë botues nga e gjithë bota dhe kjo është mundësi e mirë që të takohemi me ta dhe padyshim kjo pjesëmarrje është e rëndësishme”, citon KultPlus Zenelin. Sipas tij, jo të gjithë botuesit kanë mundësi pjesëmarrjeje, pasi që kanë kosto të lartë dhe nuk mund ti përballojnë, por e rëndësishmja sipas Besian Zenelit është që librat, katalogët dhe materialet promovuese të jenë atje.
Ndër 25 botuesit që do të marrin pjesë në këtë panair janë Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, Buzuku, Koha, Faik Konica, e shumë të tjera. Ndërsa sa i përket titujve të librave, Zeneli tha se 150 tituj do të jenë të këtij viti ndërsa 200 të viteve të kaluara por që janë shumë të rëndësishëm për tu prezantuar.
“Është “Monografia për Bekim Fehmiun” që e ka bërë Fahri Musliu që është një libër jashtëzakonisht i mirë, “Monografia për Kosovën” nga Akademia e Shkencave, e cila është e përkthyer edhe në gjuhën angleze, pastaj janë edhe dy libra të tjerë, një i Arben Islamit dhe një i Ismail Gagicës që janë me bukuritë e Kosovës, pastaj kemi edhe librat e autorëve shqiptarë si librat e Veton Surroit, pastaj libri për Ibrahim Rugovën i përmbledhur nga Enver Robelli, e kështu me radhë”, tregoi ai duke shtuar se Kosova merr pjesë në një stendë të veçantë.
“Ne marrim pjesë si Kosovë dhe e kemi stendën e veçantë, në krahasim me Shqipërinë, ata prezantohen vetëm individualisht”, u shpreh Zeneli.
Panairi i Librit në Frankfurt do të jetë në mes datave 14 dhe 18 të këtij muaji.