Republika e Kosovës feston sot 18-vjetorin e Pavarësisë.
Më 17 shkurt të vitit 2008, në orën 15:39 u shpall Pavarësia në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Në seancën e asaj dite, 109 nga 120 deputetë morën pjesë në sallë.
Deklaratën e pavarësisë e lexoi kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, i cili sot ndodhet në Hagë ku po përballet me një proces gjyqësor që për shumicën e shqiptarëve është i padrejtë.
Pavarësisht fushatës agresive nga ana e Serbisë, Republika e Kosovës tashmë njihet nga 119 shtete.
Me rastin e këtij përvjetori, institucionet shtetërore kanë organizuar një sërë aktivitetesh zyrtare dhe ceremoniale, duke nisur nga ngritja e flamurit në oborrin e godinës së qeverisë , te mbledhja solemne e qeverisë.
Agjenda e manifestimeve shtetërore
07:00 – Ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës (Oborri i Qeverisë)
07:20 – Mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës (Ndërtesa e Qeverisë)
07:30 – Nderime te Monumenti i të Pagjeturve (Sheshi “Ibrahim Rugova”)
07:35 – Homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë (Oborri i Presidencës)
08:00 – Homazhe te varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova (Varrezat në Velani)
08:10 – Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi (Varrezat në Velani)
09:00 – Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz
10:30 – Seancë solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës (Kuvendi i Kosovës)
11:25 – Nderime te Monumenti “Heroinat” (Rr. Luan Haradinaj)
11:30 – Parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës (Rr. Luan Haradinaj)
17:30 – Pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri
20:00 – Koncert solemn i Filharmonisë së Kosovës (Salla e Kuqe – Pallati i Rinisë)
Dita e Pavarësisë përkujton sakrificën dhe rrugëtimin e gjatë drejt lirisë, duke bashkuar qytetarët në nderim të figurave historike dhe në festim të arritjeve shtetërore.











