Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se qeveria Kurti e ka zhytur Kosovën në një krizë të thellë.
Ish-kryeministri Haradinaj këto komente i bëri të hënën në takimin me afaristë të vendit, në kuadër të ciklit të diskutimeve mbi situatën në vend.
Kryetari AAK-së, ka kërkuar nga opozita që menjëherë t’i mbledhë 40 nënshkrime për të filluar, siç tha ai beteja e mocionit të mosbesimit.
“Rrezikshmëria e kësaj krize na detyron dhe na obligon për çka është legjitime me shkuar në mocion të mosbesimit. E pse ky mocion, sepse nga ky moment ku opozita në këtë rast PDK, LDK dhe AAK, bashkojnë votat dhe kanë 40 nënshkrime menjëherë fillon beteja edhe për votat e mbetura. Dhe aty ndodh mobilizimi i të gjithëve që mendojnë që duhet me ndal këtë gjendje. Besojmë shumë se mocioni kishte me pasur sukses. Ne jemi parti e djathtë, ne jemi për taksa të ulëta për sipërmarrësit dhe besojmë se profitin duhet ti mbetet sipërmarrësit, sepse ata janë gjenerues të investimeve”, theksoi ai.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka organizuar takime të tilla me komunitetin e biznesit për “Rrugën pa Kurtin”.
/f.stafa