Në mbrëmjen e 28 marsit, në Kosovë arritën dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit. Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, një aeroplan i kompanisë, Turkish Airlines, ka sjell dozat e vaksinës.
Nga COVAX-i, në total Kosova do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës.
Kosova deri më tani është shteti i vetëm që nuk ka nisur fushatën e imunizimit kundër sëmundjes COVID-19.
Ditëve të fundit, në Kosovë ështëregjistruar rritje të rasteve me koronavirus. Të dielën, u regjistruan dhjetë viktima dhe 914 raste. Kjo është shifra më e lartë e infektimeve ditore që janë regjistruar më 2021.
Që prej marsit të kaluar, kur u paraqitën rastet e para me COVID-19, Kosova ka regjistruar 87.981 raste me koronavirus. Prej tyre, 1.840 raste kanë përfunduar me fatalitet.
/a.r











