Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës, Prenkë Gjetaj, ka pritur kryetarin e Komisionit për Persona të Zhdukur të Malit të Zi, Dragan Gjukanoviq. Gjatë takimit, u diskutua mbi bashkëpunimin e deritanishëm në mes të dy komisioneve, në përpjekjen e përbashkët për ndriçimin e fatit të të gjithë personave të zhdukur, gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Po ashtu, gjatë takimit, të dy delegacionet diskutuan mbi mundësitë e intensifikimit të këtij bashkëpunimi , si dhe koordinimin e mëtutjeshëm në kuadër të nismave rajonale, përmes të cilave do të adresohen sfidat e përbashkëta në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, njofton kumtesa qeveritare.
Me këtë rast, Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës, Prenkë Gjetaj, dhe Kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur të Malit të Zi, Dragan Gjukanoviç, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, transmeton Koha.net.