Kandidatja e LDK-së për kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një këshillë në drejtim të partive politike në vend. Duke thënë se gjuha e urrejtjes është kthyer gjithandej në përditshmëri, ajo ka ftuar përfaqësuesit politikë që jo vetëm të dënojnë gjuhën kërcënuese por edhe t’i ftojnë aktivistët e anëtarët e tyre për gjakftohtësi, tolerancë e mirëkuptim.
“Për fat të keq, tashmë gjuha e urrejtjes është kthyer gjithandej në përditshmëri, por kërcënimi i familjeve është sulm ndaj vlerave më të rëndësishme që kemi si shoqëri. Familja është e shenjtë dhe nuk ka dallim politik që arsyeton nxitjen e urrejtjes e të kërcënimeve të tilla”, ka thënë Osmani në një postim të saj në “Facebook”.
Ajo ka thënë gjithashtu se “është koha që të gjithë të bëjmë thirrje e të punojmë për gjuhë përafruese e të mirëkuptimit ndaj njëri-tjetrit”.
“Pavarësisht dallimeve politike, ne të gjithë kemi vetëm një atdhe, Republikën e Kosovës, të cilën duhet ta ruajmë e zhvillojmë duke respektuar njëri-tjetrin. Prandaj i ftoj edhe përfaqësuesit e tjerë politikë që jo vetëm të dënojnë gjuhën kërcënuese por edhe t’i ftojnë aktivistët e anëtarët e tyre për gjakftohtësi, tolerancë e mirëkuptim”- ka thënë Osmani.
/a.r