• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, December 31, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Koronavirusi është një fakt real, por ka edhe spektakël me tepri

by Servet Pëllumbi
02/09/2020 15:16
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Prof. Servet Pëllumbi

Koronavirusi, këtë prag pranvere (mars 2020), që shkaktoi një pandemi në shkallë botërore, na futi në mendime më realiste, por disi pesimiste. Njerëzimi po sheh se po hyn me shpejtësi në një epokë, në të cilën po ndodh ndryshimi 100 % i psikologjisë së njerëzve përballë rreziqeve globale. Duket sikur “e ardhmja” tashmë trokiti në derën e së sotmes dhe nuk është aspak e tillë siç mund të jetë përfytyruar nga ata që janë peng i të menduarit në mënyrë një lineare. Ndërkaq, koronovirusi është fakt real, ka të infektuar dhe vdekje, por ekziston edhe spektakli, madje me tepri!

-1-

Në situata të tilla komplekse si kjo e sotmja, vlerësimi për komunitetet dhe qeveritë, për shtetet dhe kombet, duhet bërë duke u nisur nga kapacitetet e tyre të solidaritetit. Një kërkesë e tillë bëhet edhe më imperative po të jetë se do të hedhim vështrimin pas, qoftë dhe vetëm në 15-20 vjetët e fundit. Një hap i tillë do të na ndihmonte të kuptonim se sa defiçitar është bërë sot “kapaciteti i solidaritetit”. Përgjithësisht, njerëzit kanë jetuar me mitin e “konsumit të bukur”, të një hedonizmi të shkujdesur dhe një “glamour filozofie”, që përligj të jetuarit me ditën e sotme si pasojë e reklamave marramendëse që u bëhet yjeve të muzikës, modës, sportit, kinematografisë, etj. Nëpërmjet reklamave, mjeshtërore nga pikpamja psikologjike dhe estetike, kompanitë “prestigjioze” transnacionale, na thanë si të vishemi, ku të pushojmë, ç’muzikë duhet të dëgjojmë e ç’lokale duhet të frekuentojmë për të qenë “trendy”! Aktualiteti filloi të përcaktohej e vlerësohej me mentalitete e shije të standardizuara dhe egoiste.

Mirëpo, ndodh që “na vjen”, kushedi nga ç’laborator, në mënyrë të qëllimshme apo të rastësishme, nga Perëndimi apo nga Lindja, armiku i rrezikshëm dhe i padukshëm me emrin e gjatë Koronavirus, për të cilin nuk ka mjekim adekuat. Gjithsesi, janë futur në panik të pasur, snobë dhe të varfër, të “Qendrës” dhe të “Periferisë“, besimtarë dhe ateistë, pra njerëzimi mbarë. Kjo lloj lufte pa vija fronti, nuk pyet se je miliarder apo se jeton me një apo më pak se një dollar në ditë, nuk pyet për markën tënde të makinës, për llojin e xhinseve që vesh, për restorantet e kazinotë që frekuenton, për muzikën e artistët që pëlqen…!

Ndërkaq, në rastet e pandemive si kjo e tanishmja, “bota e njeriut” reduktohet me metrat katrorë të një shtëpie ku ai detyrohet të vetëkarantinohet me “kosën” mbi kokë! Prandaj, nuk mund të mos i imponohen deri dhe kufizime të lirisë personale si kusht për të “burgosur” koronavirusin! Për më tepër që shkenca detyrohet të veprojë post festum, pra me një lloj vonese, që imponohet nga veçoria e lidhjeve shkak-pasojë. Gjithsesi, nevoja e njohjes së rreziqeve ekzistenciale dhe e pasojave të mundshme të tyre mbi njeriun, shoqërinë dhe njerëzimin, na imponon që t’u referohemi disa hipotezave apo dhe fakteve, që u bënë sfiduese në situatën e krijuar nga pandemia COVID-19!

Profesori i njohur Chandra Wickramasinghe, ka propaganduar versionin, se koronavirusi mund të ketë rënë mbi Kinë, pikërisht mbi Wuhan, nga shpërthimi më 11 tetor 2019 i një meteori. Shpërthimin e meteorit e patën njoftuar edhe gazetat britanike Express dhe Daily Mail. Astrobiologë të tjerë dhe specialistë të sëmundjeve infektive, deklarojnë me të drejtë, se për teori të tilla deri sot nuk ka asnjë argument a provë. “Pohimet ekstraordinare, deklaron astrobiologu i njohur Graham Lau, kërkojnë argumente ekstraordinare”. (Spac.com).

Kurse lidhur me natyrën e koronavirusit dhe sidomos me pyetjen: “Armiku” i sotëm i padukshëm, është natyror apo produkt laboratori?, shkencëtarë të njohur mikrobiologë deklarojnë, se nga studimi i përbërjes gjenetike të virusit, rezulton që të jetë natyral. Këtë version mbron edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Të tjerë, që e vënë këtë version në dyshim, deklarojnë se “regjisor” i përhapjes së koronavirusit është intelekti artificial! Por jo më pak “peshë” ka edhe versioni i krijimit të koronavirusit në laborator dhe i përhapjes së qëllimshme të tij! Madje, thuhet se ky version qënka dhe i “dokumentuar”!

Kështu, që më 9 nëntor 2015 në sajtin Nature.com, shkencëtarë amerikanë shkruanin mbi punën e tyre për krijimin e koronovirusit të ri të aftë për të kaluar nga “lakuriqët e natës tek njeriu”. Ja versioni më i plotë në origjinal:“The emergence of SARS-CoV heralded a new era in the cross-species transmission of severe respiratory illness with globalization leading to rapid spread around the world and massive economic impact”.(Nature news .com 13.11.2015). Megjithatë, pesë vitet që na ndajnë nga 2015, janë një kohë mëse e mjaftueshme për ta prodhuar koronavirusin edhe vende të tjera që kanë loboratore virusologjike të teknologjisë së lartë si ai në Vuhan të Kinës. Prandaj, pyetja e vetme që kërkon përgjigje sot për sot është: Si u gjend i “lirë” koronavirusi dhe kush ishte i interesuar për “marshimin” e tij nëpër planet kur njerëzimi vazhdon të tregohet i paaftë për veprime të koordinuara mbinacionale?

Ndërkaq, politika pa moral, po e shfrytëzon një situatë të tillë mosbesimi dhe paniku, për t’i fryrë zjarrit të luftës për interesa të dyshimta dhe meskine. Mediat, si gjithmonë, bëhen pjesë integrale e fushatave të tilla. Si zakonisht, edhe në rastin e krizës së sotme që lidhet me pandeminë COVID-19, dominojnë  akuzat reciproke. SHBA akuzon Kinën si përhapëse të virusit. (Thuhet se kërkojnë 9 trilion dolarë­ dëmsh­rblim!). Gazeta britanike “Daily Mail” shkruan, se “koronavirusi doli nga laboratori kinez. Nuk është rastësi që laboratori është në Vuhan… Stafi u spërkat me gjak për ta çuar virusin tek njerëzit në këtë qytet që është zonë e lirë ekonomike, ku jetojnë 12 milionë njerëz, ndër të cilët edhe shumë të huaj, amerikanë, europianë..”. Madje, kjo e përditshme jep edhe koston e këtij procesi prej 10 milionë stërlinash! Kinezët u bëjnë 10 pyetje publike “djegëse” SHBA-së dhe akuzojnë amerikanët për nisjen e një “Luftë të re të Ftohtë” dhe si më të interesuarit për këtë pandemi. Teoritë konspirative janë gjallëruar si rrallëherë. (Në këtë linjë, edhe sipas mediave amerikane, kanadeze etj., nëse nuk do të kishte ndodhur pandemia COVID-19, që nisi në Kinë në dhjetor 2019, sot Kina do t’ia kishte kaluar SHBA-së­ dhe do të ishte forca e parë ekonomike botërore. Kjo quhet arsye e mjaftueshme dhe me peshë për të nxjerrë përfundimin që fajëson SHBA për prodhimin dhe përhapjen e virusit korona). “Fatura”për këtë pandemi, gjithsesi, ka për të mbetur e panjohur dhe e hapur për një kohë të pacaktuar.

Ndërkaq, nuk duhet harruar fakti që jetojmë në një botë ndryshe, në një situatë papërcaktueshmërish absolute, kur paradigma e “rezultateve të parashikuara”, e ka humbur vlerën e vet. Paqartësia, surprizat, probabiliteti i ulët, janë sot çelësi për marrjen e vendimeve. Kjo po shoqërohet me frikë, pasiguri e mosbesim. Kështu, po thuhet se bota do të ndryshojë, po si, në ç’drejtim dhe cilët do e ndryshojnë? Veçori të tilla të njohjes sociale, e bëjnë absolutisht të domosdoshëm një nivel të ri bashkëpunimi shkencor ndërkombëtar. Dhe, jo vetëm për zbulimin dhe prodhimin e vaksinës për COVID-19!

Megjithatë, prioritare sot është lufta me të keqen që plakosi planetin, lufta konkrete dhe e mirorganizuar në nivel botëror dhe lokal, si dhe apeli “Të gjithë bashkë për një botë më të sigurtë!” Njëherësh, për të zbuluar e njohur qëllimet e atyre që po përpiqen të përfitojnë nga kjo fatkeqësi në kurriz të të tjerëve. Thënë shkurt, duhet të ketë vend, si për të pasur frikë, ashtu dhe optimizëm për të ardhmen. Frika në thelbin e vet, nuk është se ndonjë lloj virusi mund të zhdukë njerëzimin. Kjo nuk mund të ndodhë. Më e rrezikshmja ka të bëjë me atë që ka forca tepër të fuqishme, produkt të transnacionalitetit, që lozin me ne dhe të ardhmen e njerëzimit në kushtet, kur “Sistemi humanitar global ka rënë në gjunjë…” (Devid Stiven dhe Aleks Evans. Esé. World Politics Review, 25.03.2020)

Në këtë funksion po kombinohen “frika, uria dhe dashuria, si përcaktues të sjelljes njerëzore” (Frojdi) për shpërthimin kaotik të panikut dhe emocioneve, që frenojnë e manipulojnë vetëdijen e miliona njerëzve në mbarë botën, por dhe që dëshmojnë, se virusi informacionist ia kalon disa fish koronavirusit. Kjo i jep atij “statusin” e katalizatorit të krizës globale, të rënies drastike të tregjeve financiare dhe të ekonomisë reale, që nga “oligarkia financiare globale” pritet të “shkarkohet” mbi të tjerët, sidomos mbi periferinë. Gjithsesi, kriza ka për të qenë më katastrofike nga ajo e vitit 2008. “Gjendja e shokut ekonomik global, sipas ekonomistit të njohur amerikan N. Rubin, rezulton që të jetë më shpërthyese dhe më e ashpër nga kriza financiare botërore e vitit 2008. Madje, edhe në krahasim me Depresionin e Madh”. (Nuriel Rubini. Project Sindicate, 24.03.2020).

Nga kjo krizë, sipas specialistëve, do të humbasin të gjithë shtetet, bankat qendrore dhe shumë korporata, përfshi dhe njerëzit e thjeshtë e nevojtarë, kurse fitimtarë do të jenë vetëm disa kompani transnacionale “triumfatore”, apo dhe vetëm disa familje me benefice të veçanta (“Luminatët”) që drejtojnë botën, kurse sot “braktisin” botën e globalizmit duke e kaluar pandeminë COVID-19 në ishujt e tyre personalë të “kristaltë”! (Realisht i tillë është fundi logjik i globalizmit pa fre, që zhbën solidaritetin dhe, dashje pa dashje, nxit prirjet nacionaliste të “mbylljes” së frikshme ekonomike dhe psikologjike.) Prej këtej mund të supozohet, se pandemia globale COVID-19 është më tepër informacioniste për të trembur fort njerëzimin, me arsyetimin kriminal, se të tremburit drejtohen e manipulohen më lehtë!

Ndërkaq, i krijohen hapësira “Mafies”, që ndryshe nga çdo strukturë tjetër formale dhe informale, po përpiqet të përshtatet me realitetin e ri të krijuar nga pandemia COVID-19 dhe (të synojë) të fitojë, jo vetëm në aspektin ekonomiko-financiar, por sidomos për të fituar legjitimitet duke kapur shtetin, duke u afishuar si alternativë e ligjshme dhe pranueshme nga qytetarët, për çka përdor “pa kursim” ndihmat me produkte ushqimore pa pagesë, me pajisje mjekësore, donacione etj. (Sipas monitorimit nga qendra studimore ndërkombëtare: Global Initiative (Against transnational organized crime) dhe (OCCRP (Organized crime and corruption Project); FATF: Financial Action Task Force. 6prill,2020); Raportit t­ë europolit me titull: “Pas pandemisë: si ndikon COVID-19 në relievin e krimit të organizuar në BE”,30 prill,2020).

Rrethana të tilla tregojnë qartë, se nuk kemi të bëjmë vetëm me një koronavirus si realitet biologjik, por edhe me krijimin e media-virusit si realitet mediatik e shifror. Ndërkaq, virusi fizik dhe ai mediatik bashkëveprojnë duke forcuar njëri tjetrin. Për këtë fakte befasuese sjell Piter Kenig, ekonomist dhe analist gjeopolitik që ka punuar për 30 vjet në Bankën Botërore dhe sot publikon artikuj studimorë në median botërore. (Global Research, ICH, RT; Sputnik; PressTV, The 4th Media (China), TeleSUR, The Vineyard of The Saker Blog etj). Sipas tij, vendimi për “mbylljen” globale për të përballuar krizën dhe rrënuar ekonomitë sociale të tregut, u muar në Konferencën e Forumit Ekonomik Botëror të Davos-it, që u mbajt në datat 21-24 janar 2020. Por zanafillën e paska që nga viti 2010, me Rockefeller Report, në të cilin përshkruhet faza e parë e skenarit të “mbylljes” (Lock Step).

Kurse më18 tetor 2019, me atë që u quajt Event 201, sipas Piter Kenig, iu dha dora e fundit modelimit kompjuterik të pandemisë koronavirus. Virusi i imituar u quajt SARS-2-nCoV, më pas 2019-nCoV. Më e habitshmja është, se ky dokument i hartuar nga Bill Gejts, është integruar plotësisht në “Qëllimet e OKB në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm” (CUR, UN’s Sustainable Development Goals – SDG). Quhet ndryshe “Rendi i ditës për periudhën deri në vitin 2030”. Rend dite sekret i panjohur nga shumica e shteteve anëtare të OKB. Gjithsesi, bëhet fjalë për një plan kriminal kontrolli të plotë ndaj njeriut në planet dhe pakësimit të popullsisë (10-15%) nëpërmjet vaksinimit dhe mjeteve të tjera në dukje të “pafajshme” teknologjike. Sepse në këtë plan apo projekt duket e pamundur të mos përfshihet edhe përhapja globale e teknologjisë 5G, më pas ajo 6G. (Rrjeti elektromanjetik me intensitet të lartë valësh që bën të mundur kontrollin e plotë të njerëzve në planet (“Interneti i sendeve”). Njëherësh, njihet edhe ndikimi negativ i teknologgjisë 5G mbi shëndetin e njerëzve, përfshi dhe përhapjen e infeksioneve virusale të tipit COVID-19, ndikimin mbi florën dhe faunën etj.

“Klika e errët” (term i P. Kenig), me rrugë e mjete të tilla synon që të nënshtrojë të gjitha qeveritë e planetit, ose t’i shndërrojë në fasada për të mashtruar popujt e tyre. Në këto kushte ndërgjegjësimi i njerëzve është çelësi i së ardhmes për të ndërruar paradigmën e zhvillimit dhe për të marë situatën nën kontroll. Thënë ndryshe, situata aktuale e pandemisë globale, po tregon, se nuk është koha, as për të luajtur të shkujdesur, as për të spekuluar me teknologjinë e informacionit, as me demokracinë dhe as me pikat e dobëta të psikologjisë së njerëzve. Nuk sjellin dobi, përkundrazi, vonojnë në mënyrë fatale shpejtësinë dhe efektivitetin e reagimit.

-2-

 Kriza e mundësive, që po përjeton bota si pasojë e pandemisë së koronavirusit, ka marrë përmasa të tilla që na bëjnë të mendojmë se njerëzimi, kurrsesi, nuk do të dëshironte kthimin në gjendjen e para pandemisë. Kjo ka arsye të shumta të akumuluara dhe aktuale.       Globalizmi, me ideologjinë neoliberale në themele, që përligji “kapitalizmin pa rregulla”, fshirjen e kufijve dhe të shteteve kombëtarë për ta shndërruar njerëzimin në një “komunitet të vetëm amorf” të kontrolluar nga “të fortët” (apo “klika e errët”), dështoi përfundimisht! Për pasojë, “kapitalizmi global” e humbi shansin për të udhëhequr botën në mijëvjeçarin e tretë. (Nëvizoj se ideja e një ideologjie të vetme globale është bërë anakronike sepse i shërben kryesisht një grushti oligarkësh të kompanive transnacionale!)

Njëherësh, perëndoi edhe koha e rendit botëror një polar! Këtë tashmë, në një formë a në një tjetër, po detyrohet ta pranojë “parësia ndërkombëtarë”, që është vënë në kërkim të një perestrojke për të siguruar kalimin në një sistem të ri postkapitalist të aftë për të ruajtur      privilegjet, si aristokratët e vjetër, monarkistët, klanet kapitaliste miliardere, ashtu dhe krerët e korporatave transnacionale. Kjo, ndër të tjera, (këtë synojnë sot “Zotërit e gjithësisë”) nënkupton kontroll të plotë mbi shtetet kombëtarë dhe faktorët shpirtërorë të prodhimit, të sistemit arsimor, shkencës elitare dhe vetëdijës së njerëzve.

Intelektualë, shkencëtarë dhe politikanë të shquar, tërheqin vëmendjen për rrezikun e synimeve të tilla prapa të cilave qëndrojnë struktura të fshehta e të fuqishme të natyrës më të egër fashiste. Po i referohem apelit të njohur të dy bashkëpresidentëve të Klubit të Romës, E. Vajzceker dhe A. Vijkman, që shkruanin që para tre vjetësh, se koha e optimizmit perëndimor ka mbaruar dhe se kapitalizmi global nuk ka asnjë probabilitet mbijetese. Dhe, sipas tyre, “nëse nuk e largojmë “të neveritshmin” do të na shkatërrojë gjithë njerëzimin”. (Come on! Capitalism, Short-termism, Population and the Destruction of the Planet, 2017) Po ashtu, Këshilli i drejtorëve të revistës “Buletin i shkencëtarëve –atomistë”, midis të cilëve 18 të lauruar me çmimin Nobel, ka arritur në përfundimin, se bota asnjëherë më parë nuk ka qënë kaqë afër katastrofës globale.

Qasje të tilla e bëjnë me shumë interes parashikimin se postpandemia COVID-19 pritet që të jetë edhe shpalosje e vrullshme e postglobalizmit. Gjithsesi, parashikohet të lindin tipare të reja të një “shoqërie ndryshe”, më e drejtë e më solidare. Në paketën e ndryshimeve thebësore, natyrshëm do të përfshihen, si vlera (x- me natyrë) tradicionale, ashtu dhe tipare e vlera të reja, apo dhe arritje të globalizimit si proces objektiv. K. Marksi, ishte i pari që e përdori i termin globalizim në kuptimin e krijimit të tregut global, (Manifesti komunist (1848) dhe në letrën drejtuar Engelsit në fund të viteve 1850,) i cili si përmbajtje të konceptit “globalizim” konsideronte bërjen kozmopolite të prodhimit dhe konsumit të të gjitha vendeve si dhe krijimin e tregut global. (“Tani, shkruante ai, tregu botëror ekziston me të vërtetë… Me daljen e Kalifornisë dhe Japonisë në tregun botëror, globalizimi u krye”).

Ndërkaq, me kalimin e kohës koncepti “globalizim (globalizëm) është bërë më kompleks, duke sintetizuar në vetvete, si dukuri të bazës ekonomike, ashtu dhe të superstrukturës politike e kulturore. Prandaj ka lindur nevoja, që sa herë flitet për globalizim, të tregohet kujdes për përmbajtjen që përfshihet në të, nëse flitet për globalizim të ekonomisë dhe të tregjeve, apo për globalizmin si tregues i rendit politik botëror, pra, të qenies një polare të botës. Një përmbajtje të tillë të konceptit globalizëm e propozoi Nelson Rokfeler në fjalën e mbajtur në vitin 1962 në Universitetin e Harvardit me titull: “Federalizmi dhe rendi i botës së lir­­ë”, i përforcuar nga H. Kisinger në 1999, duke përfshirë në të nevojën që një superfuqi e vetme të përpunojë rregullat e lojës të detyrueshme për gjithë shtetet e tjera! Ndërkaq, me rritjen e monopolizimit dhe të peshës së korporatave transnacionale, koncepti globalizëm filloi të përdoret për të treguar edhe një formë të drejtimit politik totalitar, kultin e një  elite të vogël që pretendon se zotëron “çelësat e gjithësisë”.

Në këtë vështrim do të krijohej konfuzion teorik dhe praktik nëse konceptet globalizim dhe globalizëm, nuk i përdorim në vartësi të përmbajtjes apo fushës së analizës dhe studimit. Studiuesi i njohur francez i fenomenit të globalizimit ekonomik e çglobalizimit, vëren me të drejtë: “Francezët për globalizimin ekonomik përdorin termin mondializim, por “ky term ka një domethënie më të gjerë… Mondializimi përfshin gjithashtu edhe përmasa politike, kulturore e fetare” (Jacques Sapir. “Çmondializimi”.Botimet Papirus,2016 ,f.7).Që në hyrje të veprës së tij J.Sapir saktëson: “Në këtë libër do të trajtojmë vetëm dy nga aspektet e tij, atë të globalizimit të tregjeve dhe atë të globalizimit financiar” (Po aty, f.9).

Vlera e saktësimeve të tilla konceptuale bëhet tepër e rëndësishme, sidomos kur do të na duhet të gjykojmë rreth debatave të ashpra dhe kundërshtive të shumta, që në kushtet e sotme të pandemisë CVID-19, janë vënë në qendër të vëmendjes së politikës dhe të mediave boërore. Kështu, disa vazhdojnë ta quajnë progres, të tjerë regres, disa e lavdërojnë të tjerë e anatemojnë, disa thonë se globalizimit i erdhi fundi, të tjerë se do të shkarkohet vetëm “ngarkesa e tepërt”! Nga një vështrim më prapa në kohë, bëhet e qartë se globalizimi gjithnjë është parë me sy kritik. Nobelisti Xhozef Stiglic, qysh në vitin 1990, deklaroi se globalizimi nuk solli dobi për një pjesë të madhe të botës, sidomos për vendet në zhvillim dhe ish vendet socialiste. Tomas Paketti, në fillim të viteve 2000, bëri objekt të analizave të thella kritike vendet e zhvilluara për rritjen e “pabarazisë sociale” etj.

Sot, kur globalizimi u ndesh me koronavirusin, një “kundërshtar i padukshëm”, që askush nuk e priste, opinioni shkencor dominues mbështet tezën mbi fundin e globalizmit, kurse oponentët deklarojnë se “është e parakohshme të mendohet, se globalizmit i erdhi fundi, se Globalizimi është fajtor i krizës” (A. Civici. “Nesër”-me çfarë ndryshimesh pritet të ndeshemi. 28 prill, 2020). Hasen ende edhe trajtime të globalizmit me theks kryesisht optimist, “si zhvillim i vrullshëm, anët pozitive dhe avantazhet e të cilit janë shumë më të mëdha se disavantazhet. Ai është zhvillim dhe jo pengesë” (A. Angjeli, “Kriza aktuale –globalizmi, problem apo zgjidhje”. Telegraf, 20 prill, 2020). Realisht, bota ndodhet në prag të deglobalizimit, përmbajtja e të cilit pritet të përcaktohet në proces.

Qëndrimin kritik ndaj një “shkujdesjeje” të tillë konceptuale e shoh edhe si një mundësi vetëreflektimi, sepse në librin “Globalistika” (Dudaj,2009), duke e vlerësuar globalizimin si dukuri përgjithësisht pozitive, fillimisht nuk munda të kuptoja si duhet natyrën e “Lëvizjes antiglobaliste”, që shpërtheu në disa vende kryesore perëndimore. Madje, mu duk gati si lëvizje ludiste, e dhunshme dhe e paarsyeshme. Në të vërtetë, thelbi i saj nuk ishte as kundër teknologjive të reja dhe as për “shkatërrimin e makinave të punës”, por vënia në “shënjestër” e pasojave të globalizmit si diktaturë e monopoleve dhe korporatave transnacionale, e drejtimit politik totalitar, rrënues si për klasën e mesme, ashtu dhe për shtresat e varfëra të shoqërisë.

Next Post
Sa raste aktive me koronavirus janë në vend/ MSH: Ja sa janë në terapi intensive dhe të intubuar

Sindikata, kërkesë Ramës: Të shpallen dëshmorë mjekët që humbën jetën nga Covid

Comments 1

  1. Anonimi says:
    5 years ago

    Profesor, jo se artikulli Juaj nuk ka vend per kritika, por ai eshte nje analize e sakte e situates aktuale qe nxjerr ne pah te verteta qe anashkalohen qellimisht nga shume te tjere dhe veçanerisht nga mediat. Pres te lexoj me shume nga Ju per kete teme

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Hap krahun”, Arben Malaj ia thotë në sy Lapajt: Nëse nuk arrin dot kompromise dhe të ngresh shpresë, ik!

“Hap krahun”, Arben Malaj ia thotë në sy Lapajt: Nëse nuk arrin dot kompromise dhe të ngresh shpresë, ik!

December 30, 2025
Rindërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti, qeveria akordon 540 milionë lekë, përfitojnë qytetet si..

Rindërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti, qeveria akordon 540 milionë lekë, përfitojnë qytetet si..

December 30, 2025
Prej kohësh po luftonte me kancerin, ndahet nga jeta në moshë të re mbesa e John F. Kennedy

Prej kohësh po luftonte me kancerin, ndahet nga jeta në moshë të re mbesa e John F. Kennedy

December 30, 2025
Malaj komenton qeverinë e re: Nuk besoj se ministrat e mësojnë emërimin të fundit

Arben Malaj: Jam anëtar i Partisë Socialiste, por nuk lëpihem për një karrige

December 30, 2025
Mundi rivalin e vet/ Sportisti grek rrihet barbarisht në Serbi bashkë me trajnerin e tij

Mundi rivalin e vet/ Sportisti grek rrihet barbarisht në Serbi bashkë me trajnerin e tij

December 30, 2025
“Zegjine Caushaj, një nga emrat më të kërkuar në 2025 nga…”, eksperti: Ja dy qytetet e ”dashuruar” pas Ramës dhe Berishës

“Zegjine Caushaj, një nga emrat më të kërkuar në 2025 nga…”, eksperti: Ja dy qytetet e ”dashuruar” pas Ramës dhe Berishës

December 30, 2025
Biserko: Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës

Biserko: Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës

December 30, 2025
Qeveria vendos: 4595 punonjës të sistemit të burgjeve përfitojnë sigurimin e jetës dhe shëndetit për tre vite

Qeveria vendos: 4595 punonjës të sistemit të burgjeve përfitojnë sigurimin e jetës dhe shëndetit për tre vite

December 30, 2025
“Travel and Tour World”: Korça, destinacioni dimëror që magjeps turistët e huaj me atmosferën festive

“Travel and Tour World”: Korça, destinacioni dimëror që magjeps turistët e huaj me atmosferën festive

December 30, 2025
“Po veproni rrezikshëm”, sauditët kërcënojnë Emiratet: Largohuni nga Jemeni, keni 24 orë

“Po veproni rrezikshëm”, sauditët kërcënojnë Emiratet: Largohuni nga Jemeni, keni 24 orë

December 30, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com