Një operacion i befasishëm është zhvilluar në burgun e Domokosit nga strukturat e Drejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar në Greqi.
Sipas informacioneve nga mediat greke, raportohet se mes qelive ku u kryen kontrolle të imtësishme ishin edhe ato të të dënuarit shqiptar Alket Rizai, si dhe të një dënuari tjetër shqiptar të njohur me nofkën “Sandri”, i konsideruar organizatori kryesor i trafikut të 1.2 ton kokainë në Astakos të Etoloakarnanisë, nga Karaibet, në janar 2020.
Gjatë kontrolleve, oficerët e të ashtuquajturit “FBI-së greke” sekuestruan telefona celularë, karikues dhe thika, pavarësisht se vetëm pak ditë më parë, më 20 shkurt, ishte zhvilluar një tjetër operacion në të njëjtin burg, ku u kontrolluan 17 qeli.
Sipas informacioneve të mediave greke, në vendngjarje ndodhej edhe Rizai, i cili mohon praninë e tij. Megjithatë, burime zyrtare flasin për kontradikta mes dëshmisë së tij dhe deklarimeve të disa punonjësve të burgut.
Sipas burimeve zyrtare, operacionet e njëpasnjëshme në institucionet e vuajtjes së dënimit do të vijojnë, me qëllim parandalimin e futjes së armëve, lëndëve narkotike dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme.
Ndërkohë, hetimet vijojnë edhe për vrasjen e një të dënuari të rrezikshëm, i cili u ekzekutua me armë zjarri brenda ambienteve të Burgut. Deri tani është arrestuar i dënuari që dyshohet se ka qëlluar, si dhe një kryeroje burgu. Megjithatë, burime pranë hetimit nuk përjashtojnë lëshimin e urdhër-arresteve të tjera në vijim.











