Intervistë e ekspertes së njohur konstitucionaliste Aurela Anastasi për situatën ku gjendet Drejtësia shqiptare dhe ndryshimet që janë propozuar nga ana konstitucionale. Ajo zbërthen me kujdes edhe disa nga problemet e hasura por më shumë se kaq ka dhënë dhe opsionet e zgjidhjes, që i ka përfaqësuar bashkë me kolegët e saj…
Intervistoi Ben Andoni / Java News
Konstitucionalistja Aurela Anastasi është e bindur në këtë intervistë se kuadri kushtetues në Shqipëri përfaqëson një model demokratik dhe bashkëkohor, anipse përvoja e këtyre viteve dëshmoi se atij i duhet të përcaktojë procedura më të hollësishme dhe të japë garanci më të mëdha për realizimin e marrëdhënieve institucionale, veçanërisht të institucioneve të drejtësisë me institucionet e tjera kushtetuese. “Mund të themi se disa formula kushtetuese nuk u përshtatën në terrenin institucional shqiptar dhe nuk e arritën qëllimin për të cilin ishin krijuar. Këtu do të përmendja formulat e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, të cilat jo vetëm nuk garantuan reduktimin e ndikimit politik në emërime, por edhe nuk garantuan procesin nga vonesa dhe bllokime të emërimit të gjyqtarëve”, shprehet ajo në këtë intervistë.
Megjithëse intervista rrok disa tema, ajo na ka dhënë një përgjigje edhe për problemin e shtimit pa kriter të fakulteteve të drejtësisë, duke u kthyer thjesht në mjet fitimi pa mbajtur parasysh kërkesat për tregun e punës si edhe, zbehjen e specializimit juridik profesional.
Në këtë intervistë ka shprehje edhe për konceptin e zbehjes së rolit të presidentit dhe humbjen e rolit të tij në popull. “U vendos që të mos ndryshohej formula e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, por të përshtateshin më mirë kompetencat e tij në marrëdhënie me pushtetin gjyqësor. Ajo që e quani zbehje apo kufizim të atributeve të Presidentit të Republikës, është thjesht një përshtatje e kompetencave të tij, në raport me legjitimitetin e tij demokratik”, shprehet ajo.
Juve jeni një nga ekspertet kryesore të përfshira në Reformën e Drejtësisë, që mendohet si një nga hallkat kryesore që do ta ndihë Shqipërinë në hapjen e negociatave me BE-në. Në fushën dhe në gjykimin tuaj, ku duhet fillimisht të fillojë puna me Reformën?
“Puna për reformën po kalon në disa etapa dhe përfshin një kompleks veprimtarish. Sidoqoftë, i gjithë volumi i punës së kryer përmblidhet në dy aspekte të rëndësishme: së pari, përshtatja dhe ndryshimi i legjislacionit me qëllim që t’i hapë rrugë zhvillimit të Reformës dhe së dyti, zbatimi i këtij legjislacioni me profesionalizëm dhe integritet. Aktualisht, pas analizimit të situatës në drejtësi dhe hartimit të strategjisë për reformën, ndodhemi në përgatitjen e legjislacionit që përfshin ndryshimet kushtetuese dhe ligjore”.
A i është përshtatur kuadri kushtetues si duhet funksionimit të institucioneve të sistemit të drejtësisë? Në gjykimin dhe eksperiencën tuaj, problemet kanë ardhur nga hartimi jo i mirë i normave kushtetuese apo zbatimit të tyre nga institucionet përkatëse?
“Kuadri kushtetues në Shqipëri është një model demokratik dhe bashkëkohor, porse përvoja e këtyre viteve dëshmoi se ai ka nevojë të përcaktojë procedura më të hollësishme dhe garanci më të mëdha për realizimin e marrëdhënieve institucionale, veçanërisht të institucioneve të drejtësisë me institucionet e tjera kushtetuese. Mund të themi se disa formula kushtetuese nuk u përshtatën në terrenin institucional shqiptar dhe nuk e arritën qëllimin për të cilin ishin krijuar. Këtu do të përmendja formulat e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, të cilat jo vetëm nuk garantuan reduktimin e ndikimit politik në emërime, por edhe nuk garantuan procesin nga vonesa dhe bllokime të emërimit të gjyqtarëve”.
Publiku haset shpesh më staturën e Gjykatës Kushtetuese dhe grindjen e politikanëve për të. Me ekspertët e tjerë kolegë a keni identifikuar probleme reale të funksionimit të këtij institucioni suprem?
“Ka pasur një grup të posaçëm të ekspertëve të nivelit të lartë për Kushtetutën, puna e të cilit u fokusua në analizën e situatës së zbatimit të kushtetutës dhe të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Dokumenti analitik mbi situatën në drejtësi ka evidentuar disa probleme që kanë penguar mirëfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Kështu p.sh., gjyqtarët qëndrojnë rregullisht në detyrë tej mandatit, për shkak të mosplotësimit në kohë të vendeve vakante. Për më tepër, sikurse theksohet edhe në disa vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata Kushtetuese ka treguar në disa raste, mosefektivitet për mbrojtjen e të drejtave të qytetarit. Për zgjidhjen e problemeve të evidentuara, janë parashikuar disa ndryshime në dispozitat e Kushtetutës për gjykatën Kushtetuese, si dhe po hartohet një ligj i ri amendues për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Konkretisht, është ndryshuar formula e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke vendosur një procedurë emërimi ku marrin pjesë disa organe. Në këtë mënyrë synojmë të reduktohet politizimi në emërime dhe zvarritja në procesin e emërimit. Në draftin për ndryshimin e Kushtetutës janë parashikuar kritere më objektive për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës kushtetuese. Në ligjin për Gjykatën Kushtetuese do të vendosen procedura që garantojnë transparencën në procesin e emërimeve. Juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese do të zgjerohet, ashtu sikurse edhe rrethi i subjekteve që e vënë në lëvizje atë. E drejta e individit për ta vënë atë në lëvizje është zgjeruar gjithashtu, jo vetëm për të kërkuar procesin e rregullt ligjor në kuptimin procedural, por edhe thelbësor për të drejtat e tij kushtetuese, etj”.
Ju keni thënë dikur se krahas problemeve me shtimin e universiteteve private, në Shqipëri shumica e studentëve dalin shkencëtarë të së drejtës dhe jo praktikantë të saj. Çfarë dëmi i ka sjellë Drejtësisë shqiptare ky fenomen?
“Në pyetjen që më adresoni ka dy probleme, problemi i shtimit pa kriter i fakulteteve të drejtësisë, duke i kthyer ato në mjet fitimi pa mbajtur parasysh kërkesat për tregun e punës dhe, zbehja e specializimit juridik profesional. Të dyja këto probleme çojnë në cenimin e cilësisë në studime dhe të cilësisë së produktit që nxjerrin shkollat e arsimit të lartë juridik. Sidoqoftë, ky ndikim nuk është në të njëjtën shkallë. Çështja e parë është më problematike dhe mospërmbushja e standardeve prej shkollave të arsimit të lartë, ose përmbushja e tyre vetëm formalisht, dëmton seriozisht cilësinë e studimeve dhe të përvetësimit të njohurive në këto institucione. Çështja e arsimimit shkencor ose profesional, lidhet me mënyrën se si është organizuar cikli i dytë i studimeve, ai i programeve master. Meqenëse, masteri shkencor, ka më tepër kredite, 120 kredite në raport me 60-90 kredite që ka masteri profesional, të gjithë studentët që përfundojnë studimet që ciklin e parë Bachelor, tentojnë të marrin më shumë kredite dhe e gjithë kërkesa shkon për masterin shkencor. Në fakt ky i fundit, duhet të ishte një master metodik, vetëm për ata juristë që duan të ndjekin karrierën akademike dhe jo atë profesionale si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë, etj. Pra, këtu kemi një shtrembërim të sistemit, një rënie të njëkohshme, si të arsimit profesional, ashtu edhe të arsimimit juridiko-shkencor. Kjo, vjen për shkak të përzierjes së curriculave, pra, të programeve mësimore për të dyja programet e masterit, si dhe të papërshtatshmërisë së studentëve që studiojnë në to”.
Si e shikoni zbehjen dhe kufizimin dhe më tej të atributeve të presidentit? E ndihmon apo e zvogëlon funksionimin e duhur të institucionit të tij? Si e shikoni personalisht zgjedhjen e tij?
“Në fakt, pas diskutimeve të gjata në grupin e ekspertëve për Reformën, u vendos që të mos ndryshohej formula e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, por të përshtateshin më mirë kompetencat e tij në marrëdhënie me pushtetin gjyqësor. Ajo që e quani zbehje apo kufizim të atributeve të Presidentit të Republikës, është thjesht një përshtatje e kompetencave të tij, në raport me legjitimitetin e tij demokratik. Formula e mëparshme e zgjedhjes ishte konsensuale, që i jepte Presidentit të Republikës më tepër legjitimitet demokratik dhe raportet e tij me gjyqësorin ishin ndërtuar mbi atë bazë. Zgjedhja e tij edhe me një shumicë parlamentare absolute zbeh prezumimin e neutralitetit të tij në jetën politike. Në draftin e ri, përshtatja e kompetencave të tij në raport me gjyqësorin është bërë duke u bazuar në modelet e ofruara nga vendet e tjera që kanë ngjashmëri më këtë model zgjedhjeje, si dhe në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, i cili nuk e këshillon pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës në organet e gjyqësorit. Sidoqoftë, Presidenti i Republikës ruan kompetenca të rëndësishme në bazë të projektit të ri të amendamenteve kushtetuese; emëron formalo-juridikisht tre nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë etj”.
Pse janë kaq të cenueshme institucionet e pavarura tek ne, thjesht nga dështimet e Kushtetutës së vitit 1998 apo nga vetë individi shqiptar që nuk e pranon pavarësinë dhe nuk është mësuar me të?
“Mendoj se këtu ka disa faktorë. Një nga faktorët kryesorë është nënshtrimi i zbatimit të kushtetutës ndaj oportunitetit politik, gjë që është një filozofi e zakonshme për operatorët tanë politikë. Kjo do të thotë, se përfaqësuesit e institucioneve vendosin interesin politik në plan të parë, në vend që të vendosnin Kushtetutën. Ky oportunitet politik, ka dëmtuar edhe gjyqësorin, i cili është ndodhur shpesh nën presionet ndërhyrëse të njerëzve të veshur me pushtet politik. Në lidhje me sa përmendni, dua të theksoj se dështimet e një kushtetute nuk mund të kuptohen të veçuara nga dështimet e subjektit që e zbaton atë. Kushtetuta vendos disa parime dhe një kornizë të modeluar që duhet ta ndjekësh, por mënyra si e zbaton atë subjekti ose operatori politik, ose fakti që nuk e zbaton fare atë, është një faktor përcaktues. Kur flasim për dështime të individëve kemi parasysh edhe subjektet institucionale. Pra, individi dështon jo vetëm si i tillë, por edhe si institucion, që ai drejton ose punon”.