Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pati sot një bisedë telefonike me Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, Elmar Brok, ku mori përgëzime për arritjen e marrëveshjes për reformën në drejtësi, bëhet e ditur në një deklarate për mediat të Partisë Demokratike, pasditen e së mërkurës.
Në vijim të deklaratës për mediat të PD-së, thuhet se: “Brok e cilësoi sukses të jashtzakonshëm të Partisë Demokratike dhe të z. Basha mbylljen me sukses të negociatave. Kreu i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, Brok çmoi lart lidershipin e treguar nga z.Basha në arritjen e kësaj reforme, reformë që do të kontribuojë në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë. Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike, Basha e falënderoi z.Elmar Brok për ndihmën e tij të jashtzakonshme gjatë gjithë proçesit, e në veçanti në finalizimin e tij”.
Po ashtu, Basha ndau të njëjtin vlerësim me z.Brok se një drejtësi me standarde europiane është një hap i rëndësishëm në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian./a.m.