Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta (MTPL e brendshme).
Autoriteti sqaron se nisur nga artikujt në median e shkruar, në lidhje me një rritje të çmimit të sigurimit të detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta (MTPL) nga të gjitha kompanitë e sigurimeve me rreth 25%, më datë 24.08.2016, Inspektorët e Autoritetit të Konkurrencës realizuan një monitorim pranë agjentëve të shitjes së policave të sigurimit.
Nga monitorimi i realizuar pranë agjentëve të shitjes së policave të sigurimit, si dhe nga deklarimet e këtyre të fundit, konstatohet se më datë 24.08.2016, është realizuar rritja e çmimit të sigurimit të detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta (MTPL) për të gjitha kategoritë dhe nga të gjitha kompanitë e sigurimit në masën prej 20%.
Kjo rritje është reflektuar në sistemin online të prerjes së policave të sigurimit (MTPL) të agjënteve të sigurimeve të të gjitha kompanive të sigurimit më datë 24.08.2016, dhe vërehet se këto prime shitje ndryshojnë në mënyrë simetrike nga njëra kompani sigurimi tek tjetra, me të njëjtën masë prej 12 lekë, sjellje kjo e cila mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar sipas përcaktimeve të nenit 4 të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, (i ndryshuar).
Për këto arsyet, Autoriteti ka vendosur hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta (MTPL e brendshme).
Lati: Tregu i sigurimeve vuan mungesën e konkurrencës
Në një intervistë të para pak ditëve për Monitor, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës Lindita Lati u shpreh se në ditët e sotme, tregu i sigurimeve vuan mungesën e konkurrencës, si shkak i moszbatimit të rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës të adresuara në mënyrë sistematike për disa vite me radhë, si dhe rrëzimi i gjobave të vendosura nga Komisioni i Konkurrencës nga ana e gjykatave, ndërsa shton se ky treg ka probleme prej mëse 10 vjetësh. Sipas saj zbatimi i sistemit Bonus–Malus (caktimi i tarifës në bazë të historikut të aksidenteve), i cili do të gjeneronte konkurrencë në treg. Ky sistem duhet të fillonte të zbatohej që në janar 2015 por nuk është vënë ende në funksion. Lati pohon se nga një hetim në këtë treg në mesin e vitit 2014 u konstatua se Autoriteti Mbikëqyrës, duke dashur që të ushtronte kontroll mbi raportimet online të shitjeve të policave të sigurimit pati ndërtuar një sistem, tek i cili gjenerohej i gjithë informacioni. Ky sistem u konsiderua si një mundësi që kishin shoqëritë të ndanin informacione mbi shitjet dhe për të kontrolluar pjesët e tregut të njëra-tjetrës. Ajo shton se Autoriteti i Konkurrencës adresoi përmes vendimeve nr. 324 dhe 325, datë 30.07.2014, të gjitha detyrimet e shoqërive të sigurimeve, si dhe rekomandimet e adresuara ndaj AMF-së si autoriteti rregullues, zbatimi i të cilave do të mundësonte që sot tregu të ishte më eficient.
Monitor/d.i.