Brenda dy javësh pritet të arrihet marrëveshja për koalicion ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas nënkryetarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, në takimin e sotëm nuk është biseduar për përplasjet në fundjavë të këtyre dy partive, por vetëm për arsimin dhe shëndetësinë.
Një status në “Facebook”, i nënkryetarit të LDK-së Lutfi Haziri ku shkruante se posti i kryeministrit kalon nëpër zyrat e LDK-së, ka rezultuar me reagime të shumta në rrjete sociale nga anëtarë të Vetëvendosjes, madje edhe vetë nënkryetarja e LVV-së Albulena Haxhiu.
Por që të dy sot ishin pjesë e takimit në kuadër të grupeve punuese që kanë këto dy parti për një bashkëqeverisje pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, pas takimit thuri lavde për Hazirin, madje tha se nuk kanë diskutuar fare për këtë çështje, por vetëm për temat e caktuara arsimin dhe shëndetësinë.
Ai pret që brenda dy javësh këto takime do të rezultojnë me një marrëveshje për bashkëqeverisje.
Në takimin e radhës do të diskutohet për çështje sociale, ndërsa për dialogun dhe tema të tjera madhore do të diskutohet në nivel liderësh të partive.











