Grida Duma mendon se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë i vetmi faktor që do ta çojë PD-në drejt fitores, por pa patur ata pranë, demokratët nuk mund të fitojnë sipas saj.
Në intervistën e dhënë për ABC, Duma e vlerëson si të drejtë vendimin përsonal të Lulzim Bashës ndaj Berishës, duke mos e hedhur atë në votë në kryesi pasi kjo nuk do të ishte e shëndetshme për PD-në.
Duma thotë se një votim i tillë do të ishte i pakuptimtë pasi përballë do të ishte një vendim i Departamentit të Shtetit dhe figura e liderit historik të PD-së.
“Unë mendoj që një lider politik apo një kryetar partie, nëse e vendos kryesinë e vet, partinë e vet, anëtarësinë e vet të zgjedhi midis liderit historik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të thotë që nuk po merr përgjegjësinë e lidershipit.
E nëse unë kam thënë që ka një gjë që është bërë mirë nga Lulzim Basha si akt vendimmarrje është që këtë gjë nuk e hodhi në votim”, shprehet ajo.
ABC: Fillimisht do të doja t’iu pyes, si e shikoni situatën aktuale, në një krah Partia Demokratike e cila vazhdimisht paraqet nisma ligjore në parlament, ndërkohë që një pjesë e demokratëve i janë bashkuar dhe vijojnë të marrin pjesë në takimet e ish-kryeministrit Berisha.
Grida Duma: Besoj që, muaj pas marrjes së vendimit, që tashmë quhet mbi liderin historik të Partisë Demokratike, me etiketim nominal, pra duke thënë mbi Sali Berishën, nuk është më kjo situata.
Është një vendim që është marrë për Partinë Demokratike, i cili padyshim është marrë për demokratët që të realizohet bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partnerë. E dëgjoj shpesh që thuhet vendimi mbi Sali Berishën.
Jo! Ky mund të ishte një vendim mbi këdo, pavarësisht se Sali Berisha nuk është kushdo dhe kjo nuk ka asnjë dyshim. Por një gjë është e sigurt, që Shtetet e Bashkuara janë domosdoshëri, pavarësisht se nuk janë ato dhe të vetmet që mund ta çojnë Partinë Demokratike në fitore.
Pra, unë iu them një gjë, kam qenë në avokati të moralit të Partisë Demokratike edhe në ditët kur Partia Demokratike ka humbur.
Kam qenë në avokati, ndoshta ndër të paktët në 2013-ën, kur zoti Berisha dha dorëheqjen pikërisht për aktin plotësisht të qartë që ai bëri, duke marrë përsipër një qeverisje që kishte 8 vite, që vazhdonte si vazhdonte me arritjet e veta dhe me rezultatin i cili çoi në një dorëheqje.
Ateherë ku unë kam mbajtur atë qëndrim, nuk kam pasur një dakordësi për të mbrojtur Sali Berishën si individ, kam pasur dakordësinë me parimet e mia për të mbrojtur një ish-kryeministër që bën në atë moment gjënë e duhur ndaj zgjedhësve dhe partisë së vet.
Dhe nuk kam për të harruar në asnjë moment t’iu them që, nëse nuk na ndjekin parimet në rrugëtimin politik, jemi që të gjithë të dështuar. Kam qenë këtu dhe kam mbrojtur Lulzim Bashën që nuk bashkëpunoi me krimin, pavarësisht se kjo mund të kishte një faturë humbje.
Nuk është një vendim ndaj Sali Berishës, është një vendim për të bashkëpunuar dhe për të rritur sinergjinë e domosdoshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tani do të ndaloj një moment, dhe unë kam përvojën e mjaftueshme në fushata elektorale.
Nuk është e vërtetë që ka ndodhur me forcën e dhunës masakra zgjedhore, nuk ka ndodhur me forcën e dhunës. Ka qenë forca e dhunës fizike, por që është shumë më i vogël në raport me krimin ekonomik.
Si ndalohet kjo? Se gjithmonë na bëjnë pyetjen: Ju jeni opozitë, çfarë do bëni ju për të rregulluar këtë? Çfarë do bëni ju sepse këta janë bërë kaq të pushtetshëm, kaq të korruptuar, kaq të lidhur me krimin, kaq të frikshëm. Si do t’i ndaloni ju?
Unë nuk di ndonjë mënyrë tjetër që ndalohen këta, pa një bashkëpunim me partnerin më të rëndësishëm dhe më të fuqishëm strategjik që është Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky vendim është marrë për demokratët, jo ndaj Sali Berishës. Pavarësisht, unë personalisht kam menduar dhe e kam thënë dhe publikisht, që kostumi i deputetit Sali Berishës edhe si lider historik, i rrinte i vogël. Unë nuk e kuptoj, sa vlerë mund të kishte që Sali Berisha të bënte një opozitë parlamentare, kur Sali Berisha në figurën e tij, për sa i përket Partisë Demokratike, opozitën e ka bërë përtej parlamentares.
Dhe unë mendoj, ashtu siç është edhe historia e liderave historik të forcave politike, që një pozicion mbi këtë pozicion i shkonte staturës së tij. Por ky është qëndrimi im personal. Lulzim Basha kur ka marrë vendime, ka pasur në grupin parlamentar të 2017-ës së paku 20 deputetë me eksperiencë 20 e ca vjeçare. Nëse unë kam qenë në atë moment një nga personat e rinj në parlament, të tjerët kanë pasur përvojë të gjatë dhe e dinë se çfarë do të thotë të djegësh mandatet, të vazhdosh me rrugë radikale, etj.
Gjithashtu ka pasur qëndrime për djegien e mandateve për të cilën unë nuk kam folur ndonjëherë publikisht, e kam quajtur çështje të një diskutimi shumë strategjik të brendshëm se nuk është gjë e thjeshtë.
Por nëse unë them këtë për veten time apo ndokush tjetër, unë mbaj mend që publikisht Sali Berisha ka thënë unë e djeg mandatin se ky nuk është parlament. Është cinike të thuash sot se ne po luftojmë për rregulla të demokracisë së brendshme. Zgjedhjet nuk kanë vetëm pak muaj që kanë ndodhur në Partinë Demokratike dhe jam e bindur që demokratët e prisnin atëherë këtë diskutim siç kanë qenë individët më politikë të respektueshëm në hapësirën shqiptare.
Sepse ata nuk janë Partia Socialiste, demokratët nuk janë socialistët. Demokratët janë të lirë, kanë kritikë të madhe, jetojnë me të ndryshmin, nuk janë demokratët njerëzit me kokën ulur për çfarëdo lloj rezultati dhe presin që lidershipi i vet t’i orientojë si dele!
ABC: Zonja Duma, ka qenë një strategji politike e Partisë Demokratike për të mos iu përgjigjur ish-kryeministrit Berisha pasi nga njëra anë janë demokratë të cilët i janë bashkuar “Foltores” së tij dhe nga ana tjetër ka të tjerë demokratë që ndonëse nuk e mbështesin këtë zhvillim të brendshëm në PD, duket se janë pa busull, janë pa orientim për shkak se vetë kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, por edhe eksponentë të rëndësishëm të kësaj force politike kanë zgjedhur që të kenë një gjuhë më të moderuar ose të mos përballen drejtpërdrejt me atë zhvillim që është duke ndodhur me ish-kryeministrin Berisha?
Grida Duma: Mendoj që ka ardhur koha që përtej vetëpërmbajtjes, qetësisë dhe logjikës së pritjes, apo uljes së emocioneve të forta, të mos e gjykojmë anëtarësinë e PD-së si emocionale. Të jesh emocional është gjëja më e natyrshme në botë.
Nuk mund të jetë racionale. Do të jetë emocionale, do të lidhet me figura që e përfaqësojnë, të cilat e kanë udhëhequr në vite. Ashtu duhet të jetë. Demokratët nuk kanë absolutisht faj, dhe ta them këtë si kryefjalë të çdo gjëje për këtë çështje. Demokratët nuk kanë asnjë faj, të gjithë nga i pari tek i fundit. Nëse ka këtu faj është hierarkia e partisë. Nëse do të quajmë faj dhe përgjegjësi, faj dhe përgjegjësi, ka hierarkia e partisë. Qoftë kjo historike e vjetër apo kjo e sotmja që duhet të shpjegojë.
Dhe padyshim deri në këto momente është marrë një vendim për të qetësuar dhe për të mos e kthyer këtë në një situatë sfide konkurrence. Këtu flitet kështu, këtu flitet ndryshe dhe për t’i thënë sa njerëz erdhën këtu dhe sa njerëz erdhën këtu, por ka ardhur momenti që pas gjithë këtyre qetësive, lidershipi i partisë të qartësojë të gjitha pasojat, shkaqet që vijnë nga marrja e këtij vendimi, sepse gjithçka po ndodh për vendimin ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo është e vërteta. Nuk ka çështje demokracie, nuk ka çështje garash. 30 vite në politikë, secili nga ne, njëri 30, tjetri 10, e ka treguar se kush është si personalitet. Kjo është e qartë.
Se si ka qenë demokracia në Partinë Demokratike e kemi ditur që të gjithë dhe ne e dimë nivelin e demokracisë në partitë shqiptare. Dhe po ua them me qartësi të plotë, nuk është kurrkund ku duhet të jetë. Demokracia në partitë shqiptare nuk ndërtohet kur në një moment dikujt që ka peshë i vjen situata që të godasë një tjetër pa peshë. Jo, ndërtohet me sistem.
Meqënëse dikush ka peshë elektorale tregon forcën dhe negocion me forcë. Me forcë nuk negociohet demokracia sepse kemi pasur në çdo moment procedura, sistem, kohë, datë, arsye të mëdha për ta bërë këtë.
Dhe në qoftë se ato nuk kanë ndodhur për shkak të zgjedhjeve brenda në parti atëherë sot për shkak të vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë këtë nuk e lidh me demokracinë dhe për këtë arsye padiskutim që lidershipi sot i Partisë Demokratike, atë që po bën sot Sali Berisha, e gjykon ai pa asnjë diskutim.
Unë mund të diskutoj mbi arsyet e gjërave, por lidershipi sot për mua duhet automatikisht të qartësojë shqiptarët për pastërtinë e këtij vendimi që është marrë plotësisht dhe vetëm për të pasur partner Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët janë i vetmi faktor kredibël që mund ta çojnë Partinë Demokratike në atë rrugëtim që të mund të përballojë këtë krimin, këto paratë dhe ndëshkimin e tyre. Se nuk është më një çështje e cila rregullohet me kod elektoral. Kjo kërkon ndëshkim.
ABC: Ju personalisht e keni konsideruar të drejtë ndonëse të vështirë atë që Lulzim Basha mori për të përjashtuar liderin historik të Partisë Demokratike nga Grupi Parlamentar. Duke parë këtë çarje që Partia Demokratike ka marrë përgjatë këtyre muajve nëse do t’i riktheheshin atij vendimi mendon se mund të kishte një rruge tjetër krahas asaj të përjashtimit të Sali Berishës nga Grupi Parlamentar?
Grida Duma: Dosjen që ka çuar në vendimin “non grata” të Sali Berishës ne nuk e kemi në publik. Departamenti i Shtetit nuk e ka hedhur në publik. Po të dojë Departamenti i Shtetit ta bëjë këtë dosje të hapur, është në diskrecionin e tyre.
Pavarësisht se vazhdojmë të kërkojmë informacion, pavarësisht se Sali Berisha i drejtohet gjyqit, sot ne nuk kemi dosjen e plotë që të themi që arsyet nuk janë këto që diskutohen në publik dhe në media dhe në forume të ndryshme, por kjo është dosja. Ne këtë dosje nuk e kemi. Por ne nuk e kemi dot as forcën e mendimit të shkojmë deri aty sa të vëmë në dyshim Departamentin e Shtetit kur ai thotë ky është vendimi im dhe unë këtë marrëdhënie kam me ty në rast se ti nuk ma respekton vendimin.
Sepse ata nuk ka kanë thirrur në një interpelancë për të diskutuar, ata kanë marrë një vendim. Dhe thonë mbi vendimin tonë ne kërkojmë këtë marrëdhënie të kushtëzuar me ju. Janë dy çështje vendimesh,të cilat nuk mund të hidheshin në gjyq popullor për të pyetur se kë mbështesnin, figurën e Sali Berishës aop vendimin e Departamentit të Shtetit?
Se këtu Partia Demokratike nuk vendoset midis çfarë mendon për Sali Berishën dhe çfarë mendon dot mbi Departamentin e Shtetit dhe SHBA-në. Si do t’i përplaste demokratët Lulzim Basha? Po t’i lëmë demokratët. Si do të përplaste Grupin Parlamentar? Jeni me Amerikën apo më Sali Berishën? Ky do të ishte diskutimi? Unë mendoj që kjo është një absurditet.
Unë mendoj që një lider politik apo një kryetar partie, nëse e vendos kryesinë e vet, partinë e vet, anëtarësinë e vet të zgjedhi midis liderit historik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të thotë që nuk po merr përgjegjësinë e lidershipit.
E nëse unë kam thënë që ka një gjë që është bërë mirë nga Lulzim Basha si akt vendimmarrje është që këtë gjë nuk e hodhi në votim.
Në rast se Lulzim Basha do ta hidhte në votim, tani më thoni ju mua, një lider apo një kryetar partie që ka 8, 9 vjet që e udhëheq partinë e tij nuk e ka të mundshme të influencojë? Apriori në Shqipëri mendohet që votimet e brendshme në partitë politike nuk janë të vërteta. Kështu mendohet, ky është perceptimi dhe politika është perceptim. Dhe në rast se do të votohej dhe cilido të ishte rezultati i votimit, a nuk do të ishte po njësoj e gjykuar, që ka influencuar apo s’ka influencuar?
Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës a nuk do të thirrej cilido individ të thoshte sërish, që çfarë do bëni me vendimin tonë?
Ta zemë se anëtarësia e partisë do thoshte ne duam liderin historik se s’kemi informacion të ndryshëm, ne kemi këtë zgjidhjen. Çfarë do bënim me? Dhe mbetet ende sot pyetje për ata që e ngrenë këtë diskutim, si do ta zgjidhim përsëri qëndrimin ndaj shteteve të Bashkuara të Amerikës? Në të njëjtën mënyrë do të zgjidhej. Atëherë pse duhet ti shkosh kësaj trajektoreje gjatë për t’ju fshehur vendimarrjes, për të mos qenë kryetar i partisë tënde?
Pse? Për të kënaqur cilët, në këtë moment? Cilët? Ata që duan të bëjnë spekulime për këtë çështje? Se unë nuk e di kë do kënaqnim. Se do të prishnim mardhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do hynim në një tjetër trajektore të vështirë, se do ti tregonim demokratëve, që një kryetar, një anëtar një votë, nuk bëri detyrën e vet, të merrte një vendim për një gjë, që është mardhëniet me partnerin strategjik dhe sepse votimi do të ndodhte mbi baza absurdi, se askush nuk është i detyruar të zgjedhë midis Sali Berishës dhe Departamentit të shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo nuk është zgjedhja që kërkojmë ne. Ne kemi kërkuar ndryshe, që edhe lideri historik ta vijojë procesin e vet dhe mundësisht të qartësojë dinjitetin e figurës së tij dhe jua thashë dhe një herë, jo për individin Sali Berisha, por për liderin historik të kësaj partie, që ka 30 vite, ku ai ka pjesë të madhe të vendimarrjes dhe duhet për këtë arsye.
Dhe nga ana tjetër Partia Demokratike të vazhdonte partneritetin, të forcohej partneriteti, se një parti e cila nuk e ka këtë partneritet, shanset për të fituar i ka shumë të vogla.
Dhe me këtë mos më keqkuptojë askush kur ju them, që jo nuk fitohen zgjedhjet vetëm me Amerikën, por pa Amerikën nuk fitohen zgjedhjet. Kjo është një sinekuanon politik për të cilin nuk kemi pse ti vijmë më rrotull.
ABC: A keni ju, në momentin që flasim, një parashikim, ka një pikë fundore kjo përplasje, se, le të themi gjuha apo mundësia që të ketë një kompromis mes dy palëve duket se ka humbur, por a do të jetë Partia Demokratike ajo që do të humbë më shumë në fund të kësaj beteje midis Lulzim Bashës dhe Sali Berishës?
Grida Duma: As jam përfshirë asnjë moment të caktuar, të flas për arsyet e njërit apo tjetrit, apo për mënyrën se si vetë zoti Berisha po e kryen këtë gjë, sepse e kam thënë edhe herë të tjera, nuk mund të këshilloj Sali Berishën se si e ka rrugëtimin e tij, por parimet dhe principet logjike, që i shohim që të gjithë, nuk na ndalon dot askush ti themi.
Madje, unë mendoj, që i kemi lënë heshtur gjatë. Ne, këtë qartësim logjik që kemi, argumentativ, të asaj që unë e quaj rruga e vetme, që Partia Demokratike të forcohet dhe të fitojë zgjedhjet, duhet t’ia themi demokratëve, nuk është një vendim ndaj liderit, është një vendim për demokratët, është krejtësisht ndryshe.
Unë mendoj që, patjetër, që periudha zgjedhore do ti bashkojë demokratët, përtej asaj që mund të themi sot, nesër, pasnesër, mbi arsyet dhe mosarsyet e të arsyeshmes apo të paarsyeshmes, mendoj që zgjedhjet, që do të afrojnë do ti bashkojnë demokratët, sepse kam përshtypjen që edhe me të keqen e vet, edhe për shkak të kësaj trajektore të vështirë, kësaj opozite të vështirë, edhe për shkak se demokratët janë në situatë shumë të sakrifikuar, ata e ndjejnë tani që janë aksionerë Juxhin, janë aksionerë të kësaj./m.j