Paskal Milo, ish-Ministër i Jashtëm, ishte i ftuar sot tek emisioni “Opinion”, në Tv Klan, i cili dha dhe një analizë të gjendjes së luftës.
Milo e cilësoi konfliktin në Iran si ndër më seriozët që ka ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore.
“Irani e ka pasur këtu e 20 vite me shumë përgatitje intensive për të arritur tek bomba atomike. Në 2015 u bë një marrëveshje në kohën e Obamës, por në 2018 Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë e anuloi atë marrëveshje e për rrjedhojë që ky konflikt është më seriozi pas Luftës së Dytë Botërore”, u shpreh ai.
Sakaq, sa i përket përdorimit të armëve bërthamore, Milo u shpreh se nuk do të përdoren, për shkak se palët e përfshira në konflikt janë të përqendruara tek “ekuilibri i frikës”, pra që pasojat e tyre dihen mjaft mirë.
“Fuqitë që zotërojnë armët bërthamore e dinë sa e rrezikshme është për të gjitha palët nëse përdoren armët bërthamore. Ata ruhen tek ekuilibri i frikës. Për rrjedhojë, duke qenë se e dinë rrezikun, nuk do e përdorin armën bërthamore”, u shpreh ai.











